杏MAP导航

K?rko

Benedikti XVI Benedikti XVI

Benedikti XVI, 12 vjet pas dor?heqjes: aktualiteti i nj? magjisteri

M? 11 shkurt 2013, njoftimi i papritur i nj? Pape, q? e linte sh?rbimin e tij pjetrin p?r arsye moshe, duke vijuar t? jetoj? si “Pap? nderi” pran? pasardh?sit t? vet. Por, ?sht? gabim t? kujtohet vet?m p?r k?t?.

R.SH. / Vatikan

Më 11 shkurt 2013, Papa Benedikti XVI njoftoi se po hiqte dorë nga papnia. Që atëhere kanë kaluar 12 vjet nga shpallja e Papës Ratzinger, që mahniti botën. Fjalët që shqiptoi Benedikti gjatë Koncistorit të zakonshëm Publik për Kanonizimin e disa të Lumve:

"Vëllezër të dashur" - tha Papa Ratzinger - Ju thirra në këtë Koncistor jo vetëm për të tre kanonizimet, por edhe për t'ju komunikuar një vendim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës. Pasi e shqyrtova vazhdimisht ndërgjegjen time përpara Zotit, arrita në sigurinë se forcat e mia, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të përshtatshme për ta kryer si duhet detyrën papnore".

Dorëheqje, që Benedikti XVI ia shpalli botës në latinisht, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan,  përballë Kolegjit të Kardinajve, me vetëdijen e "rëndësisë" së kumtit dhe "me liri të plotë", duke e motivuar se "për shkak të moshës së shtyrë", "ingravescente aetate” -  forcat e tij nuk ishin më "të përshtatshme për ta ushtruar shërbimin Papnor”.    

"E di mirë se kjo shërbesë, për  thelbin e saj shpirtëror, duhet të kryhet jo vetëm me vepra e fjalë, por jo më pak me vuajtje e lutje. Megjithatë, në botën e sotme, subjekti i ndryshimeve të shpejta është aq i tronditur nga çështjet me rëndësi të madhe për jetën e fesë, për të qeverisur varkën e Shën Pjetrit dhe për të shpallur Ungjillin, sa është e nevojshme edhe forca e trupit dhe e shpirtit, forcë e cila muajt e fundit më është pakësuar deri në atë pikë, sa duhet ta pranoj paaftësinë time për të administruar siç duhet shërbesën që m’u besua.

Për këtë arsye, i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij akti e me liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhësit të Shën Pjetrit, që ma besuan Kardinajtë më 19 prill 2005, në mënyrë që, nga 28 shkurti 2013, në orën 20:00, Selia e Romës, Seli e Shën Pjetrit, të jetë vakante e të thirret, nga ata që kanë kompetencë, Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri.

Vëllezër të dashur, ju falënderoj nga zemra për gjithë dashurinë e punën me të cilën keni mbartur barrën e shërbimit tim dhe kërkoj falje për të gjitha të metat e mia. Tani, t'ia besojmë Kishën Shenjte kujdesit të Bariut të saj Suprem, Zotit tonë Jezu Krisht dhe t'i lutemi Nënës së tij shenjte, Marisë, që t’i ndihmojë me dashamirësinë e saj amtare Etërit Kardinaj në zgjedhjen e Papës. Përsa më përket mua, edhe në të ardhmen dëshiroj t'i shërbej me gjithë zemër, me një jetë kushtuar lutjes, Kishës Shenjte të Zotit!".

 Është shkruar e thënë shumë për ngjarjen e destinuar të shënojë historinë e Kishës. Por nuk mund ta përqendrojmë vëmendjen vetëm në këtë gjest të përvuajtur e shqetësues njëkohësisht, duke bërë kështu, të kalojë në plan të dytë dëshmia personale e, sidomos, magjisteri i pasur i Benediktit XVI. 

Kisha është mjet i shëlbimit të Zotit

Përsa i përket magjisterit të Papës Ratzinger, tepër shpesh “i shtypur” nga interpretime reduktuese dhe skema (klishe, shabllon) të parafabrikuara, të paafta për t’ia vlerësuar pasurinë, larminë dhe besnikërinë ndaj mësimeve të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, si të mos kujtojmë këmbënguljen e tij për faktin se Kisha “nuk zotëron asgjë prej vetes para Atij, që e themeloi, në mënyrë që të mund të themi: e kemi bërë shumë mirë! Ajo merr kuptim kur është mjet i shëlbimit, kur e lejon Fjalën e Zotit ta përshkojë tejendanë e kur e çon botën në bashkimin e dashurisë me Zotin”. Pra, diametralisht e kundërt me besimin në strategji e projekte.

Kisha, vijonte Benedikti XVI, në një fjalim mbajtur në Konzerthaus të Freiburg im Breisgau, në shtator 2011, “kur është me të vërtetë vetvetja, është gjithnjë në lëvizje, vihet vazhdimisht në shërbim të misionit, që ka marrë prej Zotit. Pikërisht për këtë, duhet të merret sërish e gjithnjë me shqetësimet e botës, në të cilën bën pjesë, duke iu përkushtuar pa rezerva atyre shqetësimeve, për të vazhduar ta bëjë të pranishëm shkëmbimin e shenjtë, që zuri fill me Mishërimin e Hyjit”.

Ana pozitive e shekullarizimit

Po në atë fjalim, Papa Ratzinger paralajmëronte rrezikun e prirjes së kundërt. Atë “të një Kishe të vetëkënaqur, që i përshtatet kësaj bote… Jo rrallë, kështu, u jep organizimit dhe institucionalizimit një rëndësi më të madhe se sa thirrjes së saj për t’i mbajtur portat hapur për Zotin e për t’ia hapur botën të afërmit”. Prandaj, në atë fjalim, Papa gjerman vinte në dukje anën pozitive të shekullarizimit, i cili “ka kontribuar thellësisht në purifikimin dhe në reformimin e brendshëm” të vetë Kishës, edhe duke e shpronësuar nga pasuritë dhe privilegjet e saj. Sepse, përfundonte, “e çliruar nga barrët e nga privilegjet materiale e politike, Kisha mund t’i kushtohet më mirë e në mënyrë vërtet të krishterë gjithë botës, mund t’ia hapë vërtet dyert botës. Mund të jetojë sërish, më lirshëm, thirrjen e saj në shërbesën e adhurimit të Zotit dhe në shërbim të të afërmit”.

 

11 shkurt 2025, 10:03