Raporti i ASIF: p?rmir?sohet procesi i sinjalizimit t? veprimtarive t? dyshimta
R.SH. – Vatikan
Autoriteti vatikanas i Mbikëqyrjes Financiare dhe Informimit (ASIF) vazhdon veprimtarinë e tij, duke kontribuar në konsolidimin e sistemit të Selisë së Shenjtë dhe të Shtet-Qytetit të Vatikanit për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, siç dokumentohet në Raportin Vjetor të publikuar sot e që i referohet statistikave të vitit 2024.
Sinjalizimi i veprimtarive të dyshimta
Gjatë vitit 2024, ASIF ka shqyrtuar 79 raportime për veprimtari të dyshimta, më pak se në vitin 2023, gjë që tregon për shtimin e vëmendjes dhe të cilësisë së mbikqyrjes, rezultat i përmirësimeve në bashkëpunimin e brendshëm dhe ndërkombëtar, sidomos me Zyrën e Promotorit të Drejtësisë në Vatikan, si edhe pasojë e masave parandaluese të miratuara. Për herë të parë, në Raportin Vjetor 2024 ndahen veprimtaritë e dyshimta, që sinjalizohen nga treguesit e anomalive të përdorura prej organizmit, nga ato veprimtari që rrjedhin nga lidhjet me ente o institucione në vende, që konsiderohen me rrezikshëmri të lartë. Kjo tregon vëmendje të veçantë ndaj të ashtuquajturit “rrezik gjeografik”, pasi institucionet nën kontrollin e ASIF-it kanë si mision të vetëm shërbimin e Kishës në botë dhe, veçanërisht në këto zona gjeografike, nevoja për praninë e Kishës është më e madhe. Megjithatë, edhe në këtë rast, ASIF konfirmon mungesën e çështjeve kritike.
IOR konfirmohet si institucion i qëndrueshëm
Gjatë vitit 2024, janë verifikuar e kontrolluar edhe të gjitha veprimtaritë e Institutit të Vatikanit për Veprat e Fesë (IOR). Vëmendje e veçantë i është kushtuar fushës së financave. Rezultatet i dhanë mundësinë Carmello Barbagallo-s, presidentit të IOR-it – që nganjëherë, quhet gabimisht Banka e Vatikanit – të flasë në hyrje të raportit për “rezultatet e mira të arritura nga IOR, që konfirmohet si institucion i qëndrueshëm dhe i mirëorganizuar”. I të njëjtit mendim edhe Komiteti Moneyval i Këshillit të Evropës, që nënvizon përputhjen e kuadrit normativ të tij me standardet e Grupit të Veprimit Financiar Ndërkombëtar. Aktualisht, Moneyval jep gjykim pozitiv të plotë, ose me pajtueshmëri të lartë, për 35 nga 39 rekomandimet, që i pati bërë Vatikanit.