RD e Kongos, Comece: BE duhet t? nd?rhyj? urgjentisht p?r t? ndaluar "katastrof?n"
R.SH. – Vatikan
“Trishtim i thellë”, por edhe thirrje për ndërhyrjen urgjente të Bashkimit Europian dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndalet konflikti në Republikën Demokratike të Kongos. Një proces që, sipas presidentit të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE), imzot Mariano Crociata, duhet të sigurojë fundin e mbështetjes "së supozuar" të Ruandës për milicitë rebele M23. Këto janë dy mesazhet kryesore të deklaratës së botuar nga imzot Crociata në prag të votimit në Parlamentin Evropian të një rezolute, që synon zgjidhjen e "shkallëzimit të dhunës" në lindje të vendit afrikan.
“Katastrofa”, që shkaktoi 3 mijë të vdekur
Kohët e fundit, në rajonin e Kivu-së veriore, rebelët M23 kanë marrë nën kontroll qytetin e Gomës. Gjendja konsiderohet “katastrofike” nga imzot Crociata, i cili kujton të dhënat e OKB-së: deri tani, numërohen afërsisht 3 mijë të vdekur dhe mbi një milion civilë të shpërngulur. Ndërhyrja e imzot Crociata u bë pas “dëshmisë prekëse” të imzot Willy Ngumbi Ngengele, ipeshkvit të Gomës, në Sekretarinë e COMECE-së. Presidenti shprehu kënaqësinë për ndihmat e fundit humanitare për RD të Kongos, miratuar nga Brukseli, me vlerë prej 60 milionë eurosh. Gjithashtu, përkrahu “road map” të Kishave lokale katolike dhe protestante “për t’i dhënë fund dhunës dhe për të promovuar bashkëjetesën paqësore e kohezionin social".
"Të garantohet mbrojtja e civilëve"
Në mesazhin e tij, imzot Crociata bën thirrje për "mbrojtjen e civilëve", të cilëve duhet t’u sigurohet mundësia për të marrë ndihma. Gjithashtu, u kërkon autoriteteve lokale dhe bashkësisë ndërkombëtare "të bëjnë gjithçka munden për ta zgjidhur konfliktin me mjete paqësore". Përfshirja "e supozuar" e Ruandës në mbështetjen e rebelëve, nënvizon presidenti i Comece-së, do të ishte "shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar". Thirrja drejtuar institucioneve ndërkombëtare është e qartë: mos i kompromentoni “vlerat dhe parimet” dhe, nëse është e nevojshme, miratoni sanksione, që marrin parasysh bashkëpunimin ekonomik. Në veçanti, prelati tërheq vëmendjen për shfrytëzimin e minierave të RD të Kongos, ndër shkaqet e konfliktit, duke shpresuar për një transparencë më të madhe në këtë sektor.