K?rkes? p?r falje, p?r q?ndrimet e papajtueshme me Ungjillin
R.SH. – Vatikan
Andrea Tornielli
Ishte takimi i parë i udhëtimit: në fjalët e para, shqiptuar nga Papa Françesku në tokën kanadeze, përblidhet thelbi i mesazhit të tij dhe arsyet që e çuan në Kanada, pavarësisht nga problemet ende të dukshme në ecje. Pasi u lut në heshtje në varrezat e popujve indigjenë të Maskwacis, në kishën e Zojës së Shtatë Dhimbjeve, Ati i Shenjtë foli në Bear Park Pow-Wow Grounds, para një delegacioni krerësh indigjenë të Kombeve të Para (First Nations) nga i gjithë vendi.
“Jam këtu – u tha - sepse hapi i parë i këtij shtegtimi pendestar mes jush është përsëritja e kërkesës për falje. Dua t’ju them me gjithë zemër se jam thellësisht i pikëlluar: kërkoj falje për mënyrat me të cilat, fatkeqësisht, shumë të krishterë mbështetën mendësinë kolonizuese të fuqive, që i shtypën popujt indigjenë. Më dhemb shpirti. Kërkoj falje, në veçanti, për mënyrat me të cilat shumë anëtarë të Kishës dhe të bashkësive fetare bashkëpunuan, edhe përmes indiferencës, në ato projekte shkatërrimi kulturor dhe asimilimi të detyruar nga ana e qeverive të kohës, që arritën kulmin me sistemin e shkollave rezidenciale”.
Ishin shkolla të menduara dhe të financuara nga qeveria, por shumë prej tyre drejtoheshin nga Kishat e krishtera. E mijëra fëmijë, të shkëputur nga familjet e tyre, pësuan në to “abuzime fizike dhe verbale, psikologjike dhe shpirtërore”. Shumë gjetën vdekjen, për shkak të higjienës së keqe dhe sëmundjeve.
Ka një gjykim të qartë në fjalët e Ipeshkvit të Romës, përqafuar nga popujt autoktonë kanadezë, që e prisnin prej kohësh: “Feja e krishterë na thotë se ai ishte një gabim shkatërrimtar, i papajtueshëm me Ungjillin e Jezu Krishtit”. Edhe në kohën e kolonializmit të vërtetë, ashtu si më vonë, kur mendësia kolonialiste vazhdoi të ndikojë në politikat dhe në qëndrimet, shembull i të cilave ishin shkollat ??rezidenciale, ishte e mundur të kuptohej cila ishte rruga ungjillore. Edhe në atë kohë, pavarësisht nga kushtëzimet historike e kulturore, ishte e mundur të shoshitej puna, të kuptohej se traditat e vendasve duheshin pranuar, jo asgjësuar; se feja duhej të propozohej brenda kulturave të ndryshme indigjene dhe jo të imponohej duke i shkatërruar ato.
Dhuna për të cilën të krishterët kanë qenë përgjegjës përgjatë shekujve, është gjykuar tashmë e gjitha nga dëshmia e Jezusit, i cili na mësoi të duam e jo të urrejmë dhe mbeti i pafuqishëm në kryq si një viktimë e pafajshme, duke ndarë dhimbjen e të gjitha viktimave të historisë. Edhe në kohën kur u realizua shtypja dhe asimilimi kulturor, mund të mbahej qëndrim tjetër: mjafton të mendohet për shembujt e lashtë të ungjillizimit, në respekt të kulturave origjinale, dëshmuar nga "reducciones" në Paraguaj, ose për qëndrimin e Át Matteo Ricci-t në Kinë. Prandaj është e drejtë të kërkohet falje e kjo - siç na tregon Papa – të bëhet me qëndrim të përvuajtur, duke dëgjuar, me vetëdijen se ka plagë, për shërimin e të cilave nuk mjaftojnë shekuj, siç dëshmohet nga fjalët e popujt autoktonë të Kanadasë.
Natyrisht, do të ishte gabim të mos i shihnim edhe të mirat, që kanë bërë në heshtje në këto troje, misionarët e shumtë gjatë shekujve. Por e vetmja përgjigje e vërtetë e krishterë ndaj ndodhive të së kaluarës nuk është nxjerrja në dritë e të mirave, ose analiza historike. Para atyre, që pohojnë se ende e ndiejnë thellë në mish dhimbjen për gjithçka ndodhi, para atyre që humbën të afërmit pa e ditur as ku varroseshin, mund të rrimë vetëm në heshtje, duke u lutur, duke dëgjuar, duke përqafuar e duke kërkuar falje. Siç po na mëson Papa i moshuar, në karrige me rrota.