Imzot Gallagher: duhet t? kemi guximin e paqes e t? punojm? p?r pajtimin e v?rtet?
R.SH. / Vatikan
Guxim i paqes sot nuk do të thotë thjesht kërkim i armëpushimit dhe miratim i masave për mbrojtjen e popullsisë civile, por edhe, e sidomos, "të besosh se është e mundur të veprosh përpara se të shpërthejë dhuna, të refuzosh logjikën çnjerëzore që qëndron në themel të konflikteve, të përpiqesh të ndërtosh solidaritet dhe vëllazëri kudo, të kesh forcën e mendjes dhe vendosmërinë e njerëzve për të kapërcyer mirëkuptimin dhe punën e qëndrueshme". Kjo ishte thirrja e formuluar “në rrethanat shumë të ndërlikuara, në të cilat gjendemi sot”, nga Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, me rastin e Konferencës titulluar “Ushtarakët për të fituar paqen” mbajtur dje, më 7 shkurt, në Institut Français - Center Saint-Louis, në Romë, me rastin e Jubileut të Forcave të Armatosura, të Punonjësve të Policisë e të Sigurisë.
Aspektit shumëdimensional të kërkimit të paqes i shtohet edhe konsiderata e vetë natyrës së konflikteve, e cila ndryshon shumë - nënvizoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë - "Përveç luftërave të drejtpërdrejta konvencionale, sot jemi dëshmitarë të luftërave me përfaqësues, luftërave civile, luftërave hibride, konflikteve të ngrira dhe të shtyra dhe luftërave që po kthehen në konflikte transnacionale" - kujtoi në vijim Imzot Gallagher- duke vënë në dukje se "situata gjeopolitike ndonjëherë është aq komplekse dhe e polarizuar, sa çdo zgjidhje e konfliktit bëhet jashtëzakonisht e vështirë".
Një aspekt tjetër i konflikteve aktuale, është edhe përdorimi i llojeve të reja të armëve, të cilat po nxisin prodhimin e numrit gjithnjë në rritje të armëve në mbarë botën. Në veçanti, shumë vende kanë armë të shkatërrimit në masë e përdorin edhe inteligjencën artificiale.
Sipas Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare sot kemi nevojë të bëjmë “hapa të rinj" për çështjen e sigurisë", e me një "frymë krejtësisht të re", si theksohet në Koncilin II të Vatikanit. Kjo përpjekje - shtoi Imzot Gallagher - para së gjithash nuk duhet të jetë e dhunshme, por vazhdim i përpjekjeve të tjera, të bëra në kohët moderne për të përjashtuar përsëritjen e luftës, parë si mjete të besueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, por duke iu kundërvënë gjithnjë dhunës".