Shtohen katolik?t n? bot?: jan? 1,4 miliard?
R.SH. – Vatikan
Që sot, gjenden në librari, Vjetari Papnor 2025 dhe Annuarium Statisticum Ecclesiae 2023, botuar nga Zyra Qendrore e Statistikave të Kishës në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Vjetari Papnor jep informacione për jetën e Kishës Katolike në botë gjatë vitit 2024, ndërsa Annuarium Statisticum Ecclesiae (Vjetari Statistik Kishtar) u referohet statistikave të veprimtarisë baritore të Kishës për vitet 2022-2023.
Shtohet popullsia katolike në botë
Pikërisht gjatë këtij dyvjeçari, popullsia katolike e botës u shtua me 1,15%, duke kaluar nga 1 miliard e 390 milionë në 1 miliard e 406 milionë. Shpërndarja e katolikëve të pagëzuar është e ndryshme, në zona të ndryshme gjeografike. Në Afrikë banojnë 20% e katolikëve të botës e, pikërisht në këtë kontinent, katolikët shtohen më shumë, me 3,31%. Ndër vendet afrikane, Republika Demokratike e Kongos ruan vendin e parë për numrin e katolikëve të pagëzuar me gati 55 milionë vetë, e ndjekur nga Nigeria me 35 milionë e pastaj, nga Uganda, Tanzania dhe Kenia.
Numri katolikëve shtohet me 0,9% në Amerikë, por në të banojnë 47,8% e katolikëve të planetit. Në krye, Brazili, me 13% të popullsisë katolike globale. Në të njëjtin dyvjeçar 2022-2023, katolikët në Azi shtohen me 0,6%, me Filipinet ku banojnë 93 milionë prej tyre e me Indinë, që arrin në 23 milionë. Evropa, pavarësisht se në të banon 20,4% e bashkësisë katolike botërore, konfirmohet si rajon më pak dinamik, me një rritje prej 0,2%. 39,6% e popullsisë evropiane është katolike, shumica e së cilës në Itali, Poloni e Spanjë. Shtohet edhe numri i katolikëve në Oqeani, me 1,9% në krahasim me vitin 2022. Gjithsej, në këtë kontinent, Kisha numëron pak më shumë se 11 milionë të pagëzuar.
Më shumë meshtarë në Afrikë dhe Azi, më pak në Evropë, Oqeani dhe Amerikë
Numri i ipeshkvijve në botën katolike është rritur me 1,4% gjatë dyvjeçarit në fjalë, duke kaluar nga 5.353 në 5.430, më shumë në Afrikë e Azi. Në fund të vitit 2023, në botën katolike numëroheshin 406.996 meshtarë, me një rënie prej 734 vetësh në krahasim me vitin 2022. Analiza sipas zonave gjeografike nxjerr në pah një rritje në Afrikë (+2,7%) dhe Azi (+1,6%) dhe një rënie në Evropë (-1,6%), Oqeani (-1,0%) dhe Amerikë (-0,7%). Ndërkaq, diakonët e përhershëm po shtohen me shpejtësi. Në vitin 2023, numri i tyre arriti në 51.433 vetë, me një rritje prej 2,6% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ritme të konsiderueshme rritjeje vërehen në Oqeani (+10.8%) dhe Amerikë (+3.8%), ndërsa lehtësisht në rënie regjistrohen në Afrikë dhe Evropë. Vijon, edhe në vitin 2023, rënia e numrit të murgeshave e të rregulltarëve, por me një ritëm më pak intensiv. Murgeshat janë pakësuar me 1,6%, kryesisht, për shkak se shumica kanë qenë në moshë të shtyrë e janë ndarë nga kjo jetë. Gjithsesi, numri i tyre e kapërcen me 45% atë të meshtarëve, prandaj, vazhdojnë të mbeten një prani tejet e rëndësishme në çdo bashkësi kishtare.
Ndryshime në numrin e thirrjeve në meshtari
Prirja e pakësimit të thirrjeve, vërejtur që nga viti 2012, konfirmohet në të gjithë botën. Kandidatët për meshtari kanë kaluar nga 108.481 vetë në vitin 2022 në 106.495 vetë më 2023, me një variacion prej -8%. Kjo rënie prek të gjitha kontinentet, me përjashtim të Afrikës, ku seminaristët janë shtuar me 1,1%. Në Evropë, Azi dhe Amerikë uljet janë të ndjeshme: -4,9% në Evropë, -4,2% në Azi dhe -1,3% në Amerikë. Edhe për shkak të shpërndarjes së ndryshme të thirrjeve në krahasim me kontinentet e tjera, në Evropë e në Amerikë rezulton më e vështirë për Kishën t’u përgjigjet nevojave të katolikëve, sidomos kërkesës për qarkullimin breznor të meshtarëve, për shkak të moshës së tyre të shtyrë.