Forca e baballar?ve p?r t? sapolindurit e shtruar n? spitalin Bambino Gesù
R.SH. – Vatikan
“Rikardi lindi më 19 dhjetor e një ditë pas lindjes, u transportua menjëherë në spitalin Bambino Gesù. Gruaja dhe unë e morëm vesh jo shumë kohë më parë se kishte një problem në zemër dhe se do t'i duhej të përballej me një operacion në një moshë kaq të vogël". Federik Porro, baba i ri nga Roma, ende ka vështirësi kur flet për rrugën drejt shërimit të vogëlushit të tij. Ndalet e merr frymë thellë, sheh përreth, duke kërkuar jashtë dritares së spitalit, ndoshta, ato shenja të pranverës, që të kujtojnë rilindjen. Rikardi është një nga të vegjlit e shtruar në repartin e Terapisë Intensive Neonatale. Fëmijëve si ai u kushtohet fushata për mbledhjen e fondeve, organizuar nga spitali pediatrik Bambino Gesù, me rastin e përkujtimit liturgjik të Shën Jozefit, ditë në të cilën, në vendet katolike kremtohet festa e baballarëve. Fushata ka si temë: "Afërsia jote, përqafimi i baballarëve edhe në spital".
Ndihmë jo vetëm për të sapolindurit, por edhe për prindërit
“Kur të sapolindurit mbërrijnë tek ne – shpjegon profesori Andrea Dotta, drejtor i Terapisë Intensive Neonatale – shpesh, në ditët e para, nuk është gjithmonë e mundur që nëna të jetë e pranishme, pasi mund të jetë ende e shtruar në spitalin ku ka lindur fëmijën, prandaj, baballarët bëhen një prani shumë e rëndësishme, një urë lidhëse ndërmjet nesh dhe nënës, që ka nevojë të qetësohet në një çast kaq delikat sa ai që po jeton, kur fëmija është i shtruar në spitalin tonë për mjekim”. Fëmijët që vijnë në “Bambino Gesù” nuk janë të gjithë nga Roma, por nga të gjitha anët, jo vetëm nga Italia, por edhe nga jashtë saj. Prindërit, shpesh, nuk kanë pika referimi dhe pas ditëve të para të qëndrimit në hotel, duhet të gjejnë një strehim më të qëndrueshëm, ku mund të rrinë edhe për periudha të gjata. “Spitali ynë – vazhdon profesor Dotta – ka një shërbim për mikpritjen. Këta njerëz detyrohen të bëjnë shpenzime shumë të mëdha e shumë ndryshime në jetën e tyre e në punë. Duhet t’u japim një dorë të paktën nga pikëpamja e strehimit”.
Të ndahen vuajtjet, por edhe çastet e gëzimit
Afërsia me spitalin i bën prindërit të ndihen më të qetë dhe më pozitivë edhe për shërimin e fëmijëve të tyre. “Kur mbërrita – pohon Federik Porro – isha i hutuar e madje, pak i frikësuar, atëherë unë dhe ime shoqe morëm guxim dhe filluam të përshtateshim me këtë situatë, duke u përpjekur të gjenim disa anë pozitive. E para ishte siguria se të tre do të dilnim së bashku nga spitali dhe do të fillonim jetën tonë të re si familje. Kjo na dha shumë forcë”. Në spital, Federiku dhe gruaja e tij u miqësuan edhe me familje të tjera, që po përjetonin situata të ngjashme. "Gjetëm miq të rinj - vazhdon Federiku - me të cilët mund të ndanim barrën tonë. Shpesh, i jepnim një dorë njëri-tjetrit". Tani, horizonti i kthimit në shtëpi, bashkë me Rikardin e vogël, është gjithnjë e më afër. “Nuk e kemi hequr ende pemën e Krishtlindjes – vëren babai duke buzëqeshur – po presim të shkojmë në shtëpi me Rikardin, sepse ai është dhurata më e mirë, që mund të na bënte jeta!”