"Grat?, Kisha, Bota", z?ra feje, n? Amerik?n, q? nuk i pranon emigrant?t
R.SH. - Vatikan
Reagimi i Kishave amerikane kundër politikës së imigracionit të presidencës Trump nuk është ende plotësisht i përcaktuar, por ndërkaq ofron një vizion të qartë lidhur me shqetësimet dhe kritikat. Shenja e parë e fortë e zhgënjimit erdhi një ditë pasi para presidentit amerikan u betua një grua. Ipeshkvja e Uashingtonit, Marian Edgar Budde, e njohur për mbrojtjen e drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut, i kërkoi presidentit “t’i mëshirojë emigrantët”, duke i kujtuar edhe se "njerëzit që mbledhin fruta në ara e pastrojnë zyrat tona, ndonëse nuk janë qytetarë, ose nuk kanë dokumente të vlefshme, janë fqinjë të mirë, që dersiten në punë e edhe paguajnë taksa".
Trump u përgjigj në mënyrë indirekte, duke ia besuar Zyrën e sapokrijuar të Fesë në Shtëpinë e Bardhë, një gruaje: tele-predikueses Paula White, pastore e të ashtuquajturës teologji e prosperitetit ("Zoti e shpërblen me pasuri dhe shëndet, atë që ka fe të fortë ") e këshilltare e tij shpirtërore.
Edhe Kisha Katolike Amerikane ngre zërin në mbrojtje të emigrantëve. Kardinali Robert McElroy, ish-ipeshkëv i San Diegos, tani kryeipeshkëv metropolitan i Uashingtonit, theksoi se dëbimet masive janë "të papajtueshme me doktrinën katolike".
Jezuiti dhe shkrimtari James Martin, në një intervistë me gazetën italiane La Stampa, përsëriti se Konferenca Ipeshkvnore e Shteteve të Bashkuara, "ipeshkvijtë, si dhe priftërinjtë e famullive dhe laikët, duhet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të refugjatëve me vendosmëri më të madhe".
Kjo betejë, natyrisht, nuk do të jetë e lehtë. Nënkryetari Vance i akuzoi ipeshkvijtë katolikë për marrjen e qindra miliona dollarëve në ndihmë të emigrantëve, duke nënkuptuar se angazhimi i tyre ishte më shumë mbrojtje e "biznesit personal" sesa dëshirë e vërtetë për drejtësi sociale. Shteti i Teksasit akuzon disa famulli se u ofrojnë strehim emigrantëve, duke i mbrojtur ata nga autoritetet.
Reagimi i kardinalit Timothy Dolan, kryeipeshkëv i Nju Jorkut, është shumë i prerë: “Është vërtet e turpshme. Vërtet e keqe të trajtohen kështu emigrantët".
Pavarësisht vështirësive, Kisha vijon t’i mbrojë me vendsomëri. Sipas një analize të Washington Post, në vitin 2023 Kisha mori 123 milionë dollarë donacione për ndihmën e migrantëve, ndërsa shpenzoi 134 milionë dollarë. Në kufirin SHBA-Meksikë, motra Norma Pimentel, drejtoreshë ekzekutive e Organizatave Bamirëse Katolike në Luginën e Rio Grande, punon pa u lodhur për emigrantët nga Amerika Latine, që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Tani edhe përmes pikturave të saj: “Unë ndihmoj shumë emigrantë që po vuajnë për shkak të politikave të administratës së re në Shtetet e Bashkuara. Ne duam të sjellim shpresë në këto familje. Këtë dashuri ua shpreh atyre dhe botës përmes pikturave që krijoj”.
Ky, qëndrimi ndaj të huajve në atmosferën e krijuar nga qeveria e re amerikane, që nuk i do emigrantët, ndonëse është shtet i emigrantëve, që vijojnë të shkelin pambarimisht në trojet amerikane në kërkim të një jete më të mirë, tani në një situatë aspak miqësore. Ndërmjet tyre, edhe një numër i madh shqiptarësh, që vijojnë më shumë se kurrë shtegtimin e madh të shpresës, pa pyetur nëse do të pranohen apo do të dëbohen. Për t’u rikthyer rishtas.