Bota lutet p?r Pap?n, Kard. Comastri: “N?se ati vuan, edhe bijt? vuajn? me t?”
R.SH. / Vatikan
“Lutuni për mua”. Është shprehje, të cilën Papa Françesku na e mësoi që në daljen e tij të parë në Lozhën e Bekimeve të Bazilikës së Vatikanit, më 13 mars 2013, kur u duk para botës si Pasardhësi i Pjetrit. E pikërisht ai “shtegtim vëllazërimi, dashurie dhe besimi” me popullin e Zotit, i nisur me të atë mbrëmje, u forcua edhe tani, pas 38 ditësh shtrimi në spitalin Gemelli. E gjithë Kisha është kapur pas asaj “frymëmarrjeje të shpirtit”, siç e ka quajtur vazhdimisht Papa lutjen, për të qenë pranë tij në orët e provës!
Lutje mbi krahët e shqiponjës
Gjatë audiencës së përgjithshme, në vitin 2021, Papa Françesku i kushtoi lutjes dhe forcës së saj një seri katekizmash. Duke rikujtuar fjalët e tij, kupton se sa shumë "impuls, thirrje, këngë, poezi" por mbi të gjitha marrëdhënie me Hyjin Atë, ka ndër to. “Të mbështetura nga lutja e Jezusit, lutjet tona të ndrojtura - pati kujtuar Papa në audiencën e përgjithshme të 2 qershorit 2021- “mbështeten mbi krahët e shqiponjave dhe lartohen drejt qiellit”. Ndaj është gjë e bukur t’i përfytyrosh këto lutje që lartohen nga çdo cep i botës që nga fillimi i shtrimit të Papës në spital ku mesha, rruzaret dhe vigjiljet bashkojnë në një kor të vetëm thirrjen drejtuar Atit qiellor për shëndetin e Ipeshkvit të Romës.
Pamja e Papës të dielën, më 23 mars, në ballkonin e katit të dhjetë të spitalit Gemelli, u prit me një psherëtimë lehtësimi për shumë besimtarë që, duke e parë të kthehej në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, u ngushëlluan. Posaçërisht ata, që u lutën shumë për të. E shumë, në këta muaj, do të kenë rigjurmuar edhe në historinë e sprovave personale të Papës Françesku, do të kenë rijetuar dhimbjen dhe pritshmëritë e atyre që janë të sëmurë, do të kenë ndjerë frikë, vetmi dhe konfuzion, duke gjetur në lutje "një lloj linje muzikore" - siç pati nënvizuar ai në audiencën e përgjithshme të 9 qershorit 2021 - "për melodinë e jetës sonë". Kardinali Angelo Comastri thekson, për mediat e Vatikanit, vlerën e lutjes korale, lartuar drejt qiellit për Papën, në këto kohë sprove.
E pyetëm: “Çfarë kuptimi kishte, sipas jush, ky çast?”.
Lutja për Papën ishte dhe është para së gjithash, gjest dashurie bijnore. Kur ati vuan, fëmijët vuajnë me të dhe takimi bëhet në lutje. Vetëm ky fakt ka rëndësi të madhe, sepse bashkon grigjën rreth bariut dhe kështu përmbush lutjen e Jezusit, i cili pikërisht në Çenakull u lut kështu: “O Atë, bëj të jemi një gjë e vetme, që bota të besojë se Ti më dërgove”. Kjo lutje korale është shembull i bukur i unitetit në Kishë.
Në historinë e Papës, në provën e sëmundjes, shumë e njohën mirë vetveten. Shumë iu drejtuan lutjes, që është besim, por edhe mall për Zotin. Lutemi shpesh në kohë vështirësish, por rrallëherë kur çdo gjë shkon mirë. Pse mendoni se lutja gjatë sëmundjes ka një peshë të ndryshme?
Lutja ka gjithnjë peshë të madhe, në sëmundje a në shëndet. Shën Tereza e Lisieux, shenjte që nuk u largua kurrë nga kuvendi i motrave rregulltare dhe u shpall shenjte, Pajtore e misioneve, kujtoi se një i ditur pati thënë: "Më jep një levë, një pikëmbështetjeje dhe do të lëvizi botën". Shën Tereza, me buzë në gaz, kishte komentuar se atë që Arkimedi nuk kishte mundur ta merrte, sepse kërkesa e tij nuk i drejtohej Zotit dhe shprehej vetëm nga pikëpamja materiale, shenjtorët e kishin marrë plotësisht. Ua kishte dhënë i Gjithëpushtetshmi vetë, si pikë mbështetjeje dhe si levë lutjeje: lutje që të ndez zjarrin e dashurisë. Kështu bëjnë shenjtorët që luten e lartojnë botën, kështu e lartojnë shenjtorët e militantët e Kishës, kështu shenjtorët e ardhshëm do ta lartojnë përsëri, deri në fund. Nënë Tereza thoshte se Jezusi flijonte edhe bamirësinë për lutjen, për të na mësuar se pa Zotin jemi shumë të varfër, që të mund t’i ndihmojmë të varfërit. Ja pse lutja është limfa, e cila e mban gjallë Kishën, e mban gjallë edhe çdo besimtar.
Shkëlqesi, Papa ka thënë disa herë se lutja, përveçse uratë, psalm e edhe këngë e thirrje, është zinxhir jete. Në çfarë mënyre është…?
Sigurisht që është zinxhir jete, sepse na vë në bashkësi me Jezusin, i cili ka thënë: “Unë jam udha, e vërteta e jeta”, e jeta e Zotit është dashuri. Kur lutemi, krijohet një hapësirë ??në zemrën tonë, hapësirë ??për Zotin, e jeta e Zotit, që hyn në ne, është jeta e dashurisë. Kjo, arsyeja pse kur lutja është e vërtetë, lulëzon gjithnjë në bamirësi, gjithnjë! Nënë Tereza thoshte se nuk është punonjëse sociale, por e krishterë që lutet dhe, duke iu lutur Jezusit, vë në zemër dashurinë e tij, jetën e tij në zemrën e saj, për t'ua çuar, pastaj, të gjithë atyre, që takon. Lutja, kur është e vërtetë, shndërrohet gjithnjë në bamirësi!
Duke qenë dëshmitar i kësaj lutjeje korale në lidhje me shëndetin e Papës, a ka ndonjë lutje të veçantë për sëmundje?
Mora guximin t'i shkruaja një lutje Zojës Mari për të sëmurët, e krijova pasi vizitova spitalin Campus Biomedico në Romë, duke shkuar për të vizituar të sëmurët dhe veçanërisht të sëmurët rëndë e, sapo u ktheva, u gjunjëzova në Kishë dhe kompozova këtë lutje për të sëmurët. Thotë kështu:
“O Mari, nënë e të sëmurëve,
të lutemi të jesh pranë të gjithë të sëmurëve në botë:
pranë atyre, që në këtë çast humbën ndjenjat dhe janë gati të vdesin,
e atyre, që janë në agoni;
atyre, që kanë humbur çdo shpresë për shërim,
e atyre që bërtasin a qajnë të pushtuar nga dhimbjet;
atyre, që nuk mund të ndihen të qetë kur punojnë,
e atyre që kërkojnë më kot një skaj më pak të dhimbshëm në shtrat,
atyre që kalojnë netët pa gjumë
e edhe atyre që duhet të heqin dorë
nga planet më të dashura për të ardhmen;
veçanërisht atyre që nuk besojnë në një jetë më të mirë,
që rebelohen dhe mallkojnë Zotin,
që nuk e dinë se Krishti vuajti si ata dhe për këta njerëz,
që kanë një nevojë të veçantë për lutje!
O Mari, Nëna e të sëmurëve,
e në këtë natë, e gjithë të sëmurëve të botës:
teri lotët e tyre, sepse vetëm ti je e aftë
për t’i terë lotët e botës. Amen".