Kardinali Czerny: n? Liban p?r t? sjell? mb?shtetjen e Pap?s n? nj? tok? q? vuan
R.SH. – Vatikan
Midis shumë udhëtimeve të bëra nëpër botë vitet e fundit, misioni në Liban ku do të shkojë kardinali Michael Czerny, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, nga dita e nesërme 19 deri të dielën 23 shkurt, premton të jetë më sfidues dhe intensiv. E kjo, jo vetëm për shkak të programit të ngjeshur me takime, si ato me Asamblenë Plenare të Patriarkëve Katolikë dhe Ipeshkvijve të Libanit (APECL), si dhe me Myftiun e Madh (është kardinali i parë që zhvillon një bisedë me autoritetin më të lartë juridik islam në vend), por edhe për shkak të emocioneve të takimit, nga afër, me një popullsi të stërmunduar nga kriza ekonomike, nga një amulli e gjatë politike dhe nga bombardimet izraelite, të cilat, përveçse e kanë shkatërruar jugun, kanë përkeqësuar gjendjen e personave të zhvendosur dhe të refugjatëve.
Në Tokën e Kedrave, kardinali jezuit Czerny - siç thuhet në programin e botuar nga Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor (DSSUI) - do të ketë edhe një moment lutjeje në portin e Bejrutit, në kujtim të shpërthimit dramatik të 4 gushtit 2020 që shkaktoi mijëra të vdekur dhe të lënduar.
Më pas, ndër angazhimet tjera të programuara, kard. Czerny do të takohet me të rinjtë pjesëmarrës në kursin e formimit për paqen, do të vizitojë një shkollë që frekuentohet nga fëmijë të feve të ndryshme dhe do të shkojë në Al Manhaj, vend i njohur si “la favelas del Mediterraneo” (favelat e Mesdheut) për shkak të shkallës shumë të lartë të varfërisë dhe varësisë nga droga.
Së fundi, kardinali Czerny do të takohet me disa migrantë, persona të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatë që ndihmohen nga Caritasi dhe Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët (JRS). Vetë kardinali Czerny ilustron domethënien e udhëtimit të tij në Liban për mediat e Vatikanit, një mision me një mendim në zemër për Papën, të shtruar në spitalin Gemelli: "Do t'ia besojmë atë dhe shërimin e tij Zojës së Bekuar të Libanit".
Shkëlqesia juaj, cili është objektivi i udhëtimit në Liban?
Shkoj me ftesë të Patriarkut të Antiokisë së Maronitëve, Kardinalit Bechara Boutros Raï. Ftesa ishte e nëntorit të kaluar, por nuk ishte e mundur, tani jam i lumtur të shkoj dhe të dëshmoj për punën e bërë nga Kisha lokale, veçanërisht pas luftës që detyroi një milion njerëz të shpërngulen për tre muaj nga jugu i vendit.
Libani është tokë e vuajtur që po përjeton një krizë ekonomike, sociale dhe politike prej vitesh, kjo e fundit aktualisht është zbutur pak nga zgjedhja e presidentit të ri. Pastaj lufta që shkatërroi zonën jugore dhe tani një armëpushim i ri që duket gjithnjë e më i brishtë. Me praninë tuaj, çfarë mesazhi dëshironi të përçoni?
Mesazhi është se Ati i Shenjtë e kujton, lutet, është solidar dhe shpreh dashurinë e tij për Libanin. Ky është mesazhi kryesor që jam shumë i lumtur të sjell në vend. Mendoj se vuajtjet e përjetuara nga populli dhe Kisha libaneze në këto vite të fundit janë gjithashtu edhe një mesazh shprese. Është mesazh shprese për guximin me të cilin ata u përballën me kaq shumë sfida. Sfida që vazhdojnë, por të cilat po i jetojnë me inteligjencë dhe kreativitet. Virtyte këto të rëndësishme për shumë vende në botë, ku njerëzit luftojnë për të bashkëjetuar, pavarësisht nga dallimet.
Udhëtimi juaj ka një program plot takime. Është planifikuar edhe një moment me një grup refugjatësh sirianë, të cilët përfaqësojnë një milion e gjysmë sirianët, që banojnë në tokën libaneze. Çfarë prisni nga ky takim?
Është e rëndësishme të sjellë afërsinë e Ati i Shenjtë me refugjatët dhe të gjithë ata që i përfaqësojnë. Dhe është gjithashtu e rëndësishme të bëjmë një gjest falënderimi dhe mbështetjeje për popullin libanez, i cili, proporcionalisht, mban barrën më të madhe në krahasim me çdo vend tjetër në botë. Në Liban një në katër banorë është refugjat. Ky është një shembull për një botë që priret drejt ksenofobisë. Por sfida e refugjatëve është e madhe. Ka shumë pasiguri dhe ka një fakt mjaft të tmerrshëm dhe ky është se shumica e fëmijëve të lindur në kampe nuk janë të regjistruar. Shumë të mitur janë pa dokumente dhe, për rrjedhojë, viktima të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së të miturve.
Shpërthimi në vitit 2020 që shkatërroi portin e Bejrutit duhet të renditet gjithashtu ndër vuajtjet që ka Libani e që ju përmendet...
Po, kjo mbetet një tragjedi e madhe. Ne do të shkojmë të lutemi për viktimat dhe familjet e tyre, siç bëri Ati i Shenjtë në gusht, kur takoi anëtarët e familjes dhe premtoi t’i kujtonte të dashurit e tyre dhe të përziejë lotët e tij me lotët e njerëzve të zhvendosur.
Gjithnjë në programin tuaj gjatë vizitës në Liban bie në sy biseda me Myftiun e Madh, autoritetin suprem juridik të islamit sunit në Liban.
Jam shumë i lumtur që mund ta takoj. Më duket se jam kardinali i parë që kam këtë takim dhe të flas drejtpërdrejt me të. Gëzohem të di se Libani është një vend dialogu ku ka projekte - të cilat do t'i vizitoj – në të cilat myslimanët dhe katolikët bashkëpunojnë për të përballuar sfidat dhe vështirësitë. Më duket se është një shembull i shkëlqyer i vëllazërisë në veprim.
Papa Françesku dhe para tij Gjon Pali II e përcaktuan Libanin si vend që është më shumë se “një mesazh”. “Një vend që dëshmon bashkëjetesën dhe paqen”, tha Françesku në fjalimin e tij para ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë janarin e kaluar. Çfarë shpresash keni për këtë komb?
Për mua shpresa e madhe për Libanin është që ai të mund të ecë përpara, të ketë guximin të përballet me problemet, të mos shkojë në ekstreme. Gjetja e zgjidhjeve nuk është e lehtë, ne duhet të përpiqemi ta bëjmë atë së bashku. Kjo është ajo që gjeneron shpresë autentike, shpresë të krishterë, besim në ringjalljen dhe në jetën që na solli Krishti.