杏MAP导航

K?rko

Mesazhi i Pap?s Fran?esku p?r "La Civiltà Cattolica" Mesazhi i Pap?s Fran?esku p?r "La Civiltà Cattolica"

“La Civiltà Cattolica” feston 175-vjetorin, Papa: "Sh?rbim inteligjent p?r Kish?n"

Me nj? mesazh t? Pap?s Fran?esku, revista e jezuit?ve “La Civiltà Catolica” (Qytet?rimi Katolik) kremtoi dje, 1 prill, n? Villa Malta, selia e saj n? Rom?, 175-vjetorin e themelimit. I pranish?m, edhe presidenti italian Sergio Mattarella. Sekretari i Shtetit t? Vatikanit, kardinali Parolin: “gjithnj? t? mb?shtetur nga Pap?t, sot, guxoni t? hapni shtigje t? reja dhe t’i b?ni t? njohura shenjat e shpres?s n? nj? bot?, q? ka nevoj? p?r to”

R.SH. – Vatikan

         175 vjet jetë, krah për krah si “mike” me breza të tërë, të cilëve u ka dhënë “këshilla të dobishme për interpretimin e ngjarjeve të botës në dritën e fesë”. 175 vjet "shërbim inteligjent për Selinë e Shenjtë dhe Kishën", duke respektuar me “rigorozitet” të vërtetën e duke i dhënë hapësirë ??"debatit e dialogut". Kjo është revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), e cila kremtoi dje, 1 prill, veprimtarinë e parë në përvjetorin e saj të themelimit, me një mesazh të Papës Françesku, nënshkruar më 17 mars në Poliklinikën Gemelli. Në ceremoninë e kremtuar në Villa Malta, seli e revistës, ishin të pranishëm edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Gazetari e mirë dhe përvujtëri

“La Civiltà Cattolica” nuk është një revistë si gjithë të tjerat, por një nga më të vjetrat ende në botim, lindur më 6 prill 1850 me dëshirën e të Lumit Piu IX, i cili e mbështeti projektin editorial të jezuitëve në një periudhë të trazuar për Italinë dhe vendet e tjera evropiane. Që atëherë, revista konsiderohet mjet i fuqishëm për të interpretuar historinë, politikën, kulturën, shkencën dhe artin në dritën e fesë së krishterë, në harmoni me qëndrimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë. Një botim "unik në llojin e vet", i cili ka lundruar "në det të hapur", duke përshkuar periudha vendimtare, siç pati shkruar Papa Françesku me rastin e daljes së numrit 4000. Ndërsa në mesazhin e djeshëm, Ati i Shenjtë inkurajon të vijohet në këtë rrugë "me gëzim, përmes gazetarisë së mirë, duke i dëgjuar të gjitha zërat dhe duke mishëruar atë të urti të butë, që i bën mirë zemrës". Të pranishmit e shumtë - ndër të cilët, presonalitete të shquara - duartrokitën fjalët e Papës, që i bënin homazh historisë së revistës, ku dikur shkruanin vetëm jezuitët, për të arritur deri në ditët aktuale, kur në faqet e saj lexohen edhe pena të tjera e kur botohet edhe versioni dixhital në shtatë gjuhë.

Vlerësimi i Papëve

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, në fjalën e tij, përshkoi lindjen, jetën dhe zhvillimin e këtij “projekti”, të dëshiruar fort nga Papa Mastai-Ferretti dhe nga Sekretari i atëhershëm i Shtetit, kardinali Giacomo Antonelli. Që në fillim, revista u bë mjet për t’i “ndihmuar lexuesit të kishin një këndvështrim të krishterë” mbi ngjarjet e botës, “identitet, që është ruajtur deri në ditët e sotme", nënvizoi kardinali, duke theksuar "lidhjen e ngushtë të revistës me Papët", magjisterin e të cilëve e ka shoqëruar, duke e bërë të kuptueshëm për të gjithë. Edhe Papët, vuri në dukje Sekretari i Shtetit të Vatikanit, e kanë “shoqëruar” me kërkesa dhe sugjerime punën e revistës, e cila, pas vitesh “polemike”, u bë një platformë e çmuar për të kuptuar Koncilin II të Vatikanit. Qe Papa shenjt Gjoni XXIII ai, që i kërkoi atë Roberto Tucci-t, në atë kohë drejtor, që revista t'ia bënte të njohura publikut të gjerë punimet konciliare. Kardinali Parolin kujtoi edhe vlerësimin e Papës shenjt Gjon Pali II dhe të Papës Benedikti XVI, që gjithnjë “theksuan primatin e së vërtetës". Përmendi, gjithashtu, inkurajimin e Papës Françesku, i cili, duke takuar kolegjin e shkrimtarëve, i nxiti "të ndërtojnë ura, të jenë të pranishëm në periferi e në udhëkryqe dhe të hyjnë në dialogun kulturor bashkëkohor".

Impenjimi i jezuitëve

“Të dashur jezuitë, vazhdoni t’i konsideroni thesar fjalët e Papës Françesku dhe të paraardhësve të tij, të cilët, nga i Lumi Piu IX, ju kanë shoqëruar gjithmonë, duke treguar besim”, këshilloi kardinali. “Kremtimi i 175-vjetorit bëhet për të evokuar me mirënjohje impenjimin kulturor dhe edukativ të Shoqërisë së Jezusit”, shtoi ai, duke shprehur mirënjohje të veçantë për “praninë e rregullt në botën dixhitale”. “Angazhim kompetent dhe bujar”, paralelisht me atë për “respektimin e dinjitetit njerëzor në të gjitha rrethanat” dhe për “promovimin e paqes”, me mirënjohjen e thellë të Selisë së Shenjtë. Së fundi, urimi: “Guxoni të hapni rrugë të reja, bëjini të njohura shenjat e shpresës në një botë, që ka vërtet nevojë për to”.

02 prill 2025, 10:06