Nj? i krishter? q? u b? Pap?, na kujton thelbin e Ungjillit
R.SH. - Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Më 8 shkurt 1970, në predikimin e tij të parë si Patriark i Venedikut në Bazilikën e Shën Markut, Albino Luciani përsëriti fjalët që njëmbëdhjetë vjet më parë ua kishte thënë besimtarëve të Vittorio Venetos, sapo qe bërë ipeshkvi i tyre: “Zoti, disa gjëra të mëdha dëshiron nganjëherë t’i shkruajnë jo në bronz, as në mermer, por edhe në pluhur, në mënyrë që nëse shkrimi mbetet, i pashlyer a i patrazuar nga era, të jetë e qartë se merita i përket tërësisht Zotit. Unë jam pluhuri: posti i patriarkut dhe dioqeza e Venedikut janë gjërat e mëdha që i shtohen pluhurit; nëse nga ky bashkim del pak e mirë, është e qartë se e gjitha do të jetë fryt i mëshirës së Zotit”. Pikërisht në fjalët “Unë jam pluhur”, gjindet sekreti i madh i jetës së krishterë, që Albino Luciani dëshmoi gjatë gjithë shtegtimit të tij mbi tokë.
Shenjtëria e Gjon Palit I - i krishterë që u bë Papë më 26 gusht 1978, e që sot, 44 vjet më vonë, shpallet i Lum - është historia e thjeshtë e një njeriu që në çdo hap të jetës i besoi Zotit dhe e lëshoi gjithë vetveten në dorë të Tij. Ky besim u bë me vetëdijen për vogëlsinë e vet. “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”, u tha Jezusi miqve të tij. "Larg meje, Shejtan!” e pati urdhëruar Nazareasi Pjetrin, pasi e qortoi se kishte paralajmëruar mundimet dhe vdekjen e tij. Këto janë dy tregues të çmuar që Albino i ndoqi gjatë gjithë jetës së tij. Hiri për ta njohur vetveten si mëkatar, nevojtar për gjithçka; hiri për të mos llogaritur forcën e vet, aftësitë e veta, strategjitë e veta, por vetëm ndihmën dhe praninë e një Tjetri, e ndihmuan priftin, ipeshkvin, Papën t’i tregojë botës fytyrën e një Kishe të qetë dhe besimtare. Një Kishe, që e jeton Ungjillin në jetën e përditshme dhe nuk ka nevojë për fishekzjarre, që të tregojë se është gjithnjë e gjallë! Një Kishe që është e aftë për afërsi, ngushëllim e shpresë për të gjithë, duke nisur nga më të vegjlit, më të varfërit, të përjashtuarit dhe të papërfillurit.
“Përparimi ynë shpirtëror njihet nga masa e përvujtërisë” pati thënë Shën Françesku i Sales, shenjti i shumëdashur i Luçianit. Për të, njeri me kulturë dhe përgatitje të jashtëzakonshme, i aftë për të folur në mënyrë të thjeshtë dhe këndshme, me fjalë që kuptoheshin nga të gjithë, ishte pikërisht kështu. Lartimi në elter i këtij biri të Kishës veneciane, që nuk dinte ç’do të thotë protagonizëm, që nuk kishte kërkuar kurrë poste të spikatura dhe që para se të zgjidhej pothuajse unanimisht në konklav, po mendonte të shkonte misionar në Afrikë sapo të arrinte moshën kanonike të dorëheqjes së tij nga Venecia, është një shenjë shprese për të gjithë. Sepse, siç e përsëriti nënpostulatorja e çështjes së kanonizimit, Stefania Falasca, nuk u lumnua Papa apo papnia e tij, por një i krishterë që i shërbeu Ungjillit me gjithë vetveten, që e quajti “pluhur”. Një i krishterë, që lutej çdo ditë:
“Zot, më merr kështu siç jam dhe më bëj ashtu siç dëshiron”, u shndërrua në mjetin, përmes të cilit Zoti i mëshirës shkroi faqe të bukura, më të rëndësishme se kurrë për Kishën dhe për botën.