Vatikan: At Pasolini do t? mbaj? predikimet e Kreshm?s nga e Premtja
R.SH. / Vatikan
Shikoje Jezusin "si spirancë të sigurt dhe të patundur, shpresa e të cilit nuk të zhgënjen". Katër predikimet e Kreshmëve të propozuara në Vatikan, do të na ftojnë këto javë për të medituar në këtë drejtim. Në katër të premtet para Javës së Madhe të Pashkëve, me temën "Të ankoruar në Krishtin. Të rrënjosur dhe të themeluar në shpresën e Jetës së re" - njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë - Atë Roberto Pasolini, predikatar i Shtëpisë Papnore, do të ofrojë reflektimet e mëposhtme: "Mëso të marrësh - Logjika e Pagëzimit", më 21 mars; “Shko dikund tjetër – Liria në shpirt” më 28 mars; "Duhet të dish sesi të ngrihesh përsëri - gëzimi i ringjalljes" më 4 prill; "Zgjerimi i Shpresës - Përgjegjësia e Ngjitjes" - më 11 Prill.
Predikimet e Kreshmëve do të mbahen në orën 09:00 në Sallën Pali VI, me përjashtim të asaj të datës 4 prill, e cila do të mbahet në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik të Vatikanit.
Meditimet do të na ndihmojnë të kuptojmë se sa e rëndësishme është të "mirëpresim dinamizmin e kthesës së Ungjillit" dhe "të formohemi nga Shpirti Shenjt si krijesa të reja" për të "mbetur të ankoruar në Të, jo vetëm me fjalë, por edhe, e sidomos, me vepra dhe në të vërtetën", siç thuhet në ftesën nga Prefektura e Shtëpisë Papnore. Do të theksojnë, gjithashtu, se shpresa “na nxit të ecim pa e harruar madhështinë e qëllimit për të cilin jemi të caktuar: Parajsën”, siç shkruan Papa Françesku në Bulën e Jubileut Spes nonconfundit - Shpresa nuk të zhgënjen. Jeta e Jezusit "është shkollë e njerëzimit" - përfundon ftesa - në të mund të "njohim të gjithë hapat që nevojiten dhe që mungojnë për të ecur me gëzim drejt Mbretërisë së Zotit".