Selia e Shenjt?-Kin?, Marr?veshja e P?rkohshme zgjatet edhe p?r kat?r vjet t? tjera
R.SH. – Vatikan
Është rinovimi i tretë i një marrëveshjeje, e cila, pas nënshkrimit, më 22 shtator 2018, hapi një faqe të re historike në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës, si edhe brenda vetë Kishës së vendit të madh lindor, duke u dhënë mundësi të gjithë ipeshkvijve të jenë në bashkim të plotë hierarkik me Papën. Firma e re, vendosur sot nga të dyja palët në Marrëveshjen e Përkohshme, që do të vlejë edhe për 4 vite të tjera, ndjek atë të rinovimit të parë në vitin 2020, për një periudhë dyvjeçare dhe, atë të vitit 2022, për një periudhë tjetër dyvjeçare.
“Dialog i respektueshëm dhe konstruktiv”
Njoftimi zyrtar për shtyp shpjegon vendimin e marrë "pas konsultimeve dhe vlerësimeve të duhura", falë "konsensusit të arritur për një zbatim të frytshëm" të Marrëveshjes për emërimin e ipeshkvijve dhe vë në dukje se "Vatikani synon ta vazhdojë dialogun e respektueshëm dhe konstruktiv me palën kineze, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të mirën e Kishës Katolike në vend dhe të gjithë popullit kinez”.
Një skenar i ri
Marrëveshja e Përkohshme u dha fund shugurimeve ipeshkvore, që, për dekada, u bënë pa pëlqimin e Papës. Një skenar, që ka ndryshuar rrënjësisht në 6 vitet e fundit, me dhjetë emërime dhe shugurime ipeshkvijsh e, njëkohësisht, me zyrtarizimin e rolit publik të disa prelatëve të panjohur më parë nga Pekini. Shenjë e bashkëpunimit të ri është edhe prania e ipeshkvijve nga Kina kontinentale në Sinodet në Vatikan dhe në ngjarje të tjera kishtare në Evropë e Amerikë, prania e të rinjve në DBR-në e Lisbonës vitin e kaluar dhe një pjesëmarrje më e madhe e besimtarëve kinezë në udhëtimet apostolike të Papës Françesku në Lindje gjatë viteve të fundit.