Imzot Gallagher: arm?t b?rthamore, k?rc?nim ekzistencial
R.SH. / Vatikan
“Shpenzimet e mëdha ushtarake, të cilat shpesh shkojnë shumë përtej asaj që është e nevojshme për të siguruar mbrojtje legjitime, nxisin rrethin vicioz të një gare rraskapitëse armatimesh, që i largon burimet jetike nga çrrënjosja e varfërisë, drejtësia, arsimi dhe kujdesi shëndetësor”. Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, e theksoi këtë të mërkurën në një deklaratë për Segmentin e Nivelit të Lartë të OKB-së të Sesionit të vitit 2025 të Konferencës për Çarmatimin, që zhvillohet në Gjenevë më 24-28 shkurt.
Duke u shprehur pjesëmarrësve përshëndetjet e përzemërta të Papës, pohoi: "Sot jemi në një pikë kthese". "Së bashku, si familje kombesh - inkurajoi - mund të ndërmarrim veprime të drejta dhe të guximshme për një çarmatim të përgjithshëm, të ekuilibruar dhe të plotë nën kontroll efektiv ndërkombëtar". Përndryshe – paralajmëroi - alternativa "është vazhdimësia e konflikteve, dhuna, pabarazitë në rritje dhe degradimi i mjedisit, nga të cilat në fund nuk përfiton askush, përveç lobit të armëve".
'Peng i një ngërçi'
Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Gallagher kujtoi, në vijim, se Konferenca për Çarmatimin "mbahet peng i një ngërçi" që vijon vit pas viti "pa miratimin e një mandati të duhur negociues". Arsyeja e ekzistencës së këtij organi - kujtoi në vijim - është t’i diskutojë mjetet shumëpalëshe të çarmatimit dhe të arrijë në rezultate konkrete. Në këtë drejtim - vijoi - duhet të kujtojmë se të gjithë popujt e botës kanë interes jetik për suksesin e negociatave të çarmatimit.
Detyra dhe e drejta për të marrë pjesë në negociata
Rrjedhimisht - nënvizoi imzot Galalgher - të gjitha shtetet kanë detyrën - si dhe të drejtën - të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në negociata të tilla. Akumulimi masiv dhe konkurrues i armëve - vuri në dukje Kryeipeshkvi Gallagher - duket se i bie ndesh dispozitave të Kartës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën Shtetet vendosin "të marrin masa kolektive efektive për parandalimin e kërcënimeve kundër paqes".
Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet kujtoi thirrjen e fundit të Papës Françesku për të "ulur shpenzimet ushtarake për armë" dhe "për të përdorur të paktën një përqindje fikse të parave të destinuara për armatim, për të krijuar një Fond global kundër urisë dhe për të lehtësuar në vendet më të varfra aktivitetet arsimore, që synojnë promovimin e ndryshimit të qëndrueshëm klimatik".
Para se të jetë tepër vonë
Siç pohon fuqishëm Papa Françesku - këmbënguli Kryeipeshkvi Gallagher - është e nevojshme "të kapërcehet logjika e konfrontimit dhe, në vend të saj, të përqafohet logjika e takimit". Prandaj - vijoi - Selia e Shenjtë inkurajon konferencën të adoptojë një ndjenjë të përtërirë urgjence dhe angazhimi për të arritur marrëveshje konkrete dhe të qëndrueshme për hir të së mirës së përbashkët, "para se të jetë tepër vonë".
Kryeipeshkvi Gallagher pohoi në vijim se Selia e Shenjtë vijon të jetë "thellësisht e shqetësuar" për kërcënimin ekzistencial që vjen nga armët bërthamore dhe përhapja e tyre. "Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar," vuri në dukje në vijim, "janë të papajtueshme me përpjekjet për të ndërtuar mbi frikën e shkatërrimit të ndërsjellë ose mbi kërcënimin e asgjësimit total".
Kërkohen negociata serioze
Imzot Gallagher shprehu edhe shqetësimin për "zgjerimin dhe modernizimin e vazhdueshëm të arsenaleve bërthamore, shoqëruar nga retorika në rritje dhe kërcënimet në lidhje me vendosjen e tyre". Mjetet për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin sot - këmbënguli - nuk duhet të jenë nga ato që do të rindeznin ose do të nxisnin ndjekjen e rrezikshme të armëve bërthamore.
"Për më tepër" - vijoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet - "është urgjente që shtetet e armëve bërthamore të angazhohen në bisedime serioze për të reduktuar dhe për t’i zhdukur përfundimisht rezervat e tyre në përputhje me detyrimet sipas Nenit VI të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore."
Shqetësimet për armatimin e inteligjencës artificiale
Imzot Gallagher diskutoi edhe për armatizimin e Inteligjencës Artificiale (AI), duke theksuar se "aftësia për të kryer operacione ushtarake përmes sistemeve të kontrollit në distancë, ka çuar në një perceptim më të vogël shkatërrimi të shkaktuar nga ato sisteme të armëve dhe barrës së përgjegjësisë për përdorimin e tyre, me rezultat një përfundim edhe më të ftohtë e më të shkëputur nga tragjedia e madhe të luftës".
Në veçanti, Kryeipeshkvi Gallagher u kujtoi pjesëmarrësve se Sistemet Autonome të Armëve Vdekjeprurëse (LAWS), të cilat janë të afta të identifikojnë dhe të godasin objektivat pa ndërhyrje dhe kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, "janë shkak për shqetësim të madh etik", sepse u mungon "kapaciteti unik njerëzor për gjykim moral dhe vendimmarrje etike".