Imzot Balestrero: t? qeveriset IA, p?r nj? zhvillim t? ekuilibruar dhe etik
R.SH. / Vatikan
Selia e Shenjtë pranon se përparimet në teknologjinë e informacionit krijojnë mundësi të reja zhvillimi në nivel global, duke ushtruar ndikim të thellë në të gjitha sferat ekonomike, sociale dhe qeverisëse. Megjithatë, ka ende pabarazi të thella për hyrjen ndër teknologjitë në zhvillim të mbarë botës, veçanërisht në dëm të vendeve më të varfra që nuk kanë infrastrukturën, burimet dhe njohuritë e duhura për të përfituar plotësisht prej tyre. Ky, thënë me dy fjalë, është thelbi i fjalimit të Përfaqësuesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, Kryeipeshkvit Ettore Balestrero, në sesionin e 28-të të Komisionit të Kombeve të Bashkuara mbi Shkencën dhe Teknologjinë për Zhvillimin.
Prelati shprehu shqetësimin e Selisë së Shenjtë për përjashtimin e vendeve më pak të zhvilluara nga hyrja në rrjetin global, që në një botë të dixhitalizuar do të thotë, ndër të tjera, më pak mundësi arsimimi dhe punësimi, më pak zhvillim të shërbimeve sociale e edhe më pak pjesëmarrje të reduktuar në jetën ekonomike. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i Vatikanit vuri në dukje se është e rëndësishme të mos përhapet ideja mashtruese, sipas të cilës këto teknologji mund t’i zgjidhin të gjitha problemet. Nëse është e vërtetë se "teknologjitë e reja, duke përfshirë edhe atë të Inteligjencës Artificiale, ofrojnë edhe zgjidhje të reja për një numër të madh sfidash" - shpjegoi imzot Balestrero - duhet të shmangim rënien në një “paradigmë teknokratike” që “rrezikon t’i kalojë në plan të dytë dinjitetin njerëzor, vëllazërinë dhe drejtësinë sociale, në emër të dobisë”.
Të qeveriset Inteligjenca Artificiale
Ndërmjet rreziqeve të përmendura nga përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, është themelore të dallohen ato që lidhen me shndërrimin në mall të arsimit, me ndikimet negative në tregun e punës, virtualizimin e marrëdhënieve njerëzore, përhapjen e falsifikimeve të thella dhe dezinformatave, përveç shkeljeve të rënda të privatësisë. Ndaj Selia e Shenjtë ritheksoi urgjencën e rregullimit të AI, pikërisht për shkak të mundësive të mëdha që ofron e, njëkohësisht, edhe rreziqeve që sjell. Për të mos përmendur implikimet etike të përqendrimit të aplikimeve më të përhapura në duart e disa kompanive.
Si përfundim, Selia e Shenjtë mirëpret procesin në vijim për hartimin e dokumentit të vlerësimit të grupit të punës së AI, propozuar në Global Digital Compact, duke e konsideruar si hap të parë pozitiv për një përçapje të balancuar. Në veçanti, kuadrin rregullator etik - vuri në dukje Imzot Balestrero – i cili duhet të sigurojë që AI të promovojë progresin e vërtetë dhe që subjektet juridike të jenë përgjegjës për përdorimin e, përmes mjeteve të përshtatshme, për mbrojtjen, transparencën, privatësinë dhe përgjegjësinë.