Nj? grua, presidentja e re e Komisionit p?r Mbrojtjen e Monumenteve t? Selis? s? Shenjt?
R.SH. – Vatikan
Elvira Cajano, profesoreshë e jashtme e Fakultetit të Historisë dhe të Trashëgimisë Kulturore të Kishës në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, është presidentja e re e Komisionit të Përhershëm për Mbrojtjen e Monumenteve Historike dhe Artistike të Selisë së Shenjtë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e emëroi sot (10 prill) në këtë detyrë. Profesoresha Cajano u lind në Parmë të Italisë, më 29 maj 1955. U diplomua në arkitekturë, bëri doktoraturën në fushën e saj të studimeve në Universitetin e Romës “La Sapienza”. Ka pasur rol drejtues në Superintendencën e Umbrias për Arkeologjinë, Artet e Bukura dhe Peizazhin. Ka qenë profesoreshë e teorisë së restaurimit dhe të ruajtjes në Universitetin Papnor Gregorian në Romë dhe është autore e botimeve të shumta. Në detyrën e re, ajo vjen pas profesorit Francesco Buranelli, ish-drejtor i Muzeve të Vatikanit dhe president që nga janari 2017.
Një komision me më se njëqind vjet jetë
Komisioni i Përhershëm për Mbrojtjen e Monumenteve Historike dhe Artistike të Selisë së Shenjtë u krijua nga Papa Piu XI më 27 qershor 1923. Si pjesë e riorganizimit të Kuries nën Shën Palin VI, në vitin 1965, detyrat e tij u shtrinë edhe në vlerësimin e huazimeve të veprave të artit në pronësi të Selisë së Shenjtë. Me ardhjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në vitin 2001, nën Shën Gjon Palin II, “Komisioni i Përhershëm ka për detyrë të shprehë mendimin e tij për të gjitha ndërhyrjet e restaurimit, ndërtimet e reja, projektet për ekspozita dhe ndërhyrjet mbrojtëse, që kryhen në Shtet-Qytetin e Vatikanit dhe në zonat ekstraterritoriale”.