Papa Fran?esku vazhdon terapin? dhe shtrimin n? spital
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku ka pushuar mirë. Kështu bënë të ditur zyra e shtypit e Vatikanit në një përditësim mbi kushtet e Papës, i cili është shtruar në spital që prej të premtes së kaluar në Poliklinikën Gemelli, në Romë. Dje, një javë pasi Papa u shtrua në Poliklinikën Gemelli, mjekët folën për herë të parë me mediat dhe hodhën poshtë të gjitha lajmet e rreme që fatkeqësisht në disa media kanë qarkulluar ditët e fundit në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papës.
Mbrëmë u mbajt një konferencë për shtyp e cila, një javë pas shtrimit të Papës në Poliklinikën Gemelli i hodhi poshtë të gjitha lajmet e rreme që, fatkeqësisht, disa media i qarkulluan ditët e fundit lidhur me gjendjen shëndetësore të Françeskut. Deklaratat për shtyp të lëshuara deri tani nga Salla e Shtypit e Vatikanit ishin përgatitur në përkim të plotë me mjekët që kujdesen për Françeskun, siç u tha qartë. U theksua, si sqarim bazë, se njoftimet për shtyp japin gjithë informacionin e nevojshëm, pa fshehur asnjëherë asgjë, edhe sepse këtë e dëshiron vetë Papa.
Për gjendjen e Atit të Shenjtë folën profesor Sergio Alfieri, drejtor i departamentit mjekësor-kirurgjik të Poliklinikës dhe përgjegjës i ekipit Gemelli, Dr. Luigi Carbone, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë e të Higjienës së Shtet Qytetit të Vatikanit dhe mjeku referues i Papës, i cili konfirmon punën e madhe të sinergjisë që po kryhet për mjekimin, posaçërisht nga infermieri Massimiliano Strappetti, "person i jashtëzakonshëm, i cili kujdeset prej vitesh për Atin e Shenjtë".
Patologjia kronike e riakutizuar
Papa “u trajtua për një formë infektive, për dispne në shtëpi, si çdo pacient 88-vjeçar që fillimisht është me grip në këtë periudhë” - shpjegon Alfieri, i cili saktëson edhe se “Ati i Shenjtë dëshiron gjithnjë që ne të themi të vërtetën. Ta shlyejmë menjëherë çdo hije se kanë mbetur gjëra pa u thënë. Ajo që lexuam është e vërteta”. Papa ka një sëmundje kronike, bronkektazinë, me një bronkit astmatik që mund të ketë faza rëndimi. Kjo, për të shpjeguar se, në moshën e tij, është gjendje që e bën pacientin të brishtë. U vu në dukje edhe se mikroorganizmat janë izoluar në nivel pulmonar: “ka viruse, kërpudha dhe baktere. Sëmundjet kronike janë ato që nuk mund të kurohen, por mund të frenohen”. Mjekët gjithashtu duan të përsërisin se në fazën fillestare Papa iu nënshtrua "një terapie të përshtatshme dhe korrekte". Tani u pa e nevojshme t'i drejtoheshim kortizonit i cili “ul mbrojtjen imunitare e rrit nivelin e sheqerit në gjak, gjë që është një terren pjellor për infektime; duhet të përdorësh disa terapi dhe të zvogëlosh të tjerat: puna jonë nuk është e lehtë. Prej këndej nëse pyetet: a është jashtë rrezikut? Do të përgjigjemi: “Jo".
Papa i përgjigjet terapive të zgjeruara
Alfieri thotë se mëngjesin e sotëm, së bashku me ekipin mjekësor vërejtën disa përmirësime. “Krahasuar me kohën kur mbërriti, është shumë më mirë, por situata mund të ndryshojë”. Papa është nën një ngarkesë të madhe ilaçesh. Carbone shprehet se “po i përgjigjet terapive”, terapi që nuk janë ndryshuar, por janë forcuar. "Duhet shumë pak që të çekuilibrohen". Zemra është e fortë, siguron: “Kur themi se Papa është i brishtë, në të njëjtën kohë themi edhe se është pacient shumë i fortë. I ndjekur shumë mirë”. "Ndonjëherë ka vështirësi në frymëmarrje", vëren Alfieri, "një ndjesi e pakëndshme". E më pas shton, me një nuancë ironie, se “mendja e tij është ende ajo e një gjashtëdhjetë vjeçari”, duke nënkuptuar karakterin e tij si njeri, që e do aq shumë Kishën, sa që nuk e kursen veten dhe për të: “vazhdon të punojë, të lexojë, të nënshkruaj dokumente, të bëjë shaka”. Është e qartë se ai e lartoi kishën në vend të parë, por ndërkohë mori trajtim të qetë në Santa Marta - shtoi.
Shtrimi në spital, për aq kohë sa është e nevojshme, ecuria e polmonitës është e gjatë
Shtrimi në spital do të zgjasë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të mos jetë më i nevojshëm administrimi i terapive spitalore. Jo vetëm një javë, pra, saktëson Alfieri, duke përsëritur disa herë se ecuria e pneumonisë është normalisht e gjatë: “Të paktën gjithë javën e ardhshme. Papa duhet të dalë kur të jetë mirë! Me këshillën e personelit mjekësor, Papa nuk takohet me personel të jashtëm gjatë këtyre ditëve të shtrimit, përveç dy-tre bashkëpunëtorëve të ngushtë. Nuk është i lidhur me asnjë makineri. Frymëmarrja është spontane e ushqehet vetë”.
Theksohet se Ati i Shenjtë ruan humorin e tij të mirë dhe nuk është i shtrirë në shtrat. U tregua edhe një batutë që doli kur mjeku hyri në dhomën e Papës: “Mirëmëngjes Atë i Shenjtë - mirëmëngjes Bir i Shenjtë”. Stafi i infermierëve u vlerësua shumë që në fillim të konferencës për shtyp. U kujtuan kontributet e infektologëve, me në krye Prof. Carlo Tortin, mjekët pneumologë, me Prof. Richeldi-n, shef i pneumologjisë, mjekët gastroenterologë internistë, me prof. Gasbarrini.
Rreziku është tek mikrobet, që mund të kalojnë në gjak
Nëse do të fillonte sepsi, mund të ishte vërtet e vështirë të dilte prej tij në këtë moshë e me problemet e frymëmarrjes. Ky është shqetësimi që shprehin mjekët, kur pyeten nga gazetarët. Rreziku është nëse një bakter do të hynte në gjak; në atë çast do të lokalizohej edhe në organe të tjera. Por sot ky kuadër nuk ekziston!