Maria Tr?ndafil Mistik: bekohet nj? shtatore n? Vatikan
R.SH. – Vatikan
Një shtatore e Marisë Trëndafil Mistik është e pranishme që sot në Vatikan: ajo u bekua nga prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, kardinali Victor Manuel Fernández. Shtatorja e dhuruar nga Papa Françesku, u vendos në një kamare të krijuar enkas. Të pranishëm, ndërmjet të tjerëve, dy sekretarët e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, imzot John Joseph Kennedy dhe don Armando Matteo, së bashku me Sekretarin e përgjithshëm të Guvernatoratit, imzot Emilio Nappa.
Korrikun e kaluar, mbi bazën e normave të reja për fenomenet që supozohen të mbinatyrshme, Dikasteri mori vendim për të autorizuar kultin publik të përkushtimit marian, që lidhet me mesazhet e marra ndërmjet viteve 1947 dhe 1966 nga vegimtarja Pierina Gilli. Një miratim, që jep edhe mundësinë për t’i kushtuar kësaj Zoje kisha dhe vende kulti me ekspozimin e shtatores përkatëse.
Në faktet që lidhen me këtë përvojë shpirtërore, lexohet në letrën e kardinalit Fernández të korrikut të kaluar, nuk ka "aspekte morale negative apo çështje të tjera kritike. Përkundrazi, mund të gjenden disa aspekte pozitive". Dukjet e Zojës “Trëndafil Mistik” dhe "Nënë e Kishës" janë të lidhura me një vend të caktuar në Itali, Fontanelle, në jug të Montichiari-t, në provincën e Brescia-s. Vegjentja është Pierina Gilli, e lindur në një familje fshatare, me punë si punëtore shtëpiake në një kishë dhe si infermiere në një spital, me një jetë shumë të thjeshtë deri në vdekjen e saj në vitin 1991, në moshën 80-vjeçare. Fenomenet mistike në të cilat ka qenë protagoniste mbulojnë dy periudha kohore: e para në vitin 1947, kur Zoja iu duk Pierinës me titujt “Trëndafil mistik” dhe “Nënë e Kishës”. Në veshjen e bardhë të Marisë, gruaja pati deklaruar se pa edhe tre trëndafila - një të bardhë, një të kuq dhe një të verdhë – simbole të lutjes, pendesës dhe vuajtjes.
Cikli i dytë i dukjeve i përket vitit 1966, pikërisht në Fontanelle. Këtu, më 13 maj, datë e njohur mariane, për shkak të dukjes së parë të Zojës së Fatimës, Shën Maria i tregon Pierinës një burim uji, si vend pastrimi dhe gurrë hiresh. Që në vitin 1966 filloi ndërtimi i një shenjtëroreje, e cila nuk ka arkitekturën e një kishe, por të një amfiteatri të hapur. Në njërën anë, ka një kapelë për kremtimin e Eukaristisë, nga ana tjetër, një kapelë të dytë, më të vogël, për të mbrojtur burimin e treguar gjatë dukjes së Zojës.