Papa ka pneumoni dyan?she, trajtimi terapeutik m? kompleks
R.SH. / Vatikan
"Testet laboratorike të Atit të Shenjtë, radiografia e gjoksit dhe gjendja klinike vazhdojnë të paraqesin një pamje komplekse. Infeksioni polimikrobial, i cili lindi nga bronkektazia dhe bronkiti asmatiformë, që ka kërkuar përdorimin e terapisë me antibiotikë me kortizon, e bën trajtimin terapeutik më kompleks.
Skanimi CT i kontrollit të gjoksit të cilit i është nënshtruar Ati i Shenjtë pasditen e sotme, i përshkruar nga ekipi shëndetësor i Vatikanit dhe nga ekipi mjekësor i Fondacionit Poliklinik 'Gemelli'", "demonstroi fillimin e pneumonisë dypalëshe, që ka kërkuar një terapi të mëtejshme farmakologjike". Megjithatë, Papa Françesku është në humor të mirë. Sot paradite ai mori Eukaristinë Shenjte dhe, gjatë gjithë ditës, alternoi pushimin me lutjen dhe leximin e teksteve. Papa falënderon për afërsinë që ndjen në këtë moment dhe kërkon, me zemër mirënjohëse, që të vazhdojmë të lutemi për të.
Kështu njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë në një njoftim të lëshuar këtë mbrëmje, më 18 shkurt, që përditëson kushtet shëndetësore të Papës, i cili është shtruar në spital që nga 14 shkurti. Qindra mesazhe urimesh për një shërim të mirë po arrijnë te Papa, si dhe pusulla e vizatime, disa të bëra nga fëmijët e shtruar në Gemelli.
Ndryshimet në veprimtaritë e ardhshme
Përsa u përket veprimtarive të parashikuara në ditët e ardhshme, Papa Françesku, natyrisht, nuk do të mbajë audiencën e përgjithshme të ditës së nesërme në Vatikan, si edhe janë anuluar të gjitha impenjimet e tij, të shtunën, më 22 shkurt. Mesha e Jubileut të Diakonëve, të cilën Ati i Shenjtë do ta kremtonte të dielën, më 23 shkurt, në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të kryesohet nga pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, gjithnjë në orën 9.00.