Selia e Shenjt?: lufta kund?r antisemitizmit n? bot?, e zgjeruar sot nga mediat sociale
R.SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë është “thellësisht e shqetësuar për rritjen e antisemitizmit” në botë dhe në veçanti për mënyrën se si ky problem manifestohet në internet dhe përforcohet nga Inteligjenca Artificiale. Kështu thuhet në një deklaratë të Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OSBE–së, lexuar nga don Domenico Vitolo, sekretar i Nunciaturës Apostolike në Vendet Nordike, në Konferencën për luftën kundër antisemitizmit në rajonin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila u zhvillua në Helsinki më 10 dhe 11 shkurt. Në veçanti, Selia e Shenjtë thekson rëndësinë e rolit të arsimit dhe të “ekspertëve në sektorin teknologjik” në luftimin e “injorancës, paragjykimeve dhe stereotipeve”, për të gjeneruar “një ndjenjë respekti për komunitetet hebraike” dhe për të krijuar një teknologji që i shërben “dinjitetit njerëzor”.
Një problem i përhapur nga interneti
Deklarata thekson se të dhënat e deritanishme konfirmojnë një rritje në botë “të intolerancës" së motivuar nga antisemitizmi, veçanërisht pas sulmeve të 7 tetorit dhe me konfliktin në Gaza, i cili “shkaktoi një valë diskriminimi dhe urrejtjeje antisemite dhe antimuslimane”. Antisemitizmi sot manifestohet në mënyra të ndryshme, siç është për shembull “mohimi”, “banalizimi” ose “minimizimi” i Holokaustit, ose “justifikimi i episodeve të urrejtjes kundër Hebrenjve”, apo edhe “rritja e lëvizjeve që kanë në shënjestër hebrenjtë dhe nxisin ndjenja urrejtjeje kundër tyre dhe, mbi të gjitha, vrasje”.
Deklarata paralajmëron se shprehjet rreth këtij problemi gjejnë më shumë hapësirë përmes internetit, mediave sociale dhe inteligjencës artificiale: “Përmbajtja antisemite në mediat sociale ka një publik global dhe mund të bëhet lehtësisht virale falë amplifikimit algoritmik, me një efekt shumëfishues të paprecedentë”, thuhet në deklaratë.
“Ky fenomen shqetësues rëndohet nga Inteligjenca Artificiale që mund të gjenerojë ‘përmbajtje të manipuluar dhe informacione të rreme të cilat mund të mashtrojnë lehtësisht njerëzit për shkak të ngjashmërisë së tyre me të vërtetën, me qëllim të mashtrimit ose shkaktimit të dëmeve’, vazhdon deklarata, duke cituar dokumentin e fundit të Dikasterit të Vatikanit për Doktrina e Fesë dhe Dikasterin e Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin ” Antiqua et Nova. Shënim mbi marrëdhëniet ndërmjet inteligjencës artificiale dhe inteligjencës njerëzore”.
Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen off-line dhe on-line
Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OSBE-së rithekson se “liria e shprehjes, si çdo e drejtë tjetër e njeriut, përfshin përgjegjësi që nuk mund të anashkalohen” dhe se “të njëjtat të drejta që njerëzit kanë off-line duhet të mbrohen on-line”. Selia e Shenjtë nënvizon, pra, se “kundërshtimi i urrejtjes kibernetike dhe ”gabimeve“të krijuara nga AI kërkon impenjimin e ”ekspertëve të sektorit teknologjik“, veçanërisht të atyre që ofrojnë shërbime interneti dhe media sociale, në mënyrë që të jenë në gjendje të krijojnë një teknologji në shërbim të ”dinjiteti njerëzor“ që promovon ”paqen dhe jo dhunën“. Një instrument që mund të ndihmojë në luftimin e këtij fenomeni janë “kodet e sjelljes”, nëse zbatohen siç duhet, si dhe ndërhyrja e shtetit në rrethanat që e kërkojnë atë. Selia e Shenjtë ngul këmbë mbi përgjegjësinë e secilit, që do të thotë “aftësi për të reaguar”. Nuk është fjala vetëm për të analizuar shkaqet e dhunës e për të refuzuar logjikën e saj perverse, por për të qenë gati dhe aktivë në përgjigje.