Parolin: Papa n? Kanada p?r t? p?rqafuar popujt indigjen?
R.SH. - Vatikan
Do të jenë gjashtë, ditët e ngarkuara me veprimtari, që Françesku po përgatitet t’i jetojë në Kanada. E pret një vend i tërë, pjesërisht i plagosur nga tmerret e së shkuarës, kur popujt autoktonë u përbuzën dhe u dhunuan, si pasojë e mendësisë koloniale, që zbatonte politika dhe praktika asimilimi kulturor, me synim asgjësimin e identitetit të vendasve. Vetë Papa përsëriti se kjo vizitë do të jetë një “shtegtim pendestar” për të “kontribuar në rrugën e pajtimit dhe shërimit, të nisur tashmë”.
Papa Françesku do të prekë sërish, pas takimeve që pati në Vatikan muajt e fundit, dhimbjen dhe vuajtjet e bashkësive indiane. E do të lypë falje, do të lutet dhe do të çojë dritën e shpresës dhe të pajtimit, të pandarë nga kërkimi i së vërtetës, pastrimi i kujtesës, afërsia me viktimat e abuzimit. Në zemër të këtij udhëtimi apostolik të 37-të të Françeskut është edhe takimi me Kishën Kanadeze, e cila po përjeton sfidën, si në shumë vende, të një konteksti fort të laicizuar. Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, thekson se Papa dëshiron t’ia shprehë konkretisht popullsisë së vuajtur afërsinë e tij, “të lutet me të, të bëhet shtegtar në gjirin e saj”.
Hirësi, a po përgatitet Françesku për këtë shtegtim tejet të dëshiruar?
“Po, sigurisht. Është udhëtim shumë i dëshiruar, në qendër të të cilit do të jetë përqafimi me popujt autoktonë dhe me kishën vendase. Siç e kujtoi vetë Ati i Shenjtë të dielën e kaluar: ‘Unë do të vij mes jush mbi të gjitha në emër të Jezusit, për të takuar dhe për t’i përqafuar këta popuj’. Në disa raste, Papa është treguar shumë i vëmendshëm ndaj popujve indigjenë: mendoj për vizitat e ndryshme gjatë shtegtimeve të tij, për takimet e shumta që pati në Vatikan e edhe për Nxitjen Apostolike Querida Amazonia.
Në rastin e popujve indigjenë kanadezë, është - saktësoi ai të dielën - “shtegtim pendimi”, i cili pason takimet e zhvilluara me disa prej përfaqësuesve të tyre në Romë, ndërmjet marsit dhe prillit. Pas dëgjimit dhe takimit të parë, tani ekziston mundësia për një takim më të gjatë: Papa do të udhëtojë për disa ditë në vende shumë të largëta nga njëra-tjetra, me dëshirën për të vizituar bashkësitë indigjene atje ku jetojnë. Natyrisht është e pamundur t’u përgjigjesh të gjitha ftesave dhe të vizitosh të gjitha vendet, por Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë një afërsi konkrete. Do të thosha se afërsia është, edhe në këtë rast, kryefjala: Papa nuk synon vetëm të thotë fjalë, por mbi të gjitha të jetë afër, të shprehë afërsinë e tij në mënyrë konkrete. E nis, prandaj, këtë udhëtim, për të prekur me duar vuajtjet e atyre popujve, për t’u lutur me ta dhe për t’u bërë shtegtar në mesin e tyre”.
Në prill, Ati i Shenjtë kërkoi falje për pjesëmarrjen e disa katolikëve që u sollën keq me popujt indigjenë, veçanërisht për ata, që kishin përgjegjësi në shkollat??rezidenciale nga fundi i shekullit të 19-të deri në dekadat e fundit të shekullit të 20-të. Besoj, prandaj, se këtyre gjashtë ditëve kanadeze do t’u prijë takimi, falja dhe pajtimi…
“Siç e kujtojmë të gjithë, në takimin e 1 prillit Papa shprehu turpin dhe indinjatën për veprimet e shumë të krishterëve, të cilët, në vend që të jepnin dëshmi për Ungjillin, iu përshtatën mendësisë koloniale dhe politikave qeveritare të asimilimit kulturor, të cilat i dëmtuan rëndë bashkësitë indigjene. Veçanërisht i dhimbshëm qe roli i disa katolikëve në të ashtuquajturin sistem shkollor rezidencial, që i larguan shumë fëmijë indigjenë nga familjet e tyre. Këto rrethana historike karakterizojnë përmasën pendestare, siç e kujtova më parë, të këtij udhëtimi, në të cilin sigurisht do të spikasin temat e shërimit dhe pajtimit të plagëve. Por jo vetëm kjo, sepse takimet, në gjurmët e bisedave të ngrohta, që u zhvilluan në Romë, do të jenë edhe nën shenjën e vëllazërimit e të shpresës. E do të jenë gjithashtu edhe rast reflektimi për rolin që luajnë popujt autoktonë edhe sot e kësaj dite. Në të vërtetë, mund të jetë fitimprurëse për të gjithë që të rizbulojnë shumë nga vlerat dhe mësimet e tyre. Po mendoj, p.sh., vëmendjen për familjen dhe bashkësinë, kujdesin për krijimin, rëndësinë që i kushtohet përshpirtërisë, lidhjen e fortë ndërmjet brezave, respektin për të moshuarit... Papa do t’i kushtojë vëmendje të veçantë kremtimit të festës së shenjtorëve Joakim dhe Anna, gjyshërit e Jezusit, pikërisht në kuadër të këtij shtegtimi”.
Pasardhësi i Pjetrit do ta përforcojë Kishën Katolike në fe dhe do të marrë pjesë, me dëshirën e shprehur prej tij, në shtegtimin mbi liqenin e Shën Anës. Thua do të kërkojë një hov të ri ungjillzues në një vend me burime të mëdha, jo vetëm natyrore?
“Në secilin prej udhëtimeve të tij apostolike dhe në përgjithësi në gjithë shërbesën e tij, Ati i Shenjtë jo vetëm e përforcon në fe bashkësinë e krishterë, por edhe dëshiron të jetë vëlla në fe me Popullin e Zotit, duke u bërë shtegtar në vendet që viziton e duke njohur nga afër traditat fetare, që takon. Kështu, ai shprehu dëshirën të përjetojë një çast liturgjik në liqenin e Shën Anës, të cilin vendasit e quajnë “liqeni i Zotit”. Atje, për më shumë se njëqind vjet, bëhet një shtegtim për nder të Shën Anës, gjyshes së Jezusit, dhe në ato ujëra lahen shumë të sëmurë dhe të lënduar në trup apo shpirt. Në atë vend të veçantë dhe në kontekstin e një kornize natyrore shumë prekëse, do të ishte mirë, përsa i përket ungjillëzimit, të kthehemi te gurrat e fesë; të mendojmë për Jezusin që shuan etjen dhe shëron duke derdhur ujin e Shpirtit në zemrat, ujin, që gufon për jetën e pasosur. Në të njëjtën kohë, si në fazat e tjera të shtegtimeve të tjera, Papa do të kujtojë edhe urgjencën e ungjillizimit, në një kontekst shumë të laicizuar, duke e marrë shtytjen pikërisht nga sfidat e laicizmit ndaj prioriteteve tona baritore, gjuhëve tona dhe, në veçanti, Kishës sot dhe dëshmimit të fesë sot”.
Motoja e vizitës është “Ecim së bashku”. Çfarë pret Ati i Shenjtë nga ky shtegtim?
“Kjo moto, përveçse tregon rrugën e nisur me bashkësitë indigjene kanadeze, të kujton fjalën “sinod”. Siç e përsëriste shpesh Papa, sinodi nuk është ngjarje e rastësishme. Është më tepër stil kishtar, që të gjithë jemi thirrur ta bëjmë tonin, në frymën e Ungjillit dhe të bashkësive të para të krishtera, stil që konkretizohet në dëgjimin e ndërsjellë, në dialogu, në shoshitjen baritore të komunitetit dhe në vëllazëri. Mendoj se pikërisht në këtë frymë Ati i Shenjtë do të shpallë, edhe një herë, fjalën profetike të Ungjillit, që na fton të ndërtojmë vëllazërinë, të ndërtojmë paqen, të kapërcejmë përçarjet, të cilat shpesh nuk janë rezultat vetëm i egoizmit personal, por edhe i mendësisë dhe pikëpamjeve të shtrembëruara.
Në këtë kuptim, duke kujtuar rëndësinë e bamirësisë së ndërsjellë, Ati i Shenjtë padyshim shpreson të jetë në gjendje të inkurajojë ndjeshëm rrugën e nisur tashmë nga Kisha dhe shoqëria kanadeze, rrugën e pajtimit dhe të shërimit. Rrugë, kjo, që, e nisur nga “pastrimi i kujtesës”, ringjall dëshirën për shtegtim vëllazëror në të cilin të gjithë - Kisha dhe shoqëria civile – janë të bashkuar. Ashtu si në shumë fusha, kjo “ecje së bashku” është themelore, sot më shumë se kurrë: vetëm kështu është e mundur të ndërtosh dhe të hapësh zemrën për ardhmërinë e shpresës”.