Selia e Shenjt?: e domosdoshme t? rifillohet urgjentisht rruga e ?armatimit
R.SH. - Vatikan
“Rrugëzgjidhjet ushtarake” nuk janë përgjigje efektive ndaj paqëndrueshmërisë politike në rritje, që vërehet në disa rajone të botës. “Cikli i grumbullimit të armatimeve” dhe “logjika e parandalimit” janë paradhoma e dyshimeve dhe e përçarjeve, të cilat e largojnë bashkësinë ndërkombëtare nga perspektiva e paqes së qëndrueshme. Prandaj është e nevojshme "të rifillohet, me urgjencë, rruga e çarmatimit", duke dialoguar me bashkëbisedues, që mund të jenë "edhe të pakëndshëm". Ky, qëndrimi i Selisë së Shenjtë, shprehur nga vëzhguesi i saj i përhershëm në Kombet e Bashkuara, Imzot Gabriele Caccia, në fjalimin e tij para Komisionit për Çarmatimin, në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të 79-të të organizatës, mbajtur më 8 prill, në Nju Jork.
Erozioni i dialogut dhe i bashkëpunimit
Ndryshimi i paradigmës, i miratuar nga "shumë shtete", i orientuar gjithnjë e më shumë drejt "zgjidhjeve ushtarake" për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e tyre, ka "kosto të konsiderueshme", sipas Imzot Caccia-s, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin e "erozionit të multilateralizmit, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, prej kohësh gurët e themelit të përpjekjeve tona kolektive".
Gara e armatimeve na largon nga paqja
Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë kujtoi fjalët e Papës Gjoni XXIII, shkëputur nga enciklika Pacem in Terris. Që në vitin, tashmë të largët 1963, Papa vërejti se si përligjej gara e armatimeve "me arsyetimin sipas të cilit “nëse paqja është e mundur sot, ajo mund të jetë vetëm një paqe e bazuar mbi drejtpeshimin e fuqive. Prandaj, nëse një bashkësi politike armatoset, bashkësitë e tjera politike duhet t’ia mbajnë ritmin e gjithashtu të armatosen". Fjalë që vijojnë “të jehojnë thellë” edhe sot, duke e larguar botën nga “paqja e qëndrueshme”.
Bashkim i traktateve kundër armëve bërthamore
Në dritën e perspektivës "alarmuese" të një konflikti të mundshëm bërthamor, imzot Caccia përsëriti thirrjen për të nisur "me urgjencë të përtërirë rrugën e çarmatimit". Duke i bërë jehonë fjalëve të Papës Françesku, përsëriti se armët e shkatërrimit në masë "përfaqësojnë një shumëfishues rreziku, që krijon vetëm iluzionin e paqes". Pronësia e armëve të tilla vazhdon të justifikohet përmes logjikës së parandalimit, “megjithë natyrën në ndryshim, kompleksitetin e konflikteve dhe realitetin e pamohueshëm që na kujton se çdo përdorim i këtyre armëve do të kishte pasoja katastrofike humanitare dhe ambientale”.
Prandaj Selia e Shenjtë bën thirrje të respektohet Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW) dhe Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Të komunikohet edhe me bashkëbisedues “të pakëndshëm”
Një tjetër temë e trajtuar nga Imzot Caccia, ishte edhe ajo e teknologjive të reja dhe e ndikimit të tyre në mbrojtjen e paqes. Edhe në këto rrethana, Në këtë kontekst, është rinisur thirrja e Papës Françesku për "kornizat legjislative", që krijojnë mundësinë për përballimin e sfidave të tilla si, ndërmjet tjerave, ardhja e inteligjencës artificiale. Zgjidhje që, sipas Françeskut, mund të ndiqen vetëm përmes "vokacionit të diplomacisë", të aftë për të nxitur "dialog me të gjithë, duke përfshirë edhe bashkëbiseduesit që konsiderohen më të papërshtatshëm ose që nuk do ta konsideronin veten të ligjshëm për të biseduar. Kjo është e vetmja mënyrë për të këputur zinxhirët e urrejtjes dhe të hakmarrjes, që burgosin, si dhe mashtrimet, egoizmin dhe mendjemadhësinë njerëzore, rrënja e çdo dëshire luftarake, që di veç të shkatërrojë”.