Selia e Shenjt? n? Bienalen e arkitektur?s: kantier i hapur p?r t? restauruar kish?n
R.SH. – Vatikan
Do të jetë kantier i hapur, rezultati i së cilës do të jetë restaurimi i një kishe të lashtë me kompleksin rreth saj, që do t’i lihet qytetit për përdorim kolektiv e kulturor. Pavijoni i Selisë së Shenjtë në Bienalen e ardhshme të Arkitekturës së Venecias (10 maj - 23 nëntor 2025) u paraqit dje në Vatikan nga prefekti i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, kardinali Josè Tolentino de Mendonça, i cili e quajti “pavion-shëmbëlltyrë”.
Vetë titulli "Opera Aperta" (Vepër e Hapur) - temë e gjithë veprimtarisë lagunare - sqaroi kardinali portugez në konferencën për shtyp, "e paraqet atë si kantier ndërtimi në proces të vazhdueshëm, në të cilin të gjithë ftohen të bashkëpunojnë: arkitektë, mendimtarë, banorë të gjashtë zonave të Venecias, shoqata e madje, edhe vizitorë të Bienales. Në hapësirën e oratorit të lashtë të kompleksit të Zojës Ndihmëtare, që ka nevojë për restaurim, “do të tregohet një shëmbëlltyrë, sepse, njëkohësisht me riparimin e mureve dhe të detajeve arkitekturore të ndërtesës, do të përmirësohen edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ato ndërmjet brezave, duke ristrukturuar kështu, paralelisht, hapësirën fizike dhe atë shoqërore".
"Dëshira jonë - shpjegoi kardinali Tolentino de Mendonça - është që ky pavijon-shëmbëlltyrë të jetë, në fushën e arkitekturës, shprehje konkrete e intuitave profetike, që përmban enciklika “Laudato si'” dhe të bëhet një laborator aktiv i inteligjencës kolektive njerëzore, duke bashkuar: arsyen me dashurinë, profesionalitetin me bashkëpunimin, punën kërkimore me jetën e zakonshme".
Më tej, u nënvizua se qëllimi i gjithë punës në pavijonin e Vatikanit, është "të shikohet arkitektura si një lloj veprimtarie për të mbështetur bashkësinë njerëzore dhe jetën shoqërore", duke promovuar një hapësirë ??kolektive takimi, edhe ndërmjet artizanëve lokalë, përvoja e të cilëve ka rrezik të zhduket, por duhet t’u përçohet brezave të rinj. Vizitorët do të mund t’i shikojnë punimet hap pas hapi e, nëse duan, mund t’i bien pianos, në një hapësirë kushtuar muzikës.
Një nga arkitektet, që do të marrin pjesë në këtë projekt, është Tatiana Bilbao, e cila u lidh me video në konferencën e shtypit. Kardinali de Mendonça e falënderoi jashtëzakonisht me fjalët: “Na nderon shumë fakti se ajo është një nga emrat më në zë të Pavijonit të Selisë së Shenjtë, në një projekt të përbashkët me kolektivin katalanas Maio Architects”. Arkitektja është meksikane e në veprat e saj shihet harmonizimi i gjeometrisë me natyrën. Ka marrë një sërë çmimesh ndërkombëtare e veprat e saj, përveçse në Meksikë, gjenden, ndërmjet të tjerash, në Kinë, Francë e SHBA.
Kompleksi i Zojës Ndihmëtare është pronë e Bashkisë së Venecias dhe i është dhënë hua Dikasterit të Vatikanit për një periudhë katërvjeçare, me impenjimin për të kryer veprimtari kulturore dhe shoqërore.