Fjal?t e Pap?s, q? prekin edhe zemrat shqiptare
R.SH. - Vatikan
Pa punë nuk ka dinjitet, askush nuk duhet tё mënjanohet nga shoqëria. Fjalët, që shqiptoi sot Papa Françesku në Sllovaki, gjatë takimit me autoritetet përfaqësuese të shoqërisë civile dhe Trupin Diplomatik në Bratislavë nuk mund të mos i prekin zemrat e të gjithë atyre, që kërkojnë bukën e kripën në sofër, fituar me djersën e ballit, në vend të vet. Foli për bukën e Ungjillit, Papa Françesku, atë që thyhet e ndahet, për t’u kthyer dinjitetin të gjithë njerëzve. Në të ndjehet shija e bukës së mbrume, që fitohet ndershmërisht. Shija e gjësë, që thyhet e ndahet bashkë. Nën strehën e trashëguar nga breznia në brezni!
Buka e thyer dhe e ndarë drejtësisht, që ua kujtoi Papa sllovakëve, na sjell në mendje rëndësinë e drejtësisë, të detyrës për t’i dhënë secilit person mundësinë të realizohet. E për të krijuar një ardhmëri, në të cilën ligjet vlejnë e zbatohen njëlloj për të gjithë, mbi bazën e një drejtësie shoqërore që nuk shitet kurrë në treg! As në tregun kombëtar e aq më pak në atë ndërkombëtar! E që drejtësia të mos mbetet ide abstrakte, por të bëhet konkrete, si buka, duket marrë seriozisht lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i ligjshmërisë, atje ku nuk ekzistojnë - kujtoi Papa Bergoglio, duke u folur sllovakëve, nësa e dëgjonin Evropa dhe mbarë bota.
Puna i jep njeriut dinjitet
Si nuk mund të ketë sofër pa bukë, nuk mund të ketë as dinjitet pa punë, na kujtoi Papa: “Në bazë të shoqërisë së drejtë e vëllazërore, është e drejta që secili të ketë bukën e fituar me punë, që askush të mos ndjehet i përjashtuar e të detyrohet të lërë familjen e tokën amtare, në kërkim të një fati më të mirë!”. Këtë të drejtë duhet të gëzojnë të gjithë qytetarët.