Imzot Fisichella: diakon?t, si "urat" nd?rmjet altarit dhe rrug?s
R.SH. / Vatikan
Të jemi apostuj faljeje, shërbëtorë vetëmohues të vëllezërve tanë dhe ndërtues të bashkimit. Kjo, shpresa që kujtoi sot në mëngjes Kryeipeshkvi Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, imzot Rino Fisichella, i cili në emër të Papës Françesku, shtruar në Gemelli, kryesoi kremtimin eukaristik në Bazilikën e Shën Pjetrit mëngjesin e sotëm, 23 shkurt, duke përmbyllur Jubileun e Diakonëve.
Gjatë Meshës, që shënoi fundin e të katërtës nga ngjarjet e mëdha jubilare - në Romë këto ditë kishte pothuajse 4000 diakonë të përhershëm në shtegtim - njëzet e tre morën urdhrin e shenjtë të diakonatit, dy nga Brazili, gjashtë nga Kolumbia, një nga Franca, tre nga Italia, tre nga Meksika, dy nga Spanja dhe tre nga Polonia.
“Në festën eukaristike, ku kungimi merr përmasën më të plotë dhe më domethënëse, ne e ndjejmë Papën Françesku – edhe pse është në shtratin e spitalit – pranë nesh dhe i pranishëm mes nesh dhe kjo – tha Imzot Fisichella – na nxit ta bëjmë lutjen tonë edhe më të fortë, më të thellë, që Zoti ta ndihmojë në çastin e sprovës dhe të sëmundjes.
Më pas Kryeipeshkvi filloi të lexonte predikimin e përgatitur nga Ati i Shenjtë.
“Mesazhi i leximeve që dëgjuam mund të përmblidhet në një fjalë të vetme: pa pagesë. Term sigurisht i dashur për ju, diakonë të mbledhur këtu për kremtimin e Jubileut. Të reflektojmë, atëherë, mbi këtë përmasë themelore të jetës së krishterë dhe të shërbimit tuaj, veçanërisht në tre aspekte: falje, shërbim vetëmohues dhe bashkim.
Falja
Shpallja e faljes është detyrë themelore e diakonit. Është element i domosdoshëm për çdo udhëtim kishtar dhe kusht për çdo bashkëjetesë njerëzore. Jezusi na tregon nevojën dhe shtrirjen e kësaj detyre, kur thotë: "Duajini armiqtë tuaj" (Lk 6:27). E pikërisht kështu është: të rritemi së bashku, duke ndarë dritat dhe hijet e njëri-tjetrit, sukseset dhe dështimet! Është e nevojshme të dimë të falim dhe të kërkojmë falje, duke rilidhur marrëdhëniet dhe duke mos përjashtuar nga dashuria jonë as ata, që na lëndojnë dhe na tradhtojnë.
Një botë ku ka vetëm urrejtje për kundërshtarët, është botë pa shpresë, pa të ardhme, e paracaktuar të copëtohet nga luftërat, përçarjet dhe hakmarrja e pafund, siç e shohim fatkeqësisht edhe sot, në shumë nivele dhe në vende të ndryshme të botës. Të falësh, pra, do të thotë të përgatisësh një shtëpi mikpritëse, të sigurt për të ardhmen, brenda nesh dhe në bashkësitë tona. Edhe diakoni, i ngarkuar personalisht me një shërbesë, që e çon në periferitë e botës, angazhohet të shohë - e t'i mësojë edhe të tjerët të shohin – tek cilido, madje edhe tek ata që bëjnë gabime dhe shkaktojnë vuajtje, një motër dhe një vëlla të plagosur në shpirt. E, për këtë arsye, më shumë se kushdo, në nevojë për pajtim, udhëzim, ndihmë.
T’i hapim zemrat!
Leximi i parë – kujtoi Predikatari - na flet për këtë hapje zemre, duke na paraqitur dashurinë besnike dhe bujare të Davidit ndaj Saulit, mbretit të tij, por edhe persekutuesit të tij (shih 1 Sam 26,2,7-9,12-13,22-23). Ne dëgjojmë për këtë edhe në një kontekst tjetër, në vdekjen shembullore të Shtjefnit, që bie i goditur me gurë, duke i falur ata që e vranë (shih Veprat e Apostujve 7:60). Por mbi të gjitha e shohim tek Jezusi, modeli i çdo diakonie, i cili në kryq, duke “zbrazur” veten deri në atë pikë sa të japë jetën për ne (shih Fil 2:7), lutet për kryqëzuesit e tij dhe hap dyert e Parajsës për hajdutin e mirë (shih Luka 23,34.43).
Vijmë, kështu, tek pika e dytë: shërbimi vetëmohues.
Jezusi, në Ungjill – vijoi predikatari - e përshkruan me një frazë sa të thjeshtë, aq edhe të qartë: “Bëj të mirën dhe jep hua, pa shpresuar shpërblim” (Lk 6,35). Fjalë që kanë brenda tyre aromën e mirë të miqësisë. Para së gjithash, të dashurisë së Zotit për ne, e më pas, edhe tonën. Për diakonin, ky qëndrim nuk është aspekt ndihmës i veprimeve të tij, por përmasë themelore e qenies së tij. Kështu e shenjtëron veten për të qenë, në shërbesën e tij, "skulptor" e "piktor" i fytyrës së mëshirshme të Atit, dëshmitar i misterit të Zotit-Trini.
Kush më ka parë mua, ka parë Atin!
Në shumë pasazhe të Ungjillit – vijoi predikatari, që sot zëvendësonte Papën, i cili e ndiqte nga spitali - Jezusi flet për veten e tij në këtë dritë. E bën këtë me Filipin, në dhomën e sipërme, pak pasi ua lau këmbët të Dymbëdhjetëve, duke thënë: "Kush më ka parë mua, ka parë Atin" (Gjn 14,9). Si dhe kur themelon Eukaristinë, duke pohuar: “Jam mes jush si ai që shërben” (Lk 22:27). Por edhe më parë, në rrugën për në Jerusalem, kur dishepujt e tij po grindeshin ndërmjet tyre se kush ishte më i madhi, ai u kishte shpjeguar se "Biri i njeriut [...] nuk erdhi për t'u shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij për shpëtimin e shumë njerëzve" (shih Mk 10,45).
Vëllezër diakonë - kujtoi Predikatari - puna e kryer falas, si shprehje e kushtimit tuaj ndaj bamirësisë së Krishtit, është për ju shpallja e parë e Fjalës, gurrë besimi e gëzimi për ata që ju takojnë. Shoqërojeni sa më shumë me një buzëqeshje, pa u ankuar dhe pa kërkuar njohje, njëri në mbështetje të tjetrit, madje edhe në marrëdhëniet me ipeshkvijtë dhe me priftërinjtë, "si shprehje e një Kishe të kushtuar për t'u rritur në shërbim të Mbretërisë me vlerësimin e të gjitha gradave të shërbesës së shuguruar" (C.E.I., nellaciai9, e përhershme, 19, 19, Diaac 55). Veprimet tuaja të bashkuara dhe bujare do të jenë kështu urë që bashkon Altarin me rrugën, Eukaristinë me jetën e përditshme të njerëzve; Bamirësia do të jetë liturgjia juaj më e bukur, e liturgjia, shërbimi juaj më i përulur.
Shërbimi vetmohues, gurrë bashkimi
Arrijmë në pikën e fundit – kujtoi Prediktari që fliste në emër të Papës – tek shërbimi falas, si gurrë bashkimi:
Të japësh pa kërkuar asgjë në këmbim bashkon, krijon lidhje, sepse shpreh dhe ushqen qëndrimin së bashku, që nuk ka qëllim tjetër përveçse të dhurosh vetveten dhe t’u bësh mirë njerëzve. Shën Lorenci, Pajtori juaj, kur i kërkuan akuzuesit të dorëzonte thesaret e kishës, u tregoi të varfërit dhe u tha: "Ja thesaret tona!". Kështu ndërtohet bashkimi: duke i thënë vëllaut, motrës, me fjalë, por mbi të gjitha me vepra, personalisht dhe si bashkësi: “Ju jeni të rëndësishëm për ne”, “ju duam”, “duam që ju të jeni pjesë e shtegtimit dhe e jetës sonë”. Këtë bëni ju: burrat, baballarët dhe gjyshërit gati, në shërbim, për t’i zgjeruar familjet tuaja, për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë, atje ku jetoni!
Pra, misioni juaj, i cili ju merr nga shoqëria për t'ju rikthyer në të e për ta bërë vend gjithnjë e më mikpritës e të hapur për të gjithë, është një nga shprehjet më të bukura të një Kishe sinodale dhe "në dalje".
Dy fjalë, për ata që morën Sakramentin e Urdhërit
Së shpejti disa prej jush, duke marrë sakramentin e Urdhërit, do të “zbresin” shkallët e shërbesës – kujtoi Imzot Fisichella fjalët e Papës - Them - dhe e theksoj qëllimisht se “do të zbresin”, dhe jo se “do të “ngjiten”, sepse me Shugurimin nuk ngjitet kush, por zbret, bëhet i vogël, ulet dhe zhvishet.
“Për ta thënë këtë me fjalët e Shën Palit, në shërbim ne braktisim "njeriun e tokës" dhe në bamirësi veshim "njeriun e qiellit" (krh. 1 Kor 15:45-49).
Le të meditojmë të gjithë për atë që do të bëjmë, ndërsa ia besojmë veten Virgjërës Mari, shërbëtores së Zotit, dhe Shën Lorencit, mbrojtësit tuaj. Na ndihmofshin që ta jetojmë shërbimin tonë me një zemër të përvuajtur plot dashuri dhe të jemi, në bujari, apostuj faljeje, shërbëtorë vetëmohues të vëllezërve tanë dhe ndërtues të bashkimit”.