杏MAP导航

K?rko

Pashk?, Varri i Shenjt? bosh Pashk?, Varri i Shenjt? bosh
Editorial

Pashk?t dhe feja e peshkatar?ve t? thjesht?

Big Bang n? zanafill?n e Krishterimit: "materiali njer?zor" i d?shmitar?ve t? par?

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Javier Cercas e ndërtoi të gjithë romanin e tij - e vërtetë prej pesëqind faqesh, me titullin "Budallai i Zotit në fund të botës", kushtuar udhëtimit të Papës Françesku në Mongoli, rreth një pyetjeje të vetme, ringjalljes së korpit. Ai, shkrimtar, i deklaruar agnostik e antiklerikal, u prek nga një akt dashurie për nënën e tij të sëmurë dhe nga siguria që tregoi se e kishte parë përsëri në Parajsë burrin e saj, të vdekur prej vitesh. Lexuesi duhet të bëjë një udhëtim të gjatë dhe pasionant përpara se të arrijë tek përgjigja, si në fundin e shumëpritur të një romani të verdhë,.

Jemi në prag të tri ditëve më të rëndësishme për të krishterët në mbarë botën, gjatë të cilave kujtojmë ngjarjen që është në zanafillën e besimit tonë: mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, rreth vitit 30 në një vend të largët, provincë e skajshme e Perandorisë Romake.

Është e nevojshme të ndalemi dhe të reflektojmë, duke e bërë këtë pyetje tonën, për të shmangur lajmet tronditëse dhe mijëra shqetësimet e përditshme, që na largojnë nga zemra e ngjarjes.

Ungjijtë kanonikë nuk u menduan në tryezë, me shekuj pas autorëve, për një trillim devocional ose nga propaganduesit fanatikë të një ideologjie fetare, por bazohen në rrëfimet e dëshmitarëve okularë: ata përfaqësojnë një tregim të zhveshur të fakteve, janë larg mrekullive dhe nuk e përshkruajnë çastin e ringjalljes. Ata nuk tregojnë se çfarë ndodhi brenda varrit të Jozefit të Arimatesë, të "huazuar" për varrimin e Nazarenasit. Tregojnë vetëm atë që është e mundur të tregohet nga ana njerëzore dhe atë, që u dëshmua: ky Njeri, i vetmi në historinë e njerëzimit, që e quajti veten "rruga, e vërteta e jeta" e që e pranoi natyrën e tij hyjnore, u var barbarisht me torturën famëkeqe të kryqit si keqbërës dhe vdiq. E trupi i tij  u mbart me ngut dhe u varros me nxitim.

Miqtë e tij, përveç njërit, Gjonit, e lanë vetëm mbi Kalvar, ku gratë treguan më shumë guxim se ata. Pastaj, në agim të ditës së tretë, ndërsa apostujt rrinin të tmerruar dhe të mbyllur me kyç në çenakull, gratë kishin bërë një zbulim tronditës: varrin bosh dhe Jezusin e gjallë.

Historiciteti  i  tregimit të varrimit, ashtu si edhe i historisë së varrit të zbrazët, nuk vihet më në dyshim nga studiuesit seriozë: sepse kurrë e për këtë jetë ndokush nuk do të mund të shpikte akuzën e vjedhjes së trupit, nëse varri nuk do të ishte.

Por feja e Marisë Magdalenë, e Pjetrit dhe e Gjonit, e Tomës dhe e apostujve të tjerë, nuk bazohet, e nuk është bazuar kurrë, në shenjat, sado kuptimplote, të varrit të zbrazët dhe pëlhurave prej liri të paprekura. Një mungesë nuk mjafton për të krijuar një bindje kaq "të çmendur" si ajo e ringjalljes së një trupi që mund të preket, por në të njëjtën kohë, jeton në një përmasë tjetër dhe mund të kalojë përmes mureve.

Është e vërtetë se Gjoni, duke parë pëlhurat në varr, "pa e besoi", por në zanafillën e fesë të atyre dymbëdhjetë burrave të përhumbur dhe të atij grupi të vogël grash që ndihmuan nënën e Jezusit nën kryq, mund të kishte vetëm një prani shumë më të thellë, tronditëse e ndonjë shenje.

Ai, që ishte i vdekur dhe i varrosur, u kthye rishtas në jetë. E ata, që e panë, biseduan me të, e prekën, hëngrën me të. Maria Magdalenë dhe gratë e tjera ishin dëshmitaret e para.

Ka një Big Bang në zanafillën e Krishterimit, që është i pashpjegueshëm me kategoritë sociologjike. Çfarë mund ta kishte shndërruar një grup të vogël dishepujsh të tmerruar dhe të zhgënjyer, në lajmëtarë të palodhur të vdekjes dhe të ringjalljes së Krishtit, të gatshëm për t’u dëshmuar të gjithëve çka kishin parë dhe të vdisnin si martirë për ta treguar?

Ajo që i shtyu dëshmohet që në fillim, në këto fjalë të Palit, në Letrën e parë drejtuar Korintasve: “Sepse para së gjithash ju shpalla të vëretën, që e mora edhe unë vetë: se Krishti vdiq për mëkatet tona, simbas Shkrimeve,   

 se u varros, u ringjall në ditën e tretë sipas Shkrimeve dhe se pastaj iu duk Cefës e më pas të Dymbëdhejtëve. Më pas iu duk më shumë se pesëqind vëllezërve njëherësh, shumica e të cilëve janë ende gjallë,  megjithëse disa kanë vdekur. Përveç tjerëve iu duk edhe Jakobit e më pas të gjithë apostujve”. Fjalë, që studiuesit besojnë se nuk erdhën drejtpërdrejt nga pena e Apostullit, por të marra nga një traditë e mëparshme, që vjen nga vitet e tridhjeta të shekullit të parë të epokës së krishterë.

Ungjijtë, të cilët u shkruan më vonë, pajtohen plotësisht me këtë sintezë të misterit të Pashkëve.

Studiuesja hebreje Paula Fredriksen, profesoreshë nderi e Shkrimeve Shenjte në Universitetin e Bostonit, shkroi në librin e saj "Jezusi i Nazaretit: Mbreti i Judenjve": "Unë e di se sipas tyre, çka panë ishte Jezusi i ringjallur. Kjo është çka thonë dishepujt. Të gjitha provat historike që kemi qysh atëherë, e dëshmojnë besimin e tyre, e janë të bindur se kjo është ajo që panë. Nuk po them se ata nuk e panë Jezusin e ringjallur. Unë nuk isha atje, nuk e di se çka panë. Por si historiane, e di se duhet të kenë parë diçka. Besimi i dishepujve se kishin parë Krishtin e ringjallur… ka themele historike, fakte të njohura padyshim për bashkësinë e parë pas vdekjes së Jezusit”.

Patriarku i atëhershëm i Venedikut, Albino Luciani, vërejti në një predikim të paharrueshëm në Pashkët e vitit 1973: “Prandaj mosbesimi fillestar nuk ishte vetëm i Tomës, por i të gjithë apostujve, njerëz të shëndetshëm, të fortë, realistë, alergjikë ndaj çdo fenomeni halucinacioni, të cilët u dorëzuan vetëm përballë dëshmive të fakteve. Me një material

njerëzor si i tillë ishte krejtësisht e pamundur të kalonim nga ideja e një Krishti të denjë për t'u ringjallur shpirtërisht në zemra - në idenë e një ringjalljeje trupore përmes reflektimit dhe entuziazmit. Për më tepër, në vend të entuziazmit, pas vdekjes së Krishtit, ndërmjet apostujve kishte vetëm dekurajim dhe zhgënjim. Mungonte pastaj edhe koha: nuk është e mundur që në pesëmbëdhjetë ditë një grup i fortë njerëzish, të pamësuar të spekulojnë, mund të ndryshojë masivisht mendësinë edhe pa mbështetjen e provave të forta!

17 prill 2025, 11:34