Kthimi n? Nikea, si v?llez?r
R.SH. / Vatikan
Andrea Tornielli
Kthimi në Nikea 1700 vjet më vonë, gjatë Jubileut 2025, do të thotë para së gjithash të gjendemi si vëllezër me të gjithë të krishterët e botës: rrëfimi i fesë së krishterë që vjen nga Koncili i parë Ekumenik në fakt bashkëndahet jo vetëm nga Kishat Lindore, Kishat Ortodokse dhe Kisha Katolike, por është gjithashtu e përbashkët edhe për komunitetet kishtare të lindura nga Reformimi.
Do të thotë të gjejmë veten mes vëllezërve rreth asaj që është vërtet thelbësore, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se ajo që na ndan: 'Të gjithë së bashku, ne besojmë në Hyjin Trinitar, në Krishtin, njeri i vërtetë dhe Zot i vërtetë, në shëlbimin në Jezu Krishtin, sipas Shkrimeve të lexuara në Kishë dhe të nxitur nga Shpirti Shenjt. Së bashku, ne besojmë Kishën, pagëzimin, ringjalljen e të vdekurve dhe jetën e amshuar”. Kjo është një pikë qendrore e dokumentit “Jezu Krishti, Biri i Zotit, Shpëtimtar” botuar nga Komisioni Ndërkombëtar Teologjik për të përkujtuar Koncilin e Nikesë.
Koncili i parë ekumenik kishte, ndër objektivat e tij, atë të përcaktimit të një date të përbashkët për kremtimin e Pashkëve, një çështje e diskutueme tashmë në Kishën e shekujve të parë: disa e kremtuan atë në lidhje me Pesahun hebraik më 14 të muajit Nisan, të tjerë e kremtuan të dielën pas Pesahut hebraik. Nikea ishte e rëndësishme, madje vendimtare për kërkimin e një date të përbashkët duke vendosur të dielën pas hënës së parë të plotë të pranverës si datë për kremtimin e Pashkëve.
Situata ndryshoi në shekullin e 16-të, me reformën kalendarike të Gregorit XIII: Kishat në Perëndim sot llogaritin datën sipas këtij kalendari, ndërsa ato në Lindje vazhdojnë të përdorin kalendarin Julian, të përdorur në mbarë Kishën përpara reformës Gregoriane. Por është domethënëse dhe profetike që në përvjetorin e Nikesë këtë vit të gjitha Kishat e krishtera kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë, të dielën më 20 prill. Një shenjë dhe një shpresë për të qenë në gjendje të caktojmë së bashku një datë të pranuar nga të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur.
Përveç atij ekumenik, ekziston një aspekt i dytë që e bën shumë të rëndësishëm këtë kthim në Nikea. Tashmë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger vuri në dukje si një sfidë të vërtetë për krishterimin atë “të një arianizmi” të ri dhe kjo është një vështirësi në rritje në njohjen e hyjnisë së Jezusit siç rrëfehet në fenë kristologjike të Kishës: Jezusi, sipas doktrinës së priftit Arius, që jetoi në Aleksandri në vitet 256-336, konsiderohet një njeri i madh, një revolucionar, një mësues i jashtëzakonshëm, por jo Zot.
Pastaj, ekziston një rrezik tjetër, i cili nënvizohet edhe në dokumentin e ri të Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, dhe është pasqyra e saktë dhe e kundërta, që e bën të vështirë pranimin e humanizmit të plotë të Krishtit. Jezusi që mund të përjetojë lodhje, ndjenja trishtimi dhe braktisjeje, si dhe zemërim. Biri në fakt ka zgjedhur të jetojë plotësisht njerëzimin tonë.
Në Të, në njerëzimin e shprehur në çdo moment, në lënien e vetes “të lëndohet” nga realiteti, në prekjen e tij nga vuajtjet e atyre njerëzve që takoi, duke u thënë po kërkesave të të varfërve që kërkuan ndihmë, ne shohim të reflektuar në pushtetin e Tij se çfarë do të thotë të jesh njeri dhe në të njëjtën kohë shohim të reflektuar në Të fuqinë e një hyjnie që ka zgjedhur të ulë veten dhe të zbrazet për të na shoqëruar dhe për të na shpëtuar.