Jubileu i P?rshpirt?ris? Mariane, shtatorja origjinale e Fatim?s n? Rom?
R.SH. – Vatikan
Me rastin e Jubileut të Përshpirtërisë Mariane, që do të kremtohet më 11 dhe 12 tetor 2025, shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës do të jetë në Romë. Virgjëra Shenjte, e njohur për besimtarët në mbarë botën dhe simbol i “Shpresës që nuk zhgënjen”, do të jetë e pranishme në mesin e besimtarëve gjatë meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, të dielën, më 12 tetor 2025, në orën 10.30, duke e pasuruar këtë moment lutjeje dhe reflektimi. Hyrja në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e kremtimit eukaristik, do të jetë falas dhe nuk kërkohet as ftesa, që zakonisht shpërndahet falas për ngjarjet e mëdha në Vatikan. Regjistrimet për të marrë pjesë në veprimtarinë jubilare bëhen përmes faqes së internetit dhe do të mbyllen më 10 gusht 2025.
Tashmë, katër herë në Romë
Kjo është hera e katërt që shtatorja zhvendoset nga shenjtërorja e Fatimës për t’u sjellë në Romë: për herë të parë, kjo ndodhi në vitin 1984 për Jubileun e Jashtëzakonshëm të Shëlbimit, kur më 25 mars, Shën Gjon Pali II ia kushtoi botën Zemrës së Papërlyer të Marisë; pastaj, në Jubileun e Madh të vitit 2000 dhe për herë të tretë, në tetor 2013, me rastin e Vitit të Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI e vijuar nga Papa Françesku.
Më e dashura e nënave
"Prania e shtatores origjinale të Zojës së Fatimës do t'u japë mundësi të gjithëve të përjetojnë afërsinë e Virgjërës Mari - thekson pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella. – Është fjala për një nga ikonat mariane më të rëndësishme për të krishterët e gjithë botës, të cilët, siç nënvizon Ati i Shenjtë Françesku në Bulën për shpalljen e Jubileut ‘Spes non confundit’, e nderojnë si ‘më të dashurën e nënave, e cila nuk i braktis kurrë bijtë e vet’. Pikërisht në Fatima, Virgjëra u tha tre barinjve të vegjël atë, që vazhdon t'ia sigurojë secilit prej nesh: "Unë kurrë nuk do t'ju braktis. Zemra ime e Papërlyer do të jetë strehë dhe rrugë, që do t'ju çojë te Zoti".