At? Pasolini: jeta e amshuar nuk ?sht? vet?m “nj? shp?rblim i ardhsh?m”, por realitet p?r t? zgjedhur tani
R.SH. / Vatikan
Sfida e vërtetë e udhëtimit tonë tokësor nuk është vetëm të kalojmë vdekjen, por të pranojmë se jeta e amshuar fillon që tani. Shpesh mashtrohemi se ekzistojnë vetëm dy kategori njerëzish: të gjallët dhe të vdekurit. Ungjilli i Gjonit (Gjn 11, 1-43), me ringjalljen e Lazrit, sfidon këtë vizion: të vdekurit e vërtetë nuk janë vetëm ata që nuk marrin më frymë, por edhe ata që janë të bllokuar nga frika, turpi dhe kontrolli. Lazri, i mbështjellë me fasha që kufizojnë çdo lëvizje, na përfaqëson të gjithëve kur e lejojmë veten të mbytemi nga pritjet dhe modelet e ngurta, duke humbur kontaktin me lirinë tonë të brendshme.
Marta dhe Maria, përballë vdekjes së vëllait të tyre, shprehin një fe të kushtëzuar: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur” (Gjn 11,21). Ky mentalitet pasqyron idenë e një Zoti që duhet të ndërhyjë gjithmonë për të na kursyer dhimbjen. Por Jezusi nuk erdhi për të eliminuar vuajtjet, por për ta transformuar atë: “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11.25). Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është nëse do të vdesim, por nëse tani po jetojmë me të vërtet, në besim te Krishti dhe fjala e tij.
Kjo sfidë shfaqet edhe në episodin e gruas që vuan nga gjakderdhja, një grua që është e sëmurë që dymbëdhjetë vjet dhe që, pavarësisht gjithçkaje, guxon të prekë mantelin e Jezusit për të kërkuar shërim (Mk 5,25-34). Gjendja e saj përfaqëson mbarë njerëzimin: ne kërkojmë ilaçe, kërkojmë jetën, por shpesh mbështetemi te idhujt e rremë që na lënë të zbrazur. Vetëm kontakti me Krishtin mund të sjellë shërimin e vërtetë, i cili nuk është vetëm fizik, por edhe i brendshëm: aftësia për të besuar dhe për t'u ndjerë i mirëpritur.
Jezusi i thotë asaj: “Bijë, feja jote të shpëtoi!” (Mk 5,34), duke treguar se shpëtimi nuk është një ndërhyrje e jashtme e Zotit, por shprehet në aftësinë për t'u hapur ndaj pranisë së tij. E njëjta gjë vlen edhe për sakramentin e rrëfimit dhe për çdo përvojë pajtimi që përjetojmë: një akt formal nuk mjafton, zemra jonë duhet të rizbulojë besimin te një Zot që me të vërtetë dëshiron që ne të jetojmë.
Shenja e Lazrit dhe shërimi i gruas nga derdhja e gjakut na shtrojnë një pyetje rrrënjësore: jemi ne njerëz që vdesim duke pritur fundin e ekzistencës apo jemi njerëz të gjallë që tashmë kemi filluar të përjetojmë ringjalljen? Jeta e përjetshme nuk është thjesht një shpërblim në të ardhmen, por një realitet që ne mund ta zgjedhim tani, duke jetuar me liri, shpresë dhe besim te Zoti që na thërret në plotësi të jetës.