Urdhri i Malt?s, nj? Jubile n? sh?rbim t? shtegtar?ve
R.SH. – Vatikan
Tri ditë debati intensiv për drejtuesit e Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës (SMOM) në qendrën e tyre, në Aventin të Romës. Në fund të takimit, Jubileu i tyre, gjatë të cilit pjesëmarrësit në konferencë kaluan në procesion nëpër Portën Shenjte të bazilikës papnore të Zojës së Madhe. Më pas, mesha e kremtuar nga kardinali pajtor i Urdhrit të Maltës, jezuiti Gianfranco Ghirlanda, i cili – siç dihet - emërohet nga Papa me detyrën për të ndjekur interesin shpirtëror të urdhrit e të anëtarëve të tij, si edhe marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Urdhrit të Maltës. Takimi qe një mundësi unike për diskutim ndërmjet drejtuesve të Urdhrit, për të përforcuar misionin e tyre në ndihmë të shtresave më nevojtare dhe për të riafirmuar impenjimin humanitar dhe shpirtëror në nivel global.
Përmirësimi i veprimtarive humanitare
Në fjalën e mbajtur nga Mjeshtri i Madh i Urdhrit, Fra' John Dunlap, si edhe në atë të Kancelarit të Madh, Riccardo Paternò di Montecupo, u theksua nevoja për të forcuar impenjimin në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve. Objektiv ky, për t’u realizuar me unitet, duke u pajisur me mjetet e duhura, pasi nevojat humanitare shtohen me shpejtësi dhe, gjithnjë e më shumë, janë rezultat i fenomeneve të ndërlikuara si ndryshimi i klimës, migrimi, inteligjenca artificiale, etj..
10 shekuj aktivitet
Urdhri Sovran Ushtarak Spitalor i Shën Gjonit të Jerusalemit, lindur në Jerusalem në gjysmën e dytë të shekullit XI, është subjekt primar i së drejtës ndërkombëtare dhe urdhër rregulltar katolik e laikal. Misioni i tij është të dëshmojë fenë dhe t'u shërbejë të varfërve e të sëmurëve. Sot, Urdhri i Maltës vepron kryesisht në fushën e ndihmës mjekësore-sociale dhe në atë të ndërhyrjeve humanitare në mbi 120 vende. Administron spitale, qendra mjekësore, klinika, institute për të moshuarit dhe për njerëzit me aftësi të kufizuara, qendra për pacientët me sëmundje terminale, projekte të ndihmës shoqëroro-shëndetësore dhe psikologjike për migrantët dhe refugjatët, në Tokën Shenjte, në Liban dhe në zona të tjera të botës. Ka dhënë shumë ndihma për popullsinë ukrainase, të stërmunduar nga tri vitet e luftës.
Një Jubile nën shenjën e sigurisë shëndetësore
Gjatë Jubileut 2025, Urdhri i Maltës jep ndihmesën e vet për sigurinë shëndetësore të shtegtarëve, me qendra në katër bazilikat kryesore (Shën Pjetri, Shën Gjoni në Lateran, Shën Maria e Madhe dhe Shën Pali jashtë Mureve), ku janë hapur Portat Shenjte. Vullnetarë të shumtë në gjuhë të ndryshme japin ndihmë shëndetësore për shtegtarët nga e gjithë bota. Profesor Domenico Arduini, koordinator i veprimtarive shëndetësore të SMOM-it, kujton se ky aktivitet shëndetësor, në marrëveshje me Selinë e Shenjtë, lindi që në kohën e Luftës I Botërore, kur në rezidencën aktuale të Shën Martës - në atë kohë spital - qindra njerëz u shtruan dhe u trajtuan nga mjekët vullnetarë të Urdhrit. Detyra e katër qendrave është të ndërhyjnë në rast emergjencash shëndetësore, t’i japin ndihmën e parë shtegtarit e, nëse është e nevojshme, të parashikojnë transportin në një nga spitalet romake.