Parolin: Papa n? Malt? me Ungjillin e paqes e t? mikpritjes
R.SH. – Vatikan
Mikpritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi. Këto katër fjalë, që Papa Françesku i përmend kur flet për mënyrën e pritjes së njerëzve, që ikin nga luftërat, dhuna e persekutimet, janë në qendër të reflektimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në prag të udhëtimit të Atit të Shenjtë në Maltë, më 2 e 3 prill. Vizita e Papës – shtegtimi i tij i 36-të apostolik – ishte parashikuar për vitin 2020, por u shty, për shkak të pandemisë së Covid-19. Edhe tani, bota ndodhet në mesin e një lufte tjetër, asaj në Ukrainë. Kardinali Parolin, i cili, si zakonisht, do të jetë në krah të Françeskut gjatë qëndrimit në Maltë, në këtë intervistë për Radio Vatikanin – Vatican News, vë në dukje dhimbjen e Atit të Shenjtë për konfliktin në vijim dhe shpresën e tij se armët do të heshtin. E pyetëm me ç’frymë niset Papa për këtë udhëtim. Të dëgjojmë kardinalin…
Sigurisht që ky udhëtim mezi pritet, pikërisht sepse është shtyrë një herë, për shkak të Covid-it dhe njëkohësisht, sepse zhvillohet në këtë kontekst lufte, që e shqetëson jashtëzakonisht Atin e Shenjtë. Prandaj, imagjinoj se ai do ta bëjë këtë udhëtim me dhimbjen e fortë për ç’po ndodh në Ukrainë, që e ka shprehur në shumë raste, gjatë muajve dhe javëve të fundit. Mendoj edhe se do të përsërisë thirrjen për ndalimin e luftimeve, do të kërkojë të heshtin armët dhe të vazhdojë dialogu, pasi po vijojnë bisedimet, pavarësisht se nuk duket të kenë arritur ndonjë rezultat konkret. Pra, fryma do të jetë ajo e dhimbjes dhe e pjesëmarrjes në vuajtjet e asaj popullsie, si edhe ftesa për t’i dhënë fund luftës.
Malta ndodhet në mesin e një “shkretëtire blu”, siç e quan Papa Mesdheun, duke kujtuar dramën e emigracionit. Evropa po bën shumë për refugjatët ukrainas. Ç’mund të bëjë për ata, që kalojnë nëpër “Mare Nostrum”, në kërkim të shpresës?
Së pari, falënderojmë Zotin pikërisht sepse po shohim vërtet një garë solidariteti në favor të refugjatëve nga Ukraina. Është për t’u admiruar gjithçka po bëjnë vendet e ndryshme të Evropës për ta. Shpresoj që kjo përvojë tragjike të ndihmojë që të shtohet ndjeshmëria edhe për emigrantët e tjerë, për ata, që vijnë nga jugu. Më duket se nuk ka alternativë, përveçse bashkëpunimit dhe ndarjes së përgjegjësive të “barrës” - le ta quajmë kështu - ndërmjet të gjitha vendeve evropiane, veçanërisht ndërmjet atyre të mbërritjes, të mbërritjes së parë dhe atyre të tranzitit e të destinacionit. Pra, para së gjithash, përparësia - e ka përsëritur shpesh Papa - është të shpëtojmë jetë, të shpëtojmë jetë në det dhe kjo mund të bëhet duke i shtuar rrugët për migrim të rregullt. E pastaj, duhet punuar që askush të mos detyrohet të largohet nga atdheu i tij, për shkak të konfliktit, pasigurisë apo moszhvillimit. E më pas, të investohet në vendet e origjinës për zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik, qeverisjen e mirë, respektimin e të drejtave të njeriut. E më tej akoma, së bashku për të lidhur ato katër fjalët, që përmend shpesh Papa: mikpritjen, mbrojtjen, promovimin dhe integrimin. Duhe ta bëjmë këtë vërtet së bashku. Asnjë shtet nuk mund të marrë përgjegjësi i vetëm. Kemi nevojë për impenjim të përbashkët, që duhet ndarë edhe me shoqërinë civile, përfshirë grupet fetare e Kishën Katolike në veçanti.
Pas Greqisë e Qipros, Papa do të shkojë në ishullin ku u mbyt anija, me të cilën udhëtonte Shën Pali. Etapë tjetër e ungjillëzuesit të madh të popujve. Kemi hyrë në vitin e dhjetë të papnisë së Françeskut: a mund të na bëni një bilanc, duke pasur parasysh Kishën në dalje, që e dëshiron me aq zjarr Ati i Shenjtë?
Më duket me rëndësi që në këtë vit të dhjetë të papnisë, realizohet ky udhëtim në Maltë, sepse Malta lidhet me figurën e Shën Palit, i cili është ungjillëzuesi “par excellence” e nëse ka diçka, që vazhdimisht karakterizon papninë e Françeskut, është pikërisht thirrja, ftesa që Kisha të bëhet gjithnjë e më misionare, t’ua çojë të gjithëve kumtin e Ungjillit, në çdo situatë. Pra, kjo dalje në mision, me dy karakteristika, që mendoj se janë nënvizime tipike të Papës Françesku: të shkojmë drejt njerëzve konkretë, t'i takojmë ata në situatat e tyre të jetës, që mund të jenë pozitive, negative, ose gjendje kritike. Sigurisht, ftesa e tij është pikërisht ajo e kthesës misionare e për kthesë duhet kohë dhe vullnet i mirë. Por, unë besoj se kjo thirrje ka ndikuar thellësisht në jetën e Kishës, prandaj, shumica është gati të ecë në këtë drejtim për t’ua kumtuar Ungjillin njerëzve të sotëm e, përmes kumtimit të Ungjillit, të dëshmojë arsyet e jetës dhe të shpresës, për të cilat kemi kaq shumë nevojë në botën e sotme.
Françesku do të jetë Papa i tretë, që viziton Maltën, vend me një Kishë, e cila duhet t’u bëjë ballë sfidave tipike të shoqërive perëndimore. Si duhen jetuar ato, duke ruajtur identitetin, por duke ia hapur dyert edhe dialogut?
Edhe Kisha e Maltës ndodhet para problematikave, me të cilat duhet të përballet Kisha në vendet perëndimore. Ka një traditë të madhe fetare dhe afërsi me njerëzit e me nevojat e tyre, mjafton të mendojmë për veprat e shumta të bamirësisë në Maltë, kujdesin për të fundmit, vëmendjen për të sëmurët, të gjymtuarit e pastaj, për edukimin, temën e emigracionit, që përmendëm më parë dhe vëmendjen, që i kushton Kisha. Nga ana tjetër, shohim se njerëzit e praktikojnë më pak fenë dhe vlerat themelore të krishtera, mbi të cilat bazohej shoqëria, janë zbehur disi. Mendoj se përgjigjja është ajo, që kujtonim më parë e që Papa, natyrisht, e propozon: të krijohet binomi dishepull-misionar. Ku, sipas mendimit tim, dishepull do të thotë identitet, një identitet i fuqishëm i krishterë, që lind nga marrëdhëniet personale me Jezu Krishtin, nga ndjekja e Tij, ndërsa misionar do të thotë hapje, dialog me botën e sotme. Një dialog, që njëkohësisht, duhet të jetë mikpritje e kritikë edhe për aspektet më pak pozitive të realitetit e të shoqërisë sonë.
85% e popullsisë së Maltës është katolike. Papa shkon për t’i përforcuar në fe. Cili është urimi juaj?
Urimi është që Malta të përforcohet në fe e kjo fe të kthehet në dëshmi, në ndërgjegjësimin se të krishterët maltezë kanë nevojë ta dëshmojnë fenë e tyre, pra, ta kumtojnë atë. Mund të kujtojmë këtu, fjalët e shën Palit: “Opportune et importune”, në çdo çast, në çdo situatë, na pëlqen apo jo, ne kumtojmë Krishtin, kumtojmë Ungjillin e tij. Pra, një dëshmi, që shkon në atë drejtim e në mishërimin e fesë personale në bamirësi e në mikpritje ndaj të tjerëve.