L?mosh? p?r Tok?n Shenjte: t? shpresojm? kund?r ?do shprese
R. SH. - Vatikan
Shpresë, kundër çdo shprese, ndërsa bota qe zhytyr në dhimbjen e pandemisë: kjo, domethënia e shtegtimeve, kryer vitin e kaluar nga Papa Françesku: në Irak, gjatë marsit e në Qipro, në dhjetor, që kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore i kujton në letrën drejtuar besimtarëve lidhur me Lëmoshët e përvitshme të së Premtes së Madhe për Tokën Shenjte, në program më 15 prill, duke nënvizuar se lëmoshët janë burimi kryesor i jetës për Viset Shenjte. Pa to, Kisha do ta kishte të vështirë të qëndronte pranë bashkësive kishtare të Lindjes së Mesme. Kjo tokë ka nevojë për to, shpreson në to! Nevojë e shpresë, që lind edhe nga fjalët, të cilat i pati shqiptuar Papa vitin e kaluar në homelinë e së Dielës së Larit, kushtuar Mundimeve të Krishtit: “Kjo na çudit e na mrekullon: të shikosh të Gjithëpushtetshmin të katandisur në asgjë… të shikosh Zotin e gjithësisë, të zhveshur nga gjithçka. E pse e bëri gjithë këtë? E bëri për ta prekur me fund besnikërinë tonë njerëzore” - pati nënvizuar Papa.
Shtegtimet e Françeskut në tokat e të vetmuarve
Më 2021 Papa ishte shtegtar shprese “ndërmjet më të vetmuarve e më të vuajturve: vëllezërve e motrave tona të Irakut - vijoi të kujtojë kardinali - tokë e mërgimtarëve, troje, që ditën ta ruajnë emrin e Krishtit, përballë dhunës, luftës, persekutimit”. Populli i Zotit eci me Françeskun në udhët e Mosulit e të Karakoshit, u lut me të në katedralen e Bagdadit, e kështu, mbi këtë tokë, ku u derdh gjaku i një mori martirësh, si dëshmorët e vrarë më 31 tetor 2010 gjatë një liturgjie “shpërtheu drita e Pashkëve të Mundimeve e të Ringjalljes”.
Edhe në Qipro Papa pa me sytë e tij vuajtjen e ndarjes së një toke, ku popujt nuk mund të ulen në të njëjtën sofër të Eukaristisë. Nuk munguan as thirrjet e tjera, gjestet e ftesat për paqen në toka të tjera, që historia e shëlbimit dhe ngjarjet biblike na ftojnë t’i shikojmë si “Toka të shenjta”- kujtoi kardinali.
Krishti vijon të vuajë, si në Ukrainë
Ndërmjet Tokave Shenjte të sotme, ato ku vijon vuajtja, ku liria për ta jetuar fenë është e ndaluar, ku ndjehet fort persekutimi, kardinali Sandri nuk mund të mos kujtonte edhe Ukrainën. “Nëse Krishti vuajti e vdiq një herë të vetme e nuk mund të vdesë më - reflektoi prefekti - Korpi i Tij, që është Kisha, vijon të vuajë”. Prandaj, në udhën kreshmore, që na çon drejt Pashkëve, ndjehet fort ftesa që ta lëmë Zotin t’i vizitojë vetmitë tona e t’i përgjigjemi me dashuri, dashurisë së Tij.
Lëmoshët e së Premtes së Madhe, për vendet ku Fjala u bë njeri
Gjesti i lëmoshës, sado e vogël qoftë, por e dhuruar nga të gjithë - shpjegon akoma kardinali Sandri - pëveçse i ndihmon vëllezërit e motrat tona të vijojnë të jetojnë e të shpresojnë, ofron edhe një dëshmi të gjallë për Fjalën e bërë njeri në viset e nëpër udhët që panë shpresën e Tij”. Kjo, ftesa e fundit e prefektit, që kujtoi se në këta dy vjet pandemie, të krishterët e Tokës Shenjte i kremtuan Pashkë e Krishtlindje në një atmosferë izolimi. “Pa ngrohtësinë dhe miqësinë solidare të shtegtarëve, që i vizitonin Vendet e Shenjta. Kështu në bashkësitë vendase - pohoi - familjet vuajtën pa masë nga mungesa e punës, më shumë sesa nga Pandemia. Prandaj Lëmosha në ndihmë të Tokës Shenjte, që do të mblidhet në ditën e Mundimeve shëlbuese të Zotit, vijon të ketë rëndësi të dorës së parë. Ajo shpreh vetëdijen për rrënjët tona, që gjinden atje, ku u përhap së pari Lajmi i Ngjalljes, që arriti, pastaj, edhe në viset tona e në zemrat tona!