杏MAP导航

K?rko

Kardinali Gianfranco Ravasi Kardinali Gianfranco Ravasi

Kardinal Ravasi: kthimi i v?rtet? i sh?n Palit, mes mitit dhe realitetit

Kardinali reflekton mbi jet?n dhe mendimet e Apostullit t? Popujve n? librin e tij t? ri. Nga vizioni shpirt?ror n? rrug?n e Damaskut te rigoroziteti i mendimit teologjik e te leksioni i dialogut dhe i guximit p?r Kish?n e sotme. “Ja p?rse mesazhi i tij vazhdon t? na b?j? t? reflektojm?”

R.SH. – Vatikan

Kur si besimtar mendon për Shën Palin apostull, të vjen menjëherë ndërmend kthimi i tij në krishtërim në udhën e Damaskut, ku u verbua përkohësisht e papritmas, u rrëzua nga kali, kërkoi ndihmën e shokëve e pa vetëm terr derisa, në qytetin sirian, Anania vuri duart mbi të e iu kthye shikimi, por filloi edhe një jetë e re për të si ndjekës i Jezu Krishtit. Një episod, që duhet rishikuar, shpjegon kardinali Gianfranco Ravasi, studiues biblik, teolog, ish-prefekt i Bibliotekës Ambroziane, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Kulturën dhe Dialogun, njeri që lexon gjithçka e shkrimtar tejet i begatë. Vepra e tij e fundit i kushtohet Apostullit të Popujve (“Isha blasfem, persekutues dhe njeri i dhunshëm”, Botimet Raffaello Cortina). Një biografi, që ka meritën se hedh poshtë edhe disa mite: "Shën Pali nuk ka rënë kurrë nga kali", shpjegon vetë kardinali Ravasi për revistën katolike “Familja e Krishterë”.

Kthimi i Shën Palit - Caravaggio
Kthimi i Shën Palit - Caravaggio

Po si kështu? – e pyet gazetari ekspertin e Biblës. Shihet qartë edhe në pikturën e Caravaggio-s, me kalin që ngre thundrën për të mos e shkelur, ndërsa ai dergjet përtokë, i shtrirë në shpinë, duke i ruajtur sytë nga drita verbuese...

“Shën Pali nuk ra kurrë nga kali, ndoshta u pengua, ndoshta kjo përvojë e brendshme, mistike, e treguar në Veprat e Apostujve, e bëri të lëkundet dhe të bjerë. Por i tiji, është vegim shpirtëror. Dëshmitarët e këtij vegimi, ose ua ka treguar dikush, ose e tregojnë duke e transformuar, por në të vërtetë nuk ka ekzistuar gjithë ai aparat, që arti e pasqyron më pas si rrufe nga jashtë, si mrekulli, që vjen nga lart. Ka një ndryshim mjaft të dukshëm nga kjo klimë artistike, e cila e do shumë teofaninë dhe përshpirtërinë. Pali, ndërkaq, përfaqëson vetë Jezu Krishtin, bërthamën themelore të krishterimit. Nuk ka dyshim. Në këtë kuptim, ai flet edhe për një Krijim të ri, pra, na bën të imagjinojmë Parajsën”.

Pali konsiderohet teologu i parë i Kishës - vazhdon ta ngacmojë gazetari kardinali Ravasi.

"Sigurisht. Shën Pali përdor jo vetëm përvojën ekzistenciale, por edhe atë të reflektimit intelektual, dhe kjo duhet rivlerësuar në një epokë në të cilën, edhe në sferën kishtare, ka një tundim gjithnjë në rritje për të privilegjuar menjëhershmërinë”. Çfarë nënkuptohet me menjëhershmëri? “Ajo që keqkuptohet pak si kujdes baritor, por është edhe ajo një disiplinë, e cila ka statutin e saj, ka rrugët e saj intelektuale”.

Varri simbolik i Dante Alighieri-t, pa eshtrat e poetit të madh italian
Varri simbolik i Dante Alighieri-t, pa eshtrat e poetit të madh italian

A do t’i takojmë të afërmit në jetën e përtejme, madje, edhe kafshët?

“Ka dy elemente, që duhen marrë parasysh. Nga njëra anë, sigurisht, shën Pali na paraqet një reflektim që për ne sot, normalisht, është i vështirë. Sepse ne arsyetojmë për jetën e përtejme me kategori kohore dhe hapësinore. Jeta e përtejme është amshimi, një përjetësi që nuk mbaron kurrë. Vendi, ashtu si e mendojmë ne, është vend ku ekzistojnë parajsat danteske, kopshtet, të gjitha simbolet. Atëherë, kjo e bën të vështirë kuptimin e konceptimit të shën Palit. Ai ngul këmbë në ilustrimin e Krijimit të ri, që shkon përtej hapësirës dhe kohës. Për këtë, është themelor kreu 8 i Letrës drejtuar Romakëve. Një përmasë e re. Me një përmasë të re, në të cilën nuk ka më hapësirë ??dhe kohë, ai sheh edhe ripropozimin e faktit, që kemi një trup”.

A do të mbetet trupi?

“Identiteti ynë mbetet, madje edhe trupi ynë, por nuk është më trupi që kalbet, i destinuar të vdesë. Ka një vizion të tërë, që e përfshin këtë. Ky është elementi themelor i teologjisë së Shën Palit".

Bibla
Bibla

Apostulli njihet për shprehjen e tij të famshme "omnia munda mundis" (gjithçka është e pastër, për të pastrit në shpirt).

“Është e vërtetë, Manzoni e përmend edhe te “Të fejuarit”, duke ia vënë në gojë Kristofaros. Kjo është diçka konkrete. Shën Pali nuk është thjesht një teoricien abstrakt. Në libër, unë përmend fjalët e fuqishme të Joseph Ernest Renanit (filozof e historian francez i feve)  kur thotë se shën Pali është ati i të gjithë atyre, që erdhën pas shën Agustinit dhe shën Tomës së Akuinit, mendimtarë të mëdhenj të ftohtë, pothuajse të akullt, ndryshe nga Jezusi, i cili i përqafon njerëzit që takon. E gjithë pjesa e dytë e Letrës drejtuar Romakëve, megjithëse në një masë më të vogël, ka natyrë etike dhe baritore”.

Cili është mësimi i Shën Palit kundër krizës së Kishës sot?

“Ajo që propozon shën Pali është të rrezikosh, të vihesh në diskutim, të hysh në shesh, pra, në agora. Ai përpiqet të propozojë mesazhin e tij mesianik edhe në Areopagun e Athinës, atdheun e paganizmit. I shkon keq, por nuk pyet për këtë, përpiqet gjetiu, në Filipi, në Selanik, në kryeqytetet e mëdha të kohës”.

A është ky mësim ende i rëndësishëm sot? Të vihemi në diskutim, të shikojmë drejt kufijve të rinj?

"Mësimi i shën Palit sot përbëhet nga dy elemente, në dukje antonime: nga njëra anë, rigoroziteti në mendime e në moral, nga ana tjetër, ndërveprimi, dialogu, madje, përfshirë dështimet që sjell. Por, dështime deri në një farë pike: në Athinë, kthehen në krishtërim një fisnike dhe një nga krerët e mbretit, pra, do të thotë se arriti disa rezultate”.

24 janar 2025, 17:49