Itali-Seli e Shenjt?: kard. Parolin, ‘migrant?t, familja dhe promovimi i vlerave etike nd?r temat e takimit'
R.SH. - Vatikan
Mbrojtja e familjes, krizat ndërkombëtare, duke filluar nga Lindja e Mesme dhe duke përfunduar me Ukrainën dhe emigrantët. Këto janë disa nga temat që u trajtuan në takimin e nivelit të lartë mes Selisë së Shenjtë dhe Italisë dje pasdite, 13 shkurt, në Palazzo Borromeo në Romë, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Pakteve të Lateranit të 11 shkurtit të vitit 1929, që sanksionuan lindjen e Qytet–Shtetit të Vatikanit.
Një marrëveshje kjo, që për Kishën katolike është burim garancie, jo privilegjesh. Paktet Lateranense ndërmjet Kishës së Romës e Shtetit Italian, janë mjete pozitive të mbrojtjes e të promovimit të lirisë fetare, parë si e drejtë individuale, kolektive dhe institucionale. Paktet e Lateranit të 11 shkurtit të vitit 1929 ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore.
Për të përkujtuar këtë ngjarje, ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë institucionalë, nga Vatikani, Sekretari Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, nga pala italiane Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Zgjidhja në Lindjen e Mesme mbetet ajo e dy shteteve
Selia e Shenjtë është gjithmonë e vëmendshme ndaj asaj që po ndodh në Gaza. Popullsia palestineze duhet të jetë në gjendje të qëndrojë në tokën e saj: “Nuk ka dëbim dhe kjo është një nga pikat themelore", tha kardinali Parolin në fund të ceremonisë së lartpërmendur. "Dikush vuri në dukje nga pala italiane se kjo do të krijonte tension në zonë. Vendet fqinje nuk janë të gatshme, dëgjuam së fundmi për shembull mbretin e Jordanisë i cili tha absolutisht 'jo', prandaj duhet të gjejmë një zgjidhje dhe zgjidhja, sipas mendimit tonë, është ajo e dy shteteve, sepse kjo do të thotë gjithashtu t'u japim shpresë popujve”.
Që situata mund të evoluojë u bë e qartë edhe nga Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili nënvizoi se ka një fije shprese pozitive për të ecur përpara: "Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar që armëpushimi të konsolidohet, ndaj dua të shpresoj që pengjet të lirohen".
Një paqe e drejtë për Ukrainën
Për Ukrainën, diplomacia po ndërmerr hapat e saj, edhe në dritën e telefonatës së fundit mes presidentit amerikan Trump dhe presidentit rus Putin. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin ripohoi se “nevojitet një paqe e drejtë" dhe se "ka shumë lëvizje, shumë fije shprese", prandaj "shpresojmë - shtoi ai - se ato do të konkretizohen dhe shpresojmë se mund të arrijmë në një paqe e cila, për të qenë solide, e qëndrueshme, duhet të jetë një paqe e drejtë, të përfshijë të gjithë aktorët që janë në lojë e të marrë parasysh parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe deklaratat e OKB-së. Gjithçka që propozohet është e dobishme, sepse duhet t'i japim fund kësaj masakre”. Ministri i jashtëm italian Tajani nga ana e tij shtoi se në çdo rast BE-ja dhe Kievi duhet të përfshihen në negociata.
Tema e migrantëve
Në takim u përmend edhe tema e emigrantëve. Kardinali Parolin njoftoi se në konferencën dypalëshe u fol për "pritjen, bashkëpunimin dhe integrimin e emigrantëve në Itali. Kisha Katolike po bën shumë, prandaj ne kemi nevojë për protokolle bashkëpunimi në nivelin rajonal'.