杏MAP导航

K?rko

At? Pasolini: N? Ardhje, t’i hapim zemrat p?r t'u mahnitur me risit? e Zotit

Sot paradite, n? Sall?n Pali VI, i pari nga tre meditimet drejt Krishtlindjes t? predikatarit t? ri t? Sht?pis? Papnore. Tema: “Porta e mahnitjes”. Duke d?gjuar z?rat e profet?ve dhe duke ndjekur shembullin e Maris? dhe Elizabet?s, shohim “ato fara t? Ungjillit" t? pranishme n? realitet, q? sjellin shpres? n? bot?

R.SH. – Vatikan

Mahnitja para risive të Zotit, para misterit të Mishërimit, është hovi i parë i zemrës, që rizgjohet për t’u nisur drejt Krishtilindjes dhe për të kaluar me shpresë Portën e Jubileut 2025. Pikërisht mbi temën e mahnitjes për veprat e Hyjit u përqendrua predikimi i parë i Kohës së Ardhjes në Vatikan. Kujtojmë se predikatari i ri i Shtëpisë Papnore, që do të bëjë edhe dy meditime të tjera për Papën dhe Kurien Romake, është frati kapuçin, atë Roberto Pasolini.

Tema e zgjedhur për të tria reflektimet është “Portat e shpresës. Drejt hapjes së Vitit Shenjt përmes profecisë së Krishtlindjes”. Mahnitja, nënvizoi ai sot, duhet të jetë si ajo e Shën Marisë, pas shpalljes së engjëllit Gabriel, si pranimi i saj për planin e Zotit, me liri të plotë e vetëdije. Për ta bërë këtë, duhet mohuar gjithçka na e ngurtëson zemrën, si frika, dorëzimi para vështirësive e cinizmi. Vetëm në këtë mënyrë, theksoi françeskani, do të jemi në gjendje t’i shohim me sy të rinj ato fara të Ungjillit të pranishme në realitet, që sjellin shpresën e Zotit në botë.

T’ia hapim portat mahnitjes

Predikatari, që falënderoi fillimisht atë Raniero Cantalamessa-n, i cili ka qenë në detyrë për 44 vjet rresht, nënvizoi se për t’ia hapur portat mahnitjes, duhet dëgjuar fillimisht zëri i profetëve, të parët që kuptuan praninë e Zotit në histori, që u tërhoqën vëmendjen njerëzve duke i qortuar kur devijonin nga rruga e Hyjit, për t’u treguar pastaj, mundësi të reja drejt shpresës. Shpesh, njerëzit e kanë të vështirë të besojnë në këtë shpresë të re, në dritën e re që Zoti rrezaton mbi ta, prandaj, pikërisht për këtë na duhet mahnitja para çdo vepre, që Hyji “ende dëshiron të realizojë në jetën tonë dhe në historinë e botës”, vërejti atë Pasolini, duke përmendur Isainë profet.

Ajo “jo” e Shën Elizabetës

Por, si t’i dëgjojmë këto zëra të profetëve? Predikatari dha shembullin e shën Marisë e të shën Elizabetës. Përshkroi historinë e Elizabetës e të burrit të saj, Zakarisë, që nuk priste më fëmijë, por Hyji bëri mrekulli për çiftin në moshë. Elizabeta ishte ajo, që i tha “jo” traditës për t’i vënë të birit emrin e të atit, duke bërë siç i pati thënë engjëlli. E quajti Gjon, që do të thotë “Zoti përdor mëshirën”, në vend të emrit Zakari të të atit, që do të thotë “Zoti mban mend”. E kur Zakaria shkroi emrin e të birit, i erdhi zëri, që i kishte humbur. Për t’ia hapur zemrën risive të Zotit, komentoi atë Pasolini, nganjëherë, duhet të dalim nga rrjedha e zakonshme e gjërave, nga tradita me të cilën jemi mësuar. Edhe sot, “kemi nevojë ta rifitojmë atë vështrim shpirtëror mbi realitetin”, që na lejon të shohim, krahas padrejtësive, luftërave e dhunës, edhe rrugët premtuese për t’u liruar prej tyre. Shën Elizabeta na mëson se e nesërmja nuk është fotokopja e së sotmes dhe se historia e njerëzimit nuk varet vetëm nga e kaluara, por edhe nga hiri i Tënzot, që i bën të reja të gjitha gjërat.

Shën Maria dhe përvujtëria e “po”-së së saj

Nga ana tjetër, shembulli i Virgjërës Mari na tregon si mund t’i themi “po” Zotit me të njëjtën mahnitje, që pati ajo para misterit të Mishërimit të Hyjit. Engjëlli Gabriel nuk e detyroi, vërejti predikatari i Shtëpisë Papnore. I vetmi “urdhër”, që i dha, ishte të gëzohej, sepse Zoti ishte me të. E ky është edhe hiri i Kohës së Ardhjes: të kuptojmë diçka që ekziston tashmë, Zoti është me ne. Ashtu si Maria, edhe ne duhet të mahnitemi para dashurisë së Zotit, i cili na do ashtu siç jemi; duhet ta lëmë veten në dorën e Tij, pasi fjala e Hyjit na rimodelon si njerëz, pavarësisht nga vendi i ngushtë që mund t’i kemi lënë në zemër, për shkak të përvojës sonë të kaluar; si edhe të marrim përsipër pa frikë përgjegjësitë e jetës së re, që na propozon Zoti, duke mos u ndalur tek vështirësitë e çastit, por duke parë “bukurinë e madhështinë e asaj, që na pret”. Siç bëri Maria, e cila nuk u frikësua nga shtatzania, që mund të dënohej nga ligji i Moisiut, por vuri Zotin para saj, duke e ndjekur pas.

Lajmërimet, që marrim në jetën tonë

Për atë Pasolinin, “të gjitha lajmërimet, që marrim në rrugëtimin e jetës” mund të përfundojnë vetëm në këtë mënyrë. Kur drita e Zotit arrin të na tregojë se brenda frikës për gjithçka na pret gjejmë besnikërinë e një premtimi të përjetshëm, lind në ne mahnitja dhe zbulojmë se jemi në gjendje të themi më në fund 'ja ku jam'".

06 dhjetor 2024, 12:43