Hapet Ekspozita n? Osaka. Selia e Shenjt?, me "Zbritjen e Krishtit nga kryqi” t? Caravaggio-s
R.SH. / Vatikan
Ekspozita Botërore kushtuar risisë dhe qëndrueshmërisë, e përqendruar në temën "Të përvijojmë shoqërinë e ardhshme për jetën tonë", hapet nesër, në Japoni. Ngjarja, e planifikuar të zhvillohet nga 13 prilli deri më 13 tetor 2025 në ishullin artificial të Yumeshima-s, në bregdetin ujor të Osakës, pritet të tërheqë 30 milionë vizitorë. Është vitrinë e jashtëzakonshme globale, në të cilën marrin pjesë rreth 160 vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Bukuria sjell shpresë
Selia e Shenjtë është e pranishme edhe në Ekspozitën Universale në Japoni, falë bashkëpunimit në pavijonin italian, me një hapësirë ??të titulluar “Bukuria sjell shpresë”. Tema, e cila gërshetohet me këtë Vit Shenjt të Shpresës, lidhet me një mesazh universal, që nënvizon fuqinë transformuese të së bukurës, në rizgjimin e dëshirës për një botë më të mirë. Titulli luan me kuptimin e dyfishtë të foljes "porta"- “sjell”, duke kujtuar kështu, edhe Portën Shenjte të Jubileut, simbol që sjell mirëpritje dhe pajtim.
Përurimi
Hapësira e Selisë së Shenjtë ndodhet në sektorin e pavionit italian. Ky sektor, i titulluar “Bukuria sjell shpresë”, do të përurohet nesër, e Diela e Larit, 13 prill, nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, së bashku me Komisionerin e Përgjithshëm për Italinë në Expo 2025 Osaka, ambasadorin Mario Vattani dhe Proprefektin e Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella. “Marrëveshja, e cila lejon për herë të parë pritjen e Selisë së Shenjtë në pavionin italian të një ekspozite universale, pohoi kohët e fundit Tajani, flet vetë për gjendjen e shkëlqyer të marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Pavioni i Selisë së Shenjtë
Nëpërmjet eksplorimit të artit dhe të estetikës, Pavijoni i Selisë së Shenjtë synon të përcjellë një koncept të thellë: bukuria, e parë në shumë aspekte, mund të jetë burim frymëzimi për ndërtimin e një shoqërie më të harmonishme. Vepra, në qendër të hapësirës ekspozuese të Selisë së Shenjtë, në Osaka, është "Deposizione di Cristo” – “Zbritja e Krishtit nga kryqi”, huazuar për gjashtë muaj nga Muzetë e Vatikanit. Një vepër e zgjedhur drejtpërdrejt nga Papa Françesku, për të përcjellë mesazhin e shpresës. Pavijoni i Selisë së Shenjtë gërsheton simbolet e krishtera dhe japoneze, duke pasqyruar kupolën e Shën Pjetrit dhe diellin në lindje, shoqëruar nga referenca për kaligrafinë japoneze Sumi-e.
"Zbritja e Krishtit nga kryqi"
Vepra, në qendër të pavijonit të Vatikanit, "Zbritja e Krishtit", konsiderohet si një nga kryeveprat më të realizuara të Caravaggio-s. U porosit nga Girolamo Vitrice për kishën e familjes, në Shën Marinë e Valiçelës (Kisha e Re), në Romë. Në 1797 u përfshi në grupin e veprave të transferuara në Paris për zbatimin e Traktatit të Tolentinos, për t’u bërë përsëri pjesë e Pinakotekës së Piut VII, pas rikthimit në vitin 1816. Caravaggio në të vërtetë nuk e pikturon Varrimin, as zbritjen tradicionale nga kryqi, pasi Krishti nuk përfaqësohet në çastin kur mbyllet në varr, por kur, në praninë e grave të përshpirtshme, vendoset nga Nikodemi dhe Gjoni mbi Gurin e Vajimit, domethënë gurin me të cilin do të mbyllet varri. Korpin e Krishtit e rrethojnë Virgjëra, Maria Magdalenë, Gjoni, Nikodemi dhe Maria e Kleofës, e cila i çon krahët e edhe sytë drejt qiellit, me një gjest shumë të lartë tensioni dramatik.
Çfarë thonë Ungjijtë? Nga varrimi "i përkohshëm" deri në Ringjalljen e Jezusit
Pas vdekjes së tij në kryq, varrimi i Jezusit qe veprim i përkohshëm, pasi ishte ora e mbrëmjes dhe e shtuna hebreje po i afrohej perëndimit të diellit, kur dihet se çdo aktivitet ishte i ndaluar. Atëhere trupi i Jezusit u mbështoll me një çarçaf të bardhë dhe u vendos në varrin e ri të gërmuar në shkëmb, që i përkiste Jozefit të Arimatesë, ish-anëtar i Sanhit, e tani, ndjekës i Jezusit. Veprimet e nevojshme për këtë lloj varrimi, i cili nuk bëhej në tokë, ishin spërkatja e trupit me parfume e pomada konservante dhe mbështjellja me fasha (një shembull për këtë kemi në historinë e Lazrit të ringjallur nga vetë Jezusi) - këto operacione u shtynë për pas Shabatit nga gratë e devotshme, të cilat pasi përgatitën erëzat dhe panë se ku ishte vendosur trupi i Jezusit, më në fund u larguan me lot në sy e dhimbje në zemër!
Këtë skenë të jashtëzakonshme pasqyron “Zbritja e Krishtit nga Kryqi” në Ekspozitën Botërore, që mund të soditet që nesër, në Japoni.