Mesazhe af?rsie dhe dashurie p?r Pap?n e shtruar n? Gemelli
R.SH. – Vatikan
Lajmi për shtrimin në spital të Papa Françeskut në Poliklinikën Agostino Gemelli në Romë, për shkak të bronkitit, u përhapë në mbarë botën. Mesazhe afërsie kanë ardhur nga shumë anë, veçanërisht nga Kishat, por edhe nga shumë besimtarë, të cilët shprehin dashurinë e tyre të veçantë, në rrjetet sociale, duke komentuar lajmin.
Lutja për Papën
Dioqeza e Romës është në lutje për shëndetin e Papës. “Komuniteti dioqezan i Romës - lexojmë në një njoftim - shpreh afërsinë e tij me Atin e Shenjtë, pasi mësoi lajmin e shtrimit të tij në spitalin universitar Agostino Gemelli. Mbarë populli i Zotit që është në Romë është edhe më afër ipeshkvit të vet në këtë moment, duke e siguruar atë për lutjet drejtuar Hyjit për shërim të shpejtë”. Konferenca Episkopale Italiane është në të njëjtën linjë: “Ne i urojmë Atit të Shenjtë një shërim të shpejtë, ndërsa bashkohemi në lutjen për të”. Ndërkohë në Bazilikën e Vatikanit, sot në mëngjes rreth pesë mijë shtegtarë, të cilët mbërritën në Romë për të marrë pjesë në audiencën jubilare, e cila më vonë u anulua, u lutën për shëndetin e Papa Françeskut "i cili po bën kaq shumë për Kishën", tha At Enzo Fortunato. Kryetari i Komitetit Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve mbajti një katekezë për besimtarët e ardhur nga dioqezat e Parmës, Beneventos dhe Viterbos.
Mesazhi Celam
Presidenca e Këshillit Episkopal të Amerikës Latine, Celam, e udhëhequr nga kardinali Jaime Spengler, kryeipeshkëv i Porto Alegre, në një deklaratë shpreh afërsinë me Papën “në këto momente në të cilat Zoti deshi ta bashkonte më ngushtë me kryqin e brishtësisë njerëzore”. “Na jep paqe fakti – thuhet në deklaratë – se Papa po merr kujdesin e duhur mjekësor dhe ne besojmë se do të shërohet së shpejti”. Lutjeve të shumë besimtarëve i shtohen edhe ato të prelatëve ,“shprehje afërsie e dashurie ndaj Papës, i cili është në zemra tona si atë dhe bari”. “Të lutemi për të, që të ndjejë forcën dhe ngushëllimin e Zotit. Së fundi, ia besojmë Papën mbrojtjes amnore të Zojës së Guadalupes, pajtores qiellore të Amerikës Latine.