Ukrain?. Imzot Kulbokas: "teoria e paqes nuk duhet ndar? nga jeta"
R.SH. / Vatikan
“Teoria e paqes nuk duhet ndarë nga jeta”. Këtë pohoi për agjencinë e lajmeve SIR, Nunci Apostolik i Kievit, Kryeipeshkvi imzot Visvaldas Kulbokas, duke komentuar lajmet më të fundit në frontin diplomatik ndërkombëtar, pas deklaratave të djeshme të presidentit ukrainas. Zelensky, në bisedë me gazetarin anglez Piers Morgan, pohoi se ishte gati të ulej në një tryezë me Putinin. I kujtoi edhe përgjigjen e Rusisë, e cila, ndonëse me ftohtësi, e mirëpriti këtë.
Veç kësaj, nga 14 deri më 16 shkurt në Mynih do të mbahet Konferenca e Sigurisë, gjatë së cilës administrata e Presidentit Trump mund të paraqesë planin për t'i dhënë fund konfliktit ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. “Po vërejmë zhvillime në situatën politike ndërkombëtare, ndonëse është vështirë të bëjmë parashikime”, vëren Nunci. “Sidomos sepse fjalët vlejnë aq sa vlejnë, por themelore do të jenë edhe veprimet e faktet”.
Duke shpjeguar sesi Kisha po i ndjek këto zhvillime, nunci shton: “Kisha, para së gjithash, kërkon të jetë me Zotin dhe me njerëzit, domethënë është e angazhuar të sjellë shpresë. Bëhet fjalë për atë shpresë hyjnore, e cila është si motori i brendshëm për të vendosur jetën mbi vdekjen, dashurinë mbi konkurrencën dhe na bën të gjithëve më shumë vëllezër, të bashkuar kundër së keqes dhe kundër luftës.
Prandaj Kisha është - dhe duhet të jetë - në vetë ekzistencën e saj, ndërtuese e paqes. Nuk bëhet fjalë për pacifizëm, por për paqe, e cila bazohet mbi jetën, drejtësinë dhe vëllazërinë dhe merr parasysh situatën, që teoria e paqes të mos shkëputet nga jeta, e cila duhet mbrojtur në të gjitha kuptimet: shpirtëror e material, politik e humanitar.