Kard. Parolin: Papa, lajm?tar i paqes dhe i bashkimit n? Bullgari e n? Maqedonin? e Veriut
R.SH. - Vatikan
“Të vihet në dukje çka bashkon” është njëri nga synimet, që thekson Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, në një intervistë me Vatican Neës, në prag të udhëtimit të 29-të apostolik të Papës Françesku, i cili niset të dielën për në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, ku do të qëndrojë deri më 7 maj. Është hera e dytë që një Papë shkon në Bullgari, pas vizitës së shën Gjon Palit II, në vitin 2002. Motoja e etapës bullgare të këtij udhëtimi - Pacem në Terris – të kujton Enciklikën e shën Gjonit XXIII, Vizitatori dhe Legati i parë apostolik në vend. Por çfarë do të çojë Ati i Shenjtë në Bullgari? Ja përgjigjja e kardinalit Pietro Parolin:
Do të nisesha pikërisht nga logoja e kësaj vizite në Bullgari, ku citohet Enciklika e shën Gjonit XXIII, “Pacem në Terris” (Paqja në Tokë). Papa do të jetë vërtet bartës i paqes, dëshmitar i Krishtit të ringjallur, sepse jemi në kohën e Pashkëve, gjatë së cilës kujtojmë dukjet e Jezusit të ringjallur para dishepujve të vet. E, përshëndetja e parë e Tij ishte pikërisht: “Paqja qoftë me ju… ju jap paqen time… ju lë paqen time”. Besoj se tema e paqes - zëdhënës i së cilës bëhet Papa në këtë vizitë - mund të shihet në dy drejtime: nga njëra anë, duke iu referuar themeleve të paqes, sipas Enciklikës së Gjonit XXIII, pa të cilat nuk mund të arrihet paqja e vërtetë, e sigurt dhe e qëndrueshme. Këto themele janë e vërteta, drejtësia, liria dhe dashuria. Nga ana tjetër, duke kujtuar figurën e Gjonit XXIII - i cili ishte mik i madh i Bullgarisë, ku qëndroi për dhjetë vjet me radhë, fillimisht si Vizitator apostolik e, më pas, si Legat apostolik - Papa dëshiron të thotë se paqja ndërtohet përmes qëndrimeve, të cilat i dëshmoi më së miri shën Gjoni XXIII, pra, përmes miqësisë, butësisë, mirësisë, takimit me tjetrin, theksimit të gjithçkaje bashkon... Këto ishin tiparet, karakteristikat e shkëlqyera të figurës dhe të papnisë së Gjonit XXIII, që dolën në pah edhe kur shërbeu si përfaqësues papnor. Besoj se këto janë vijat, mbi të cilat do të lëvizë Papa Françesku në këtë udhëtim.
Ndër çastet më të rëndësishme në Sofie do të jenë: lutja para fronit të shenjtorëve vëllezër Cirili e Metodi, takimi me eksponentët e konfesioneve të ndryshme fetare, si edhe vizita tek Patriarku Neofit…
Më duket se kjo vizitë – sapo përmendëm shën Gjonin XXIII - zhvillohet rreth disa figurave veçanërisht të rëndësishme të së tashmes dhe të së kaluarës, si ato të dy shenjtorëve, të dy vëllezërve Cirili dhe Metodi të Kishës së mijëvjeçarit të parë, pra, të Kishës së pandarë, por ku kishte tensione, të cilat, për fat të keq, do të çonin në largim e ndarje. Vëllezërit shenjtorë kërkuan bashkimin dhe deshën të ungjillëzonin popuj të rinj, popuj të panjohur, përmes gjetjes dhe përdorimit të metodave e gjuhëve të reja. Kuptimi i këtij takimi qëndron pikërisht në përmasën e vëllazërimit, në theksimin e ekumenizmit si rrugë vëllazërimi, në pranimin e njëri-tjetrit si vëllezër në Zotin dhe njëkohësisht, - e këtu duket përpjekja për të kapërcyer ndarjet e tensionet, që mbeten - të bashkohemi në misionin themelor të të krishterëve: t’i çojmë Ungjillin botës, duke e ditur se ky ungjillëzim do të jetë më i thellë dhe më i fuqishëm, nëse jemi të bashkuar, në gjendje ta themi së bashku Fjalën e shëlbimit, që Zoti na ka besuar.
Papa do të shkojë në një kamp refugjatësh, për të nënvizuar, edhe një herë, nevojën e ndërtimit të urave e të shembjes së mureve…
Magjisteri i Papës, përsa i përket fenomenit të migrimit, përmblidhet në këto 4 fjalë: mikpritje, mbrojtje, promovim dhe integrim. Ati i Shenjtë e shoqëron me gjeste konkrete këtë magjister në shumë raste, edhe në udhëtime e situata të tjera. Edhe këtu, ai dëshiron ta theksojë këtë aspekt, duke pasur parasysh se t’i mbrosh këta vëllezër, që shpesh përjetojnë gjendje brishtësie e mënjanimi, do të thotë, së pari, t’u japësh dinjitet. Pra, edhe ky gjest bën pjesë në shqetësimin e shprehur gjithnjë nga Ati i Shenjtë në magjisterin e tij, por sidomos, bën pjesë në nivelin konkret të afërsisë me njerëzit, që përjetojnë vështirësi.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, në Shkup, qytet ku ka lindur shenjtja Nënë Terezë, Papa do të takohet edhe me një grup të varfërish…
Kujtuam Gjonin XXIII, shenjtorët Cirili dhe Metodi e tani, Nënë Terezën, e cila është figurë mbizotëruese. Edhe unë vetë, kur shkova në Maqedoni, para disa vitesh, munda ta shoh personalisht sa dashuri, sa përkushtim ka për Nënë Terezën. Natyrisht, kjo vëmendje ndaj të varfërve, të mënjanuarve dhe nevojtarëve është kujdes shumë konkret. Nënë Tereza e krahasoi veten me një pikë uji në det, por - thoshte ajo - nëse nuk është ajo pikë, detit i mungon diçka. Ky është mësim themelor për ne, të cilin Papa, me siguri, do ta ripropozojë me këmbëngulje: bamirësi konkrete, vëmendje për njerëzit e varfër, për t’i ndihmuar të dalin nga kjo gjendje e të ndryshojnë.
Cila është sfida e këtij udhëtimi?
Besoj se, në këtë udhëtim, nuk mund të flasim për sfida, por për mundësi, sidomos duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike dhe historinë e Bullgarisë, e cila është udhëkryq takimesh, popujsh, grupesh... Pra, edhe njëherë, duhet theksuar tema e takimit, e kulturës së takimit dhe e larmisë, e cila duhet shndërruar në rast për pasurim të ndërsjellë, në mënyrë që të gjithë të zhvillohen në të gjitha përmasat, si individë dhe si bashkësi, pasi realiteti i Maqedonisë së Veriut është shumëetnik dhe shumëfetar.