Imzot Gallagher: "diplomacia e Shpres?s" e Fran?eskut, kujdes p?r bot?n e ndar?
R.SH. / Vatikan
"Diplomacia e shpresës", shumë e dashur për Papën, është mesazh jetik dhe shërues për t’u bërë ballë e frakturave dhe ndarjeve ndërkombëtare, duke iu përgjigjur shkeljeve të të drejtave themelore dhe nevojës për "shenja të prekshme" besimi "në kohët ndër të cilat jetojmë". Segmenti i nivelit të lartë i sesionit të 58-të të zakonshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që u zhvillua dje, më 25 shkurt, në Gjenevë, i krijoi Kryeipeshkvit Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mundësinë për të ripërsëritur disa nga çështjet kryesore, theksuar nga Ati i Shenjtë Françesku gjatë Papnisë.
E drejta për jetë dhe thirrja për amësi
Përfaqësuesi i Vatikanit e nisi fjalimin e tij me Jubileun e shpresës, në kontrast me një botë që “përballet me tragjedinë e konflikteve të shumta, të krizave globale dhe shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut”. Ndërhyrja e tij u zhvillua rreth së drejtës për jetë, “parakusht për zhvillimin e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut”. Siç ka nënvizuar Françesku, “asnjë fëmijë nuk është i gabuar apo fajtor, pse erdhi në jetë, ashtu si asnjë i moshuar apo i sëmurë nuk mund të përjashtohet nga shpresa e jetës dhe të flaket nën dhe”. Selia e Shenjtë shpreson se 30-vjetori i Konferencës Botërore për Gratë, në Pekin, do të jetë rast për të kremtuar "dhuratat" unike të grave dhe për të "mbrojtur thirrjen për amësi".
Anulimi i borxhit dhe kriza e refugjatëve
Imzot Gallagher i bëri jehonë thirrjes së Papës për shfuqizimin universal të dënimit me vdekje, duke vënë në dukje se sot rreth 125 milionë njerëz janë të detyruar të zhvendosen. Kundërhelmi i kësaj krize, duke cituar gjithmonë Françeskun, është krijimi i “rrugëve të rregullta dhe të sigurta”, të kombinuara me një konsideratë më humane ndaj refugjatëve, të cilët nuk duhet të trajtohen si “sende për t'u vendosur”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet bëri edhe propozimin për anulimin e borxhit të vendeve të varfra, duke nënvizuar se "pothuajse gjysma e popullsisë së botës" jeton "në vende që shpenzojnë më shumë për shlyerjen" e këtij deficiti "se sa për shëndetësinë dhe arsimin". Kjo është çështje e "drejtësisë" dhe "e bujarisë", siç thuhet nga Papa, e lidhur me "borxhin ekologjik" ndërmjet veriut dhe jugut të botës.
Një çështje tjetër e trajtuar nga Imzot Gallagher është mungesa e lirisë fetare, e parë si "pengesë për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin e gjithanshëm". Sot, rreth 380 milionë të krishterë persekutohen për fenë e tyre, kujtoi sekretari i Vatikanit, duke shpresuar për një liri që i përfshin të gjitha besimet.
Të respektohet sovraniteti i shteteve
Imzot Gallagher e përfundoi fjalimin e tij duke nënvizuar se sfidat globale mund të trajtohen vetëm përmes "multilateralizmit të fortë" që respekton "sovranitetin e shteteve" dhe përdor "gjuhë të përbashkët". Rreziku, i paralajmëruar nga Papa, është ai i "shfrytëzimit të dokumentave" për çështje shumëthemelore, i "ndryshimit të kuptimit të termave ose riinterpretimit të njëanshëm të përmbajtjes së traktateve për të drejtat e njeriut - për të çuar përpara ideologjitë që përçajnë, që shkelin vlerat dhe besimin e popujve". Një formë e "ideologjisë koloniale", shtoi Imzot Gallagher, e cila minon marrëdhëniet ndërkombëtare dhe komprometon integritetin e institucioneve shumëpalëshe, duke e shkëputur vëmendjen nga çështjet "me të vërtetë të rëndësishme".