Mesh?t dhe ndjetet, nj? Dekret i ri p?r m? shum? transparenc? e korrektes?
R.SH. - Vatikan
Dikasteri për Klerin rishikon disiplinën në lidhje me ndjetet e Meshëve Shenjte dhe ofertat përkatëse, duke krijuar rregulla më të qarta që garantojnë transparencë, korrektësi dhe respekt për vullnetin e besimtarëve. Dekreti, i miratuar nga Papa Françesku në formë specifike dje, më 13 prill, do të hyjë në fuqi më 20 prill, të dielën e Pashkëve.
Një zakon për t'u mbrojtur
Çështja ka të bëjë me një nga format më konkrete, me të cilat besimtarët marrin pjesë në jetën e Kishës: duke kërkuar që të kremtohet një meshë për të gjallët, ose të vdekurit. Një zakon shumë i lashtë, i bazuar në motive të thella baritore dhe shpirtërore, i rregulluar deri tani nga kushte që lejonin, nga njëra anë, të ruhej fjala e dhënë ofruesve ndërsa, nga ana tjetër, të largohej rreziku i "tregtimit" të sendeve të shenjta. Falë kësaj praktike, besimtarët, nëpërmjet ofertës, thuhet në tekst, "dëshirojnë të bashkohen më ngushtë me Flijën Eukaristike, duke i shtuar flijimin e tyre, duke bashkëpunuar për nevojat e Kishës dhe, veçanërisht, duke kontribuar në mbajtjen e shërbëtorëve të saj". Kështu, besimtarët “lidhen më ngushtë me Krishtin, i cili flijon vetveten e, në një farë kuptimi, hyjnë edhe më thellë në bashkim me Të”, sipas një praktike që “jo vetëm miratohet nga Kisha, por edhe përdoret prej saj”.
Dokumenti - i cili i përmbledh dhe i specifikon normat tashmë të përfshira në dekretin Mos iugiter të vitit 1991 – lindi për të trajtuar disa nga çështjet kritike, shfaqur në praktikë e, veçanërisht, lidhjet me meshët me synime “kolektive”, apo kremtimet me qëllime të shumëfishta në të njëjtin rit.
Miratimi i ofruesve duhet të jetë i qartë
Në veçanti, Dikasteri i udhëhequr nga kardinali Lazzaro You Heung-sik përcakton se, po të lejohen nga këshilli provincial ose nga mbledhja e ipeshkvijve të provincës, "meshtarët mund të pranojnë oferta të shumta nga dhurues të ndryshëm, duke i grumbulluar me të tjerat dhe duke i kënaqur dhuruesit me një meshë të vetme, të kremtuar sipas një qëllimi të vetëm "kolektiv" dhe vetëm nëse të gjithë janë informuar dhe kanë pranuar lirisht”. Thuhet shprehimisht se, në mungesë të një "pëlqimi të qartë", vullneti i dhuruesve "nuk mund të hamendësohet kurrë" e "në mungesë të tij, gjithmonë mund të besohet se nuk është dhënë". Nëse para së gjithash rekomandohet që "çdo bashkësi e krishterë të jetë e kujdesshme për të ofruar mundësinë e kremtimit të meshëve të përditshme me një qëllim të vetëm", ??prifti, siç thuhet në Dekret, "mund të kremtojë meshë të ndryshme edhe sipas qëllimeve 'kolektive', duke e ditur që lejohet të mbajë, çdo ditë, vetëm një ofertë për një qëllim të vetëm, ndërmjet atyre që janë pranuar".
Garantimi i sakramenteve për më të varfërit dhe mbështetja e misioneve
Më tej, dekreti përtërin rregullat, tashmë në fuqi, sipas të cilave "meshtari”, përveç lëmoshëve të përcaktuara nga organi kompetent, nuk duhet të kërkojë asgjë për mbarështimin e sakramenteve, duke shmangur gjithmonë që më të varfërit të privohen nga ndihma për shkak të varfërisë". Më tej, sqarohet se çdo ipeshkëv dioqezan mundet, duke pasur parasysh rrethanat specifike të Kishës së caktuar dhe klerit të saj, të marrë masa për ndarjen e flijimeve "për famullitë në nevojë ndër dioqezat e tij ose të tjera, veçanërisht në vendet e misionit".
Vigjilencë dhe parandalim i veprimtarive të paligjshme
Ipeshkvijtë dhe priftërinjtë e famullisë duhet të jenë vigjilentë, duke siguruar që çdo synim dhe ofertë të regjistrohet në regjistra të veçantë dhe të sigurojë që "dallimi ndërmjet zbatimit për një qëllim të veçantë të meshës (edhe nëse 'kolektiv') dhe kujtimit të thjeshtë gjatë një kremtimi të Fjalës ose në disa çaste të kremtimit eukaristik, të jetë i qartë për të gjithë. Në këtë drejtim, saktësohet se “kërkesa” apo edhe thjesht “pranimi i ofertave” në lidhje me këto dy rastet e fundit, është “krejtësisht i paligjshëm” dhe parashikon zbatimin e “masave disiplinore dhe/ose penale”.
Rishikim në dhjetë vjet
Së fundi, Dikasteri i Klerikëve njofton se dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të këtyre normave, do të realizojë një studim të praktikave, si dhe të legjislacionit aktual për këtë çështje, me synim “verifikimin” e zbatimit të saj dhe “përditësimit” të mundshëm.