Jubileu i Artist?ve dhe i Kultur?s: “arti na jep shpres?”
R.SH. – Vatikan
Gjatë një bisede me gazetarët në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u paraqiten nismat e “Jubileut të Artistëve dhe të Botës së Kulturës”, i cili do të mbahet nga data 15 deri më 18 shkurt 2025. Prefekti i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, kardinali José Tolentino de Mendonça, shpjegoi aspektet e ndryshme të këtij Jubileu, “që është organizuar si një takim vërtet global, pasi bashkon më se dhjetë mijë pjesëmarrës, që vijnë nga mbi 100 kombe në pesë kontinentet".
Kardinali renditi të gjitha nismat. Të shtunën, 15 shkurt, fillohet me audiencën e përgjithshme të Atit të Shenjtë. Pastaj, në bashkëpunim me Muzetë e Vatikanit, organizohet një takim me përgjegjësit e muzeve e institucioneve të mëdha, për të menduar një impenjim të përbashkët për tansmetimin e kodit kulturor të feve, pa të cilin kultura varfërohet. Pasditen e asaj dite, në Via della Conciliazione, rrugën që të çon drejtpërdrejt në Shën Pjetër, përurohet e ashtuquajtura galeri e rrugës “Conciliazione 5”, e destinuar të mbetet edhe përtej Jubileut. Projekti është i piktorit kinez Yan Pei-Ming dhe tërheq vëmendjen ndaj bashkësisë së burgut Regina Caeli.
Të dielën, më 16 shkurt, nismat janë përqendruar në Shën Pjetër. Në orën 10, kremtohet mesha me protagonistët e kulturës dhe të artit. Në mbrëmje, mundësia për të kryer së bashku gjestin më emblematik të Jubileut, kalimin e Portës Shenjte në Bazilikë. Kjo nismë quhet “nata e bardhë në Shën Pjetër”.
Një çast tjetër i shumëpritur, shpjegoi kardinali de Mendonça, është vizita e parë e një Pape në studiot kinematografike të Cinecittà, në Romë, që do të realizohet të hënën, më 17 shkurt, për të takuar edhe një delegacion artistësh dhe protagonistësh të botës së kulturës. Përveç punonjësve të Cinecittà-së, Ati i Shenjtë do të mirëpritet nga një kor i veçantë i përbërë nga ish-të burgosurit, të burgosurit dhe nga vullnetarët.
Të martën, 18 shkurt, në përkujtimin liturgjik të të Lumit Anxheliko, pajtorit të arteve, në hapësirat e dikasterit, do të përurohet një ekspozitë të madhe mbi trajektoret transnacionale në Poezinë Pamore, që lidhet me kërkimin e përbashkët për një poetikë të aftë për të rishprehur shpresën në ditët e sotme. Edhe Vikariati i Romës ka disa iniciativa. Një nga këto është vizita falas në Pallatin e Lateranit, ku do të ketë edhe disa shfaqje të veçanta nga studentët e Akademisë Italiane të Arteve Dramatike “Silvio d’Amico”, të Akademisë Kombëtaretë Baletit, të Konservatorit të Muzikës Santa Cecilia, si edhe një instalacion nga Akademia e Arteve të Bukura të Romës.
Shfaqjet do të përsëriten katër herë gjatë pasdites së 15 shkurtit: në orën 16, 17, 18 dhe 19. “Përtej së dukshmes” titullohet, ndërkaq, drama e përgatitur nga Francesco d’Alfonso i Zyrës Dioqezane, e cila do të vihet në skenë nga studentët e vitit të parë të Aktrimit të Akademisë “Silvio d’Amico”.