Imzot Fisichella: Jubileu i Forcave t? Armatosura, horizont q? b?n thirrje p?r paqe
R.SH. / Vatikan
“Të gjithë kanë nevojë për paqen”: Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin - Seksioni për çështjet themelore të ungjillëzimit në botë, u nis nga fjalët e Papës Françesku për të paraqitur Jubileun e Forcave të Armatosura, të policisë dhe sigurisë. Ngjarja, e planifikuar për të shtunën më 8 dhe të dielën, 9 shkurt, është ngjarja e dytë madhore jubilare e vitit 2025, pas atij në botën e komunikimit, në fund të janarit. Në konferencën e paraqitjes, mbajtur sot paradite, 7 shkurt, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, prelati nënvizoi, në vijim të Papës, se paqja nuk është thjesht njoftim, por kërkon veprime konkrete dhe efektive. Ngjarja tjetër jubilare, pra, vendoset në një horizont që imponon, para së gjithash, thirrjen për paqe, sepse nuk është thjesht mungesë e luftës, e as thjesht ekuilibër i forcave të kundërta, por vepër e drejtësisë, që kërkon "respektin për popujt, dinjitetin e tyre dhe praktikën e vëllazërisë njerëzore".
Paqja dhe siguria nuk kanë kufij
Duke kujtuar, më pas, Romën, proprefekti nënvizoi punën e madhe të kryer nga forcat e sigurisë, duke kujtuar sesi, falë angazhimit të tyre të matur, por edhe të vazhdueshëm, shtegtarët dhe qytetarët ndihen mjaft të sigurt për ta jetuar dhe për ta festuar jubileun në paqe. Shpresohet që kjo të ndodhë edhe në pjesë të tjera të botës. Aktualisht janë rreth tridhjetë mijë pjesëmarrës të regjistruar për ngjarjen, njëzet mijë prej të cilëve, nga Italia. Mbështetjen e dhanë edhe personat në prag të largimit si dhe shoqatat që luftojnë në këtë sektor. Do të jenë të pranishëm edhe delegacione nga më se njëqind vende, sepse – siç theksoi imzot Fisichella – “paqja dhe siguria i kapërcejnë kufijtë territorialë, për t’u shtrirë në të gjithë botën”.
Programi për të shtunën dhe të dielën
Ndër vendet më të përfaqësuara janë Spanja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina, Franca, Brazili, Kroacia, Kolumbia, Paraguaj, Indonezia, Argjentina, Zvicra, Austria, Lituania, Belgjika, Holanda, Ekuadori, Irlanda, Australia, Zelanda e Re. Më tej, pavarësisht nga përkushtimi i madh për sigurinë e Papës dhe Sheshit të Shën Pjetrit, nuk do të mungojnë garda zvicerane, xhandarmëria dhe zjarrfikësja e Vatikanit, të cilat do të jenë të pranishme me delegacionet e tyre përkatëse.
Mëngjesi i së shtunës do t'i kushtohet shtegtimit në Portën Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Pasdite, në orën 15:00, në Piazza del Popolo, në Romë, do të ketë një çast mirëseardhjeje nga forcat e armatosura dhe policia italiane, shoqëruar edhe nga pjesëmarrja e disa grupeve muzikore, mbasi muzika është edhe “mjet i vlefshëm për paqen”. Më në fund, paraditën e së dielës, më 9 shkurt, Mesha e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit, shoqëruar nga disa trupa ushtarake të përfshira në shërbimin liturgjik.
“Jubileu është shpresë dhe e ringjall shpresën në zemrat e atyre që punojnë për paqen dhe sigurinë. Iu kushtoftë të gjitha popullsive që jetojnë në luftë, që të gjithëve t'u kthehet dinjiteti i humbur”, përfundoi prelati.