Selia e Shenjt? mb?shtet solidaritetin dhe kohezionin social
R.SH. / Vatikan
Solidariteti, përfshirja sociale, kohezioni social, familja: këto janë temat e trajtuara nga Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB- së, në fjalimin e tij në sesionin e 63-të të Komisionit për Zhvillimin Social.
Solidariteti - tha prelati - është "themelor për ndjekjen e zhvillimit social dhe të qëndrueshëm. Solidariteti është përkushtim aktiv ndaj së mirës së përbashkët, bazuar në natyrën e qenësishme shoqërore të personit njerëzor dhe në dinjitetin e barabartë që Zoti u jep të gjithëve. Solidarieti realizohet "vetëm në masën që përfshin të gjithë anëtarët e familjes njerëzore. Ata që jetojnë në varfëri - shtoi imzot Caccia - luftojnë për të kënaqur nevojat e tyre parësore, jetike. Ata jetojnë në situata të vështira, si të moshuarit, të palindurit, invalidët dhe janë të përjashtuar nga 'kultura e hedhurinave'".
Përfshirja sociale
E shprehur shpesh si një angazhim për të mos lënë askënd pas, "përfshirja sociale kërkon investime në zhvillimin integral të të gjithë njerëzve që të gjithë të përparojnë. Politikat efektive për zhdukjen e varfërisë – tha Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së - janë thelbësore, siç është garantimi i arsimit cilësor për të gjithë dhe promovimi i ndjenjës së përgjegjësisë së përbashkët për njëri-tjetrin dhe për komunitetin. Të gjitha përpjekjet duhet t'u kushtojnë vëmendje të veçantë të varfërve dhe të pambrojturve, në përputhje me angazhimin për t'u përpjekur për të arritur ata persona, që janë më të mënjanuar dhe mbeten mbrapa'.
Imzot Caccia kujtoi se "megjithëse jemi të ndërlidhur, bota jonë është gjithnjë e më e fragmentuar, për shkak të polarizimit dhe humbjes së besimit si te institucionet ashtu edhe te bashkëqytetarët. Përgjigja ndaj këtyre sfidave kërkon një angazhim të ripërtërirë për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët'.
Familja dhe kohezioni social
Në këtë kuadër, është thelbësore të forcohet kohezioni social: "Në qendër të secilës prej këtyre temave është familja" e cila është "shkolla e një humanizmi më të thellë" dhe, siç thekson Papa Françesku, është "vendi i parë ku vlerat e dashurisë dhe vëllazërisë, bashkimit dhe bashkëndarjes, vëmendjes dhe kujdesit për të tjerët jetohen dhe transmetohen". "Selia e Shenjtë u kërkon shteteve të promovojnë, të respektojnë jetën familjare dhe të promovojnë kushte më të mira për formimin e familjes". Ajo "është e vendosur - përfundon imzot Caccia - të punojë për të forcuar solidaritetin, përfshirjen sociale dhe kohezionin social në shërbim të së mirës së përbashkët dhe zhvillimit integral njerëzor të çdo personi".