Kard. Parolin: diplomacia e Vatikanit gjithnj? e m? shum? n? sh?rbim t? paqes
R.SH. / Vatikan
Një stinë e ri për diplomacinë e Selisë së Shenjtë. Papa Françesku e filloi me botimin e një Kirografi që sanksionon zyrtarisht rinovimin e Akademisë Kishtare Papnore, një institucion i themeluar mbi tre shekuj më parë dhe që ka kryer gjithmonë funksionin e përgatitjes së diplomatëve papnorë. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinal Pietro Parolin, i cili është edhe Përgjegjësi i Akademisë Kishtare Papnore, foli për mediat e Vatikanit për pikat kryesore të kësaj reforme të Papës. Dhe Parolin shpreson se diplomacia e Vatikanit do të jetë, me guxim dhe kreativitet – siç kërkon Papa – gjithnjë e më shumë në shërbim të dialogut midis popujve dhe kulturave.
Akademia Kishtare Papnore lindi mbi treqind vjet më parë. Megjithatë qëllimet e saj themelore kanë mbetur të njëjta…
Po, më shumë se tre shekuj pas themelimit të saj, Akademia Kishtare Papnore vazhdon të formojë diplomatë që janë syri vigjilent dhe i kthjellët i Pasardhësit të Pjetrit mbi Kishën dhe botën, të përkushtuar për të përfaqësuar Papën me një frymë misionare që nuk njeh kufij. Ata jo vetëm marrin pjesë në debate ndërkombëtare, por thirren të interpretojnë dhe propozojnë, në përputhje me vizionin e krishterë të Kishës, zgjidhje që mund të kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe vëllazërore.
Papa Françesku u ka kushtuar gjithmonë vëmendje atyre që janë përfshirë në procesin e formimit në diplomacinë e Vatikanit. Cilat janë cilësitë kryesore që, sipas Atit të Shenjtë, duhet të ketë një diplomat i mirë i Selisë së Shenjtë?
Gjatë takimeve të tij me Nuncat Apostolik dhe Vëzhguesit e Përhershëm të Vatikanit, Papa Françesku i ka përshkruar shpesh diplomatët papnorë si “priftërinj me valixhe në dorë”, duke nënvizuar kështu karakterin baritor, misionar dhe universal të shërbimit të tyre. Është pikërisht kjo frymë e shërbimit ungjillëzues që e shtyu Papën të riorganizonte programin e formimit për këta priftërinj, me qëllim forcimin e përgatitjes së tyre dhe përshtatjen me sfidat bashkëkohore. Një vendim që shënon një kapitull të ri në historinë e diplomacisë papnore.
Këtu hyjmë pikërisht në zemër të reformës. Cilat janë risitë më domethënëse? Cila është fryma pas këtij vendimi të Papës?
Me reformën, Akademia strukturohet si një institut i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shkenca Diplomatike, në përputhje me vizionin novator të propozuar nga Kushtetuta Apostolike Veritatis Gaudium dhe me standardet ndërkombëtare të studimeve universitare, në veçanti me "Procesin e Bolonjës", i cili ka arritur një harmonizim të sistemeve të ndryshme evropiane të arsimit të lartë. Akademia Kishtare Papnore do të ketë tashmë mundësinë e dhënies së diplomave akademike të Licencimit (ekuivalente me Diplomën Master) dhe Doktoraturës (PhD), duke u ofruar studentëve të saj një arsim që integron disiplina juridike, historike, politike, ekonomike dhe, natyrisht, ekspertizë specifike në shkencat diplomatike. Me një vizion të përditësuar të rrugëve universitare dhe kërkimore, është një rikthim në rrënjët, në themelin e këtij institucioni që ka përjetuar shumë ngjarje historike, shpesh jo të lehta për Selinë e Pjetrit. Dhe pavarësisht nga fatkeqësitë e ngjarjeve, Akademia mbeti vendi i formimit në shërbim të Papëve.
Në Kirograf, Papa thekson se rinovimi nuk kufizohet në një qasje thjesht teknike…
Sigurisht. Programet mësimore, në fakt, do të jenë të lidhura ngushtë me disiplinat kishtare, në mënyrë që përgatitja e priftërinjve-studentëve të ndërthurë sferën diplomatike me dimensionin e bashkimit të Kishës dhe të zhvillohet në harmoni me metodën e punës së Kuries romake, ungjillëzimin dhe veprimin misionar të Kishës. Dhe më pas raporti mes Kishës dhe shoqërisë, si dhe dialogu me kulturën bashkëkohore, të cilat konsiderohen elemente themelore për diplomacinë e Vatikanit, e cila vepron si zëdhënëse e mesazhit të krishterë në forumet ndërkombëtare. Gjithashtu për këtë arsye - megjithëse Akademia është futur organikisht në strukturën e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit - Dikastere të ndryshme të Kuries Romake do të përfshihen në formimin dhe organet kolegjiale të Akademisë.
Cilat janë shpresat tuaja për këtë reformë, për atë që mund të përkufizohet si një stinë vërtetë e ri e diplomacisë së Selisë së Shenjtë?
Me reformën, Papa Françesku dëshiron të përditësojë qasjen e Selisë së Shenjtë ndaj diplomacisë ndaj sfidave të botës bashkëkohore, duke iu përgjigjur nevojave të një mjedisi diplomatik gjithnjë e më të globalizuar dhe të ndërlidhur. Reforma synon të forcojë lidhjen midis kërkimit dhe formimit akademik të diplomatëve të ardhshëm papnor me sfidat konkrete që do të duhet të përballen në misionet e tyre jashtë vendit. Prandaj, shpresa ime është që të trajnohen jo vetëm ekspertë diplomatikë, por meshtarë që, të vetëdijshëm për misionin universal të Kishës, mund t'i përgjigjen me kompetencë, ndjeshmëri dhe frymë ungjillore sfidave globale, duke çuar përpara vizionin e Papës për diplomacinë si një instrument paqeje, drejtësie dhe solidariteti midis popujve..