Shkalla me t? cil?n Krishti u ngjit gjat? Mundimeve e vendi m? i shenjt? n? bot?
R.SH. / Vatikan
Është Shenjtërorja e Mundimeve të Krishtit par excellence. Ndodhet pak hapa larg Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran ku deri në shekullin e 14-të, para veprimtarisë Avinjoneze, ishte Patriarkana, selia e lashtë zyrtare e Papës së Romës. Aty ruhen njëzet e tetë këmbët e shkallës që, sipas traditës, janë si ato të Pretoriumit të Poncit Pilat, transportuar në Romë nga nëna e perandorit Kostandin, Shën Helena. Gruaja, e konsideruar si arkeologia e parë e krishterë, gjatë udhëtimit të saj në Tokën Shenjte ndërmjet viteve 327 dhe 328, bëri kërkime të shumta për të gjetur vendet e jetës së Jezusit.
Për t’i ruajtur “in perpetuum” Shkallët Shenjte, që në vitin 1854, sipas dëshirës së Piut IX, Rregulltarët Pasionistë, karizma e të cilëve është "të mbrojnë kujtimin e mundimeve të Zotit", që nga viti 1854 i ruajnë shkallët e shenjta "në përjetësi", si "vepra më e madhe dhe më e mrekullueshme e dashurisë hyjnore", siç thoshte themeluesi, Shën Pali i Kryqit.
Për Jubileun priten një milion vizitorë
E lëmë pas trafikun e dendur urban që karakterizon Sheshin e Shën Gjonit në Lateran dhe të nisemi në këmbë drejt këtij vendi të nderuar dhe të vizituar prej shekujsh prej një mori shtegtarësh, nga e gjithë bota. Në heshtjen e kuvendit ngjitur, porositur 150 vjet më parë nga Papa Mastai, na mirëpret rektori, Atë Leonello Leidi: “Përgjithësisht këtu në një vit kalojnë gjysmë milioni vizitorë. Këtë vit besojmë se do të arrijnë një milion” - komenton ai, duke ilustruar edhe nismat e ndryshme të planifikuara për Vitin Shenjt. Ndërmjet të gjithave, kremtimi i Via Crucis- Udhës së Krygjës dhe Mesha ndërkombëtare çdo të premte pasdite, përveç muajve korrik e gusht.
Transporti u krye gjatë natës.
“Shenjtërorja – shpjegon meshtari – daton në kohën e Papës Sixtus V, i cili e themeloi në vitin 1590 me bulën papnore Cum rerum singolarum. Një vit më parë, Papa kishte porositur arkitektin e tij të besuar Domenico Fontana që, brenda një nate siç tregojnë kronikat, të zhvendoste Shkallët e Shenjta nga ana veriore e Patriarkanës së lashtë, në vendin ku ndodhen sot, në mes të katër shkallëve të tjera. Kemi të dhëna të sigurta se që nga viti 1000 këto 28 këmbë shkallësh u ngjitën nga shtegtarët, si ato që i pati ngjitur disa herë vetë Krishti, kur u gjykua dhe u dënua me vdekje në pretoriumin e Jeruzalemit.
Shenjat e gjurit, të gdhendura në mermer
Sipas një tradite të lashtë, Shkallët e Shenjta mund të ngjiten vetëm në gjunjë. Shenja e qartë e kalimit të brezave të tëra të shtegtarëve janë gjurmët e gdhendura me gjunjë mbi shkallët e mermerit, të mbuluara me dru arre në 1724 nga Papa Inocenti XIII. “Ngjitja është shumë e lodhshme, - pranon Atë Leidi, - ky ushtrim asketik ka për qëllim të nënkuptojë një akt pendese: identifikim me Mundimet e Krishtit.
Pikat e gjakut të Krishtit
Në shkallën e parë, të njëmbëdhjetë dhe të fundit, rektori i shenjtërores vë në dukje praninë e disa vrimave të xhamit, përtej të cilave dallohen kryqe prej bronzi dhe mermeri: “Sipas një tradite të zhvilluar në mesjetë, në disa shkallë ka pika të gjakut të Krishtit pas rrahjes me kamxhik.
Ato pika, sot të padukshme, janë ende objekt devocioni për shtegtarët që ndalojnë këtu e mbështesin kokat apo objektet fetare: nën mbulesën prej druri, të hequr gjatë punimeve të restaurimit kryer nga mjeshtrat, u rigjetën kryqa, rruzare, fotografi të shenjtorëve ose fotografi të njerëzve të dashur, për të cilët kërkohet një hir i veçantë.
Rrugë pendestare për të gjithë
Gjatë së njëjtës ndërhyrje për ruajtje, kryer nga punëtorët e Muzeumeve të Vatikanit e financuar nga "Patrons of the Arts in the Vatican Museums” (Zotërinjtë e Arteve në Muzetë e Vatikanit), në një nga katër shkallët e ndërtuara rreth Shkallëve të Shenjta u instalua një ashensor tjetër shkallësh për t’i ndihmuar njerëzit me vështirësi ta bëjnë këtë shtegtim të jashtëzakonshëm, që të ngacmon fantazinë duke e mbartur në kohë kryqëzimesh dhe të dhuron ndjesën e plotë, sipas kushteve të caktuara. (Lutja për Papën), çdo ditë të vitit, përtej Jubileut.
Art, që favorizon fenë
Soditja gjatë ngjitjes së dy shkallëve anësore ndihmohet nga 75 skena të mrekullueshme biblike, të afreskuara në mure dhe qemer në shekullin e 16-të, porositur nga Sixtus V të paktën 12 piktorëve të ndryshëm: një Biblia Pauperum që e ndihmon shtegtarin të zhytet në historinë e shëlbimit. Një aparat i pasur dekorativ prej 33 afreskesh, që përshkruajnë Mundimet e Krishtit stolis shtegun e Shkallëve Shenjte. Sipërfaqja totale e lyer në Sanctuar është 1700 m2. Ngjitim në gjunjë 28 këmbët e shkallëve dhe, falë këtyre veprave, e kemi më të lehtë t’i meditojmë dhimbjet e Shëlbuesit.
Bonifaci VIII konceptoi jubileun
Pasi ngjitja të përfundojë, ju arrini në zemër të Shenjtores: tek Kapela e Shën Lorencit në Palatio, e njohur si "Sancta Sanctorum". Fillimisht e përfshirë në Patriarkanën, e përmendur për herë të parë në Liber Pontificalis të shekullit të tetë, ajo ishte kapela private e Papës. Atë Leidi e quan "kapela Sikstine e ditëve të para", ku "kremtoheshin disa funksione të Javës Shenjte". Ishte pikënisja e "proçesionit që e çonte Papën e sapozgjedhur në fronëzimin e tij në Bazilikën e Shën Gjonit". “Mund ta imagjinojmë - vëren rektori i shenjtërores së Shkallës Shenjte - se në këtë vend Bonifaci VIII konceptoi idenë e Jubileut të parë të vitit 1300”.
Kapela Private e Papëve
Kapela mbyllet nga një derë masive prej bronzi e cila, pasi të kalohet, të çon në një mjedis të zbukuruar me elemente gotike dhe afreske të shkollës romake, porositur nga Papa Nikolla III. Nën këmbët tona, dyshemeja Cosmatesque, e përbërë nga një mozaik prej porfiri, graniti dhe mermeri me ngjyra nga monumentet antike të epokës perandorake, shtrihet si një qilim i çmuar.
Figurja, që nuk është pikturuar nga dorë njeriu
Sapo hyni në kapelë, sytë tuaj ngulen mbi një ikonë të lashtë të Krishtit në fron, mbuluar me pllaka të çmuara argjendi qysh në vitet e para të mijëvjeçarit të dytë. Realizimi i saj mund të datohet nga fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit të 6-të. Ikona është nderuar gjithmonë si "Shën Shëlbuesi”, titulli i Bazilikës së afërt Lateranense. Të mbuluar me mister janë autori, origjina dhe ardhja në Romë e kësaj ikone, që një legjendë e lashtë e quan vepër të nisur nga Shën Luka ungjilltar e të përfunduar nga engjëjt: quhet "acheropita", ose "e papikturuar nga dora e njeriut".
Në shekujt e kaluar, në mëngjesin e Pashkëve, Papët shkonin në "Sancta Sanctorum" për të qenë të pranishëm në Anastasis, hapjen e dyerve që mbyllnin ikonën, rit që të kujton daljen e Krishtit nga varri. Për më tepër, në natën e 14 gushtit, në prag të solemnitetit të Zojës, Portreti i Shëlbuesit u mbart në procesion përmes Forumit Romak - në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe ku, në dritën e parë të agimit, u takua me ikonën e "Salus Populi Romani".
Altarë të sigurt
Poshtë figures së nderuar pason një altar impozant nga epoka karolingiane, mbi të cilin vetëm Papa mund të festojë: duket si kasafortë e mbyllur me dyer bronzi dhe e rrethuar nga një grilë masive hekuri, e siguruar nga një sistem shumë kompleks dryrësh. Pas dyerve prej bronzi të shekullit të 13-duken figurat e shenjtorëve Pjetër dhe Pal, në kujtim të dy kokave të Apostujve që dikur ruheshin këtu. Brenda është një arkë me dru selvie nga koha e Leonit III, me relike të shumta shenjtorësh nga shekujt e parë të krishterimit dhe të tjera që lidhen me jetën e vetë Jezu Krishtit: nga sandalet e Zotit tonë, deri te kokat e shenjtorëve Agnes dhe Praxedes. Ato ruheshin në relikuare dhe vitrina të çmuara mesjetare, të cilat që nga viti 1905 u ekspozua në Muzeun e Shenjtë të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, sot pjesë e itinerarit të vizitave të Muzeve të Vatikanit nën përgjegjësinë e Departamentit të Arteve Dekorative.
Fragment i triklinit të Darkës së Mbrame
Në murin përballë derës së hyrjes së kapelës, ruhet një fragment druri në një relikuar prej druri dhe kristali, të cilin tradita e identifikon si pjesë të triklinio-s, mbi të cilin Jezusi qe shtrirë gjatë Darkës së Mbrame, të Enjten e Madhe.
Heshtja dhe misteri i rrethojnë ata që hyjnë në këtë mjedis, ku ndjehet fort aroma e shenjtërisë së përjetshme. “Non est in toto sanctior orbe locus” lexohet përgjatë murit: “Nuk ka vend më të shenjtë se ky në botë”.