Parlamenti ?ek miraton marr?veshjen ligjore me Selin? e Shenjt?
R.SH. / Vatikan
Dhoma e Deputetëve e Parlamentit çek të enjten, 6 mars, dha pëlqimin për ratifikimin e Marrëveshjes Juridike të Republikës Çeke me Selinë e Shenjtë për disa çështje juridike. Në traktat pohohet se Republika Çeke garanton lirinë e plotë të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë në përkim me sistemin ligjor duke garantuar edhe të drejtën për mospranimin e shërbimit ushtarak dhe shërbimeve mjekësore për arsye ndërgjegjeje ose feje, në kushte ligjore. Sipas traktatit, martesat e lidhura në Kishën Katolike kanë të njëjtën vlerë dhe të njëjtat pasoja juridike, si martesat civile. Republika Çeke dhe Kisha Katolike do të bashkëpunojnë në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Shënimi i ipeshkvijve
Konferenca Ipeshkvnore e Kishës katolike Çeke mirëpret faktin që të dyja Dhomat e Parlamentit shprehën mendimin e tyre pozitiv për traktatin dhe, në një deklaratë, thekson: "Kisha Katolike Çeke e provon çdo ditë se parimet e lirisë fetare, si në nivel individual, ashtu edhe kolektiv - të garantuara, për shembull, nga Karta e të drejtave dhe lirive themelore ose nga Konventa e të drejtave të njeriut dhe të lirisë - kanë vend të patundshëm e të padiskutueshëm në rendin juridik çek. Traktati me Selinë e Shenjtë e konfirmon këtë fakt, pa kërkuar ndryshime të legjislacionit kombëtar”.
Njohja e dinjitetit njerëzor
Ipeshkvijtë ripohojnë se "përfitues të parë të mbrojtjes së Marrëveshjes Juridike janë qytetarët, jo Kisha si institucion. Kjo ide qendrore e Marrëveshjes theksohet veçanërisht në nenet që kanë të bëjnë me kujdesin e të sëmurëve, të personave të vendosur në institucione të shërbimit social ose në burgje. Besojmë se ratifikimi i Marrëveshjes Juridike mund të ketë impulse të dobishme në rrugën e përbashkët të Kishës dhe të Shtetit - secili në sferën e kompetencave të veta - të impenjuar në njohjen e plotë të dinjitetit të njeriut.
Frika dhe shqetësimet
Në të njëjtën komunikatë, Konferenca Ipeshkvnore e Kishës katolike Çeke nënvizon se “shqetësimet për shpërdorimin e institucionit të vulës sakramendore dominuan në diskutimet që i paraprinë votimit, madje disa argumentuan gabimisht se një konfidencialitet i tillë u shtri edhe tek të tjerët”. Ipeshkvijtë e mohojnë "këtë frikë" dhe qetësojnë "opinionin publik duke sqaruar se vula e sakramentit nuk ofron mundësinë për të mbuluar krimet në nivel institucional, siç pretenduan disa". Nga deklaratat publike bëhet e ditur se traktati do t'i kalojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.
Konferenca e Ipeshkvijve Çekë "e mirëpret këtë vendim në parim, pasi zëri i Gjykatës Kushtetuese do të ndihmojë në largimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë më efektive, sesa deklaratat dhe garancitë e përsëritura të autoriteteve kishtare".