Selia e Shenjt? n? Konferenc?n mbi Dimensionin Njer?zor: mediat n? sh?rbim t? njer?zimit
R.SH. – Vatikan
“Njeriu dhe bashkësia njerëzore janë qëllimi dhe masa e përdorimit të mjeteve të komunikimit shoqëror”. Imzot Richard Gyhra, përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e nisi, duke marrë një fragment nga mesazhi i Shën Gjon Palit II me rastin e Ditës së XXXIX Botërore të Komunikimeve Sociale, fjalimin e tij në sesionin e tretë, kushtuar lirive themelore, të Konferencës mbi Dimensionin Njerëzor, që po zhvillohet në Varshavë deri më 11 tetor.
Qëndrimi i Selisë së Shenjtë është ai i shprehur nga Katekizmi i Kishës Katolike, në seksionin përkatës kushtuar mjeteve të komunikimit shoqëror, i cili përcakton se"informimi nëpërmjet mediave" është "në shërbim të së mirës së përbashkët" dhe "shoqëria" e ka "të drejtën e informacionit të bazuar në të vërtetën, lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin".
Detyrat e lirisë së shprehjes
Përdorimi i mediave dhe kërkimi i tyre si një zë autonom, si dhe "ndikimi i tyre pozitiv për paqen dhe sigurinë", "duhet të bazohet në një kuptim të përbashkët të rolit që mediat luajnë në shërbimin, promovimin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor", thotë diplomati i Vatikanit. Një qasje e tillë "e përbashkët" kërkon që media të njohë se si pavarësia e tyre është një "manifestim i veçantë i së drejtës për lirinë e shprehjes", "ushtrimi" i së cilës sjell me vete "detyra dhe përgjegjësi" të veçanta.
Të shprehurit pa frikë, edhe kundër rrymës
Duke pasur parasysh "natyrën specifike" të delegacionit të Selisë së Shenjtë, mesazhi i saj prek gjithashtu edhe marrëdhënien "e veçantë" midis "lirisë së shprehjes" dhe "lirisë së fesë". Mbrojtja e vlerës së kësaj të fundit, “lirisë fetare” "nuk përjashton debatin kritik apo diskutimet serioze" mbi temat shpirtërore. Megjithatë, vëren Imzot Gyhra, "nuk është e pranueshme fshehja" pas idealeve të tilla siç është "justifikimi i stereotipeve negative, intoleranca, diskriminimi, armiqësia ose dhuna kundër feve ose anëtarëve të tyre". Liria e shprehjes duhet të bashkëndajë një hapësirë ku të gjitha pikëpamjet të kenë mundësinë të "shprehin mendimet e tyre, me respekt dhe pa frikë nga të tjerët", edhe kur këto shkojnë "kundër rrymës" së opinionit. Për këtë qëllim e në këtë drejtim, masmedia duhet të propozojë "një platformë" që mirëpret "shumë zëra".
Gazetarët në shërbim të së mirës së përbashkët
Për sa u përket gazetarëve, në vizionin e Selisë së Shenjtë, ata kanë “për detyrë që t'i shërbejnë së mirës së përbashkët” duke dhënë informacione “të sakta, objektive dhe të balancuara”. Roli tashmë i rëndësishëm i gazetarëve që japin informacion bëhet edhe më i rëndësishëm në situata konflikti. Nëpërmjet shpërndarjes së lajmeve pa paragjykime, gazetarët i ofrojnë botës “një pasqyrë” që mediat qeveritare “shpesh nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë ta ofrojnë”. Këto specifika kanë të bëjnë mbi të gjitha me "vuajtjet e mëdha njerëzore" që shoqërojnë çdo situatë konflikti. “Duke vënë në pah viktimat, dhe rrjedhimisht duke ndihmuar në nxitjen e veprimit të përbashkët ndërkombëtar, gazetarët ilustrojnë efektet pozitive dhe konkrete që një “mënyrë raportimi” e drejtë, e guximshme dhe e ndershme mund të sjellë në shoqëri”.
Nevoja për një informacion të lirë
përfaqësues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e mbyll fjalimin e tij duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, i cili, duke komentuar vdekjen e disa gazetarëve të vrarë ndërsa ata po kryenin punën e tyre, në një fjalim para anëtarëve të Shoqatës së Shtypit të Huaj në Itali, pati deklaruar se "liria e shtypit dhe e fjalës” përfaqëson “një tregues të rëndësishëm të gjendjes shëndetësore të një vendi. Të mos harrojmë se diktaturat, një nga masat e para që marrin, është heqja e lirisë së shtypit apo ‘maskuar’, nuk e lënë shtypin të jetë i lirë. Ne kemi nevojë për gazetari të lirë”.