Mons. Polvani: IA do t? sjell? ndryshime t? ngjashme me ato t? Revolucionit Industrial
R.SH. – Vatikan
Një “moment historik”, një “revolucion” i vërtetë i krahasueshëm me atë industrial të shekullit XIX. Një ndryshim epokal, në të cilin Kisha propozohet si bashkëbisedues aktiv, me synimin për të ruajtur centralitetin e njeriut, duke përdorur teknologji të reja për ta përhapur Fjalën e Zotit në mënyrë të re. Pikërisht sot e nesër (10-11 shkurt), në Paris, mbahet Takimi ndërkombëtar « AI Action Summit », që mbledh më se një mijë ekspertë të sektorit për të përcaktuar bazën e përdorimit global të Inteligjencës Artificiale. Imzot Carlo Maria Polvani, Sekretar i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, një nga redaktorët e Notës « Antiqua et Nova » mbi këtë teknologji të re, hartuar nga Dikasteri i tij së bashku me atë për Doktrinën e Fesë, u intervistua nga media e Vatikanit mbi ndikimin që Inteligjenca Artificiale mund të ketë në të ardhmen e bashkësisë së krishterë dhe, në përgjithësi, në të ardhmen e njerëzimit.
Si do ta përkufizonit ndikimin e revolucionit të Inteligjencës Artificiale dhe ç’qëndrim duhet të mbajë Selia e Shenjtë?
Kur Makiaveli shkruante « Princin », Shën Erazmusi mendonte për « Humanizmin », Evropa zbulonte Amerikën dhe spanjollët dhe portugezët arrinin në Indi. Pyetja është: a e kuptojnë shoqëritë se po jetojnë një çast historik? Jemi në mes të këtij momenti. Mund ta kuptojmë ç’ndikim do të ketë Inteligjenca Artificiale për planetin dhe njerëzimin, duke përdorur si analogji çka solli Revolucioni Industrial që nga viti 1800 e tutje. Jemi përpara ndryshimeve shumë të mëdha, të krahasueshme me tronditjet sociologjike dhe antropologjike të asaj kohe. Sa do të jetë ndryshimi është më e vështirë të parashikohet: a do të jetë dhjetë herë më i madh, njëqind herë më i madh apo një mijë herë më i madh? Me Inteligjencën Artificiale dhe me të ashtuquajturat NBIC – akronim për fusha si Nanoteknologjia, Bioteknologjia, Teknologjia e informacionit dhe Shkencat kognitive - qëndrimi më ekstrem është të mendosh se njeriu po bëhet qenia e parë në këtë planet, zot i fatit të vet nga pikëpamja e evolucionit. Arsyeja e do që nuk do të jemi në gjendje ta themi këtë për më shumë se pesëdhjetë vjet. Por duhet të presim ndryshime shumë të mëdha.
Ç’lloj marrëdhëniesh do të vendosen ndërmjet njeriut dhe makinës dhe si do të ndikohet antropologjia e krishterë?
Në vitet ‘40, gati njëqind vjet më parë, shkrimtari katolik francez Georges Bernanos shpjegoi në Révolution et liberté(Revolucioni dhe liria) se problemi nuk është numri më i madh i makinave, por numri më i madh i njerëzve, që dëshirojnë vetëm çka japin makinat. Teknologjia në vetvete bëhet problem kur përpiqesh të kuptosh si e interpretojnë njerëzit, si e përdorin atë. Një problem më shumë i Inteligjencës Artificiale, në krahasim me mjetet e tjera si televizioni, radio apo zhvillime të tjera teknologjike, është se funksionon pa ndihmë. Ndryshe nga radioja apo televizori, që duhet fikur e ndezur, Inteligjenca Artificiale, pasi programohet për të zgjidhur një problem, vazhdon ta bëjë këtë e, jo vetëm kaq, por bëhet gjithnjë e më e aftë për ta zgjidhur problemin, sepse magazinon gjithnjë e më shumë detaje e të dhëna. Programi i saj funksionon gjithnjë e më mirë. Prandaj, ka rrezik që të kemi një jetë, praktikisht, jashtë kontrollit tonë.
Cilat janë rreziqet e Inteligjencës Artificiale për fenë? A do t’i ndryshojë marrëdhëniet tona me Zotin, Fjalën e bërë njeri?
Mënyra e ndikimit të Inteligjencës Artificiale në çështjet e fesë është ndryshimi i antropologjisë, i mënyrës me të cilën e shohim veten si të krishterë dhe veçanërisht, si katolikë. Ne e shohim gjithmonë natyrën si diçka, që merr Hir nga Hyji dhe ky është një aspekt, që na dallon nga emërtimet e tjera të krishtera. Për ne nuk ka kurrë kundërvënie ndërmjet Hirit Hyjnor dhe natyrës, përveçse në rastin e mëkatit. Nëse ekziston një mjet, që e ndryshon mënyrën e konceptimit të natyrës sonë njerëzore, atëherë ekziston edhe rreziku i një konceptimi të ndryshëm të Hirit dhe të marrëdhënieve ndërmjet Hirit Hyjnor e natyrës. Janë koncepte shumë klasike. Datojnë që nga Aristoteli dhe Shën Toma. Asgjë e re nën këtë diell. Vetëm se as Shën Toma e as Aristoteli nuk mund ta imagjinonin se do të vinte dita e një makine, që mund ta bëjë njeriun të besojë se është ndryshe. Po jap një shembull ekstrem: ata që besojnë në transhumanizëm. Këta mendojnë se Homo sapiens është thjesht kafshë si çdo tjetër, një qenie si çdo tjetër dhe se Inteligjenca Artificiale do të na ndihmojë të bëhemi një lloj tjetër Homo, një supernjeri. Kjo, sigurisht, do të nënkuptonte shkatërrimin e racës njerëzore. Do të mohonte faktin se njeriu, pikërisht pse është njeri, ka pasur privilegjin ta shohë Zotin e tij të mishëruar në një njeri.
Çfarë përdorimesh të IA-së do të këshillonit për Selinë e Shenjtë?
Kisha Katolike, me strukturat e saj të centralizuara, është një nga institucionet që zotëron një sasi të jashtëzakonshme të dhënash. Mjafton të mendojmë, për shembull, për vjetarin statistikor të Sekretarisë së Shtetit. Kemi lloj-lloj statistikash: sa murgesha ka në një dioqezë, sa laikë ka në një dioqezë... Kemi edhe shumë të dhëna të dixhitalizuara në Dikasterin për Kulturën dhe Edukimin. Për të mos përmendur gjithçka mund të bëjmë për një punë dhe baritori më të frytshme, veçanërisht në zonat e izoluara, ku njerëzit nuk mund të udhëtojnë, sepse rrugët janë të këqija. Një katekezë e mbajtur në një vend të caktuar mund të përhapet lehtësisht edhe 100-200 kilometra larg. Kjo u jep mundësinë katekistëve t’u bëjnë pyetje atyre, që e dëgjojnë katekezën e duan të mësojnë më shumë. Përhapja e Fjalës së Zotit është shumë më e lehtë me sistemet e Inteligjencës Artificiale sesa pa to.